Europa League Futboll Sport

EINTRACHT E LAZIO KUALIFIKOHEN/ Chelsea e Sevilla bëjnë detyrën

Çelsi i është falur një goli të shënuar nga Oliver Zhirud në ndeshjen me Bate Borisov. Sulmuesi francez nuk fali pas harkimit të Emerson dhe me kokë e dërgoi topin drejt e në rrjetë, duke e çuar dëm zgjatjen e portierit vendas. Fitorja e katër në po kaq ndeshje për djemtë e Sarrit, të cilët sigurojnë kualifikimin për më tej dhe tashmë do të përqendrohen në kampionatin vendas.

Lacio mposhti përsëri Olimpikun e Marsejës, duke u kualifikuar për më tej në këtë kompeticion. Bardhekaltrit fituan me rezultatin 2-1, duke siguruar fitoren e dytë rresht kundër ekipit francez. Marko Parolo kaloi vendasit në avantazh në minutat shtesë të pjesës së parë, pasi goditi bukur me kokë pas një krosimi të Imobiles, duke lënë të shtangur portierin Pele. Dyfishimi erdhi në fillimin e pjesës së dytë me anë të Korreas. Imobile dhuroi një tjetër asist dhe argjentinasi shënoi golin e dytë për Lacion. Marseja shkurtoi diferencën në minutën e 60 me anë të Tovin. Sanson shfrytëzoi një gabim të mbrojtjes laciale, duke pasuar për Tovin, i cili nuk e pati të vështirë të mposhte Strakoshën. Sfida nuk dhuroi më gola me Lacion që vazhdon më tej, ndërsa finalistët e sezonit të kaluar i dhanë lamtumirën kompeticionit.

Gola, kartona të kuq dhe penallti në Turqi mes Akhisarit dhe Seviljes, ndeshje që përfundoi me rezultatin 2-3. Spanjollët shënuan dy herë në pjesën e parë me anë të Nolitos, i cili shfrytëzoi një pasim të Muriel, duke kaluar miqtë në avantazh në minutën e 12. Andaluzianët dyfishuan rezultatin me anë të Muriel, shtatë minuta përpara fundit të pjesës së parë. Turqit reaguan në pjesën e dytë me anë të Holandezit Manu, i cili shmangu bukur dy mbrojtës në zonë dhe shkurtoi diferencën. Sevilja mbeti me një lojtar më pak në minutën e 56, pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë të Gomez, i cili shkaktoi penallti. Vural dështoi të barazonte shifrat, duke përplasur topin në shtyllë. Akhisar vazhdoi sulmet dhe arriti të barazonte ndeshjen në minutën e 77. Vural krosoi një top në zonë dhe Ayik kërceu bukur me kokë, duke mposhtur Vaçlik. Ky gol nuk e demoralizoi Seviljen, që gjeti golin e fitores në minutën e 86, pavarësisht se me një lojtar më pak. Ever Banega u tregua i saktë nga pika e penalltisë, duke i dhuruar tre pikë shumë të rëndësishme ekipit për kualifikimin më tej. Kjo fitore e ngjit Seviljen në vendin e parë, bashkë me Krasnodarin. Me nga nëntë pikë, ndjekur nga Standarti i Liezhit me tre pikë më pak, ndërsa Akhisar renditet i fundit me zero pikë.

Spektakël, gola, ku dy prej tyre ishin autogola në sfidën mes Spartakut të Moskës dhe Rejnxhërs. Ndeshja u mbyll me fitoren e rusëve me rezultatin 4-3, ndërsa Eros Grezda u hodh në fushë nga Stiven Xherard në minutën e 82, por anësori ofensiv i kombëtares nuk arriti të ndihmonte ekipin e tij të shmangte humbjen. Pavarësisht humbjes, Rejnxhers renditet në vendin e dytë me pesë pikë, bashkë më Spartakun, një pikë më pak se kryesuesit e Vijareal.

Ejntrahti i Frankfurtit ka treguar supermacinë ndaj Apollon, duke fituar me rezultatin 2-3. Joviç në pjesën e parë shënoi për gjermanët me një goditje brenda zonës, ndërkohë që dhjetë minuta nga nisja e 45-minutëshit të dy ishte Haller ai që realizoi pas një krosi të Gaçinoviç. Ky i fundit, tre minuta më pas shfrytëzoi një gabim në mbrojtje të vendasve dhe me një gjuajtje në hyrje të zonës e çoi rezultatin në 0-3. Zelaja për Apollon shënoi me kokë pas një harkimi në zonë, duke ngushtuar rezultatin. Ejntrahti mbeti me një lojtar më pak në 10 minutat e fundit dhe Zeljaja sërish për vendasit shënoi me penallti, por ishin gjermanët që iu gëzuan fitores së katërt. Ejntrahti kualifikohet dhe ruan vendin e parë në grupin H.

GRUPI I mbetet i hapur, pasi të dyja ndeshjet janë mbyllur në barazim 1-1. Beshiktashit i iku fitorja nga duart kundër Genkut, që barazoi në fund. Kuarezma i kishte dhënë avantazhin turqve, ndërkohë që Berge tre minuta nga fundi barazoi. Nuk ka arritur të përfitojë Malmo e Egzon Binakut (nuk ishte as në stol), që barazoi 1-1 në shtëpi me Sarpsborg. Kur kanë mbetur edhe dy ndeshje, kryeson Genku me 7 pikë. Malmo e Sarpsborg kanë nga 5, kurse Beshiktashi 4.

EUROPA LEAGUE – FAZA E GRUPEVE

E enjte, më 8 nëntor 2018, ora 18:55

Akhisar – Sevilja 2-3
(Manu 52’, Ayik 78’ / Nolito 12’, Muriel 38’, Banega (pen) 86’)

Apolon – Ajntraht Frankfurt 2-3
(Zelaja 71’, 94’ (pe) / Joviç 17’, Haler 55’, Gaçinoviç 58’)

BATE – Çelsi 0-1
(Zhiru 53’)

Dinamo Kiev – Renë 3-1
(Verbiç 13’, Mykolenko 68’, Shaparenko 72’ / Siebatçeu 90’)

Genk – Beshiktash 1-1
(Berge 88’ / Kuarezma 16’)

Krasnodar – Standard Liezh 2-1
(Sulejmanov 79’, Uanderson 82’  / Gonzalez 19’)

Lacio-Marsejë 2-1
(Parolo 45+1’, Korrea 55’ / Tovin 60’)

Malmo-Sarsporg 08 1-1
(Antonson 67’ / Mortensen 63’)

MOL Vidi-PAOK 1-0
(Milanov 50’)

Rapidi i Vjenës-Vijareal 0-0

Spartak Moskë-Rejnxhërs 4-3
(Melgarejo 22’, Goldson (aut) 35’, Adriano 58’, Hani 59’ / Eremenko 5’ (aut), Kandeias 27’, Midleton 41’)

Related posts

“NDIHEM SI PAS NJË VIZITE TEK DENTISTI”/ Befason De Bruyne: Nuk ndiej asgjë nga ana e majtë…

Delo.autor

FITORJA E REAL MADRID/ Vinicius JR protagonist në fitoren e vështirë të Real Madridit ndaj Valladolidit

Isa.Autor

Skedina ditës/ Eksperti Italian e bën të “sigurtë”, këto 3 ndeshje do t’ju bëjnë të fitoni shumë para

Q.Autor

Leave a Comment