Raundi i 19-të i Euroleague në basketboll për meshkuj ka dhuruar shumë surpriza, duke nisur nga humbja e ekipit kampion të Real Madrid. Skuadra “merengues” u mund 73-60 në Mal të Zi nga Buducnost, ekipi që këtë sezon debuton në Euroleague. Kjo ishte paraqitja më e dobët sezonale e Real, ku zhgënjyen të gjithë ata që zbritën në fushë, ndërsa për Buducnost u dallua Norris Cole, me 14 pikë.
Humbet edhe ekipi i Barcelonës, që u mund 99-83 nga Maccabi në Izrael, ndeshje e dominuar nga vendasit. 5 lojtarë të Maccabit realizuan mbi 10 pikë (Black me i miri me 16 pikë). Skuadra e CSKA Moskë rikthehet te fitorja, duke mundur me vështirësi 77-70 Bayern, sfidë që u vendos në minutat e fundit. Ekipi moskovit arriti të përmbysë avantazhin e miqve, falë 20 pikëve të Clyburn.
Në krye të renditjes së Euroleague vazhdon të qëndrojë skuadra turke e Fenerbahce, që mposhti 82-64 spanjollët e Gran Canaria. Fitore e lehtë e turqve, ku u dallua Kalinic me 16 pikë. Anadolu Efes fitoi 82-68 ndaj Stamboll në derbin turk, me Moerman që realizoi 15 pikë, ndërsa lituanezët e Zalgiris Kaunas triumfuan 82-69 ndaj Panathinaikos, sfidë ku diferencën e bëri White, që realizoi 15 pikë.
Euroleague – Raundi i 19-të
CSKA Moskë – Bayern Mynih, 77-70
Olympiacos – Khimki Moskë, 71-57
Maccabi Tel Aviv – Barcelona, 99-83
Gran Canaria – Fenerbahce, 64-82
Anadolu Efes – Darussafaka Stamboll, 82-68
Buducnot – Real Madrid, 73-60
Zalgiris Kaunas – Panathinaikos, 82-69
Baskonia Gasteiz – Armani Milano, 80-75