Futboll Seria A Sport

Juventus-Napoli, Allegri i sigurtë: Vendimtare për ata, jo për ne

Objektivi është i qartë. Të mundë Napolin nesër mbrëma dhe të “vulosë” titullin e shtatë radhazi në Seria A. Juventusi i pret “Blues” në stadiumin “Allianz”, për ta zgjidhur udhëkryqin e “scudetto” 5 javë nga përfundimi i kampionatit.

Massimiliano Allegri, në konferencën për shtyp, do të përpiqej të pakësonte rëndësinë e përplasjes direkte: “Ne jemi mirë, tani fillojmë një minikampionat prej pesë ndeshjesh. Jemi katër pikë përpara dhe ndaj Napolit do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne, por jo vendimtare. Juventusi po bën një kampionat të rëndësishëm, edhe Napoli po bën po aq mirë”.

Situata është e ndryshme, sipas Allegrit, për ekipin e Sarrit: “Ne e dimë se do të përballemi me formacionin, që ka dhënë çdo gjë në këtë kampionat. Për ata do të jetë një lojë vendimtare. Në këtë ndeshje varet fati i sezonit për Napolin. Është e jashtëzakonshme, si kjo skuadër ka bërë hapa të mëdhenj në vitet e fundit. Napoli është bërë realitet në Itali dhe në Europë.

Ne duhet të jemi të përgatitur jo vetëm për nesër, – shtoi Allegri. – Po mendojmë për fazën finale të sezonit. Nesër është një mundësi për t’i vënë duart të titulli, por na duhet të përballemi, veç Napolit, edhe me Romën e Interin, pa harruar Milanin në finalen e Kupës së Italisë. Ky është një fund i bukur sezoni, të cilin duam ta luajmë me qetësi”.

Disa fjalë edhe për situatën në grupin bardhezi: “Dybala është mirë, unë nuk e kuptoj pse duhet të ndjehem keq. Ai ka luajtur të mërkurën ndaj Crotones dhe është i gatshëm për nesër. Pjanic është shëruar. Përveç De Sciglio dhe Sturaro, të tjerët janë të gjithë mirë. Nesër në mëngjes, kur të zgjohem, do të vendos për formacionin.

Në mbrojtje më duhet të shoh, sepse Barzagli dhe Benatia kanë luajtur 2 ndeshje. Do të shohim edhe Howedes. Sa i takon Higuain, unë besoj se nesër do të jetë vendimtar. Me “Pipita” kam bërë një shaka, duke i thënë: Shiko, nëse e humbim titullin, në Napoli të kanë përgatitur tashmë një gjysmë portreti”.

Allegri ka shumë lavdërime për kolegun Maurizio Sarri: “Ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme, duke ndryshuar çdo gjë në krahasim me Benitez. E ka vënë Hamsik të bëjë mesfushorin. Sarri ka lojtarë të mirë teknikisht dhe ka krijuar një ekip të nivelit të parë. Ne do të duhet të jemi shumë mirë në goditjet standarte, të luajmë me qartësi dhe ftohtësi…

Nëse jam xheloz, pse ju mediat flisni për “Sarrismo” dhe jo “Allegrismo”? Jo, unë jam i lumtur për Sarrin, që ka bërë kaq shumë. Personalisht, mendoj se çdo trajner duhet të marrë maksimumin e karakteristikave të lojtarëve të tij”.

Related posts

Dorëzohen para presionit/ Xhaka dhe Shaqiri kërkojnë falje për “shqiponjën” me…

Isa.Autor

ZBULOHET PRAPASKENA NGA FRANCA/ Si arriti PSG ta marr Messin, duke qenë në rregull me financat

Delo.autor

Frashëri nuk duron dhe kapet me gjyqtarin: Çuditërisht Laçi ka fat…

Sadik.Autor

Leave a Comment