Futboll

Nga Krkic tek Iniesta, kur futbolli kthehet në makth për yjet

Shumë lojtarë i fshehin problemet e tyre dhe, veçanërisht për ata që luajnë në nivele të larta, futbolli mund të kthehet në një makth. Andre Gomes dhe Per Mertesacker kanë qenë vetëm të fundit që kanë pranuar se kanë ndier presionin në karrierën e tyre si futbollistë profesionistë. Këto ndjesi mund të shfaqen në momente të rëndësishme, siç ka ndodhur me Kiko Femenia, i cili ka pasur një atak paniku në momentin e debutimit me Hercules, por këto situata mund të ndodhin edhe në jetë private larg fushës së blertë.

Bojan Krkic

Ish-ylli i Barcelona-s ka folur se arriti një pikë kur presioni u bë i papërballueshëm për të. “Mund të mendosh se ke gjithçka nën kontroll, por nuk është kështu”, ka shpjeguar ai. “Kemi luajtur kundër Francës në Malaga, unë shkova në stadium dhe gjithçka dukej mirë. Pasi pamë fushën u kthyem te dhomat e zhveshjes. Papritur pata një marrje mendsh, Iniesta ishte me mua dhe i thashë se do të më binte të fikët. U shtriva në një barelë para të gjithëve”. Ky stres i madh e detyroi sulmuesin të mos merrte pjesë në Euro 2008 me Spanjën, një kompeticion që u fitua nga “Furitë e Kuq”. “Më është dashur të marr ilaçe për të qenë më i qetë dhe më i përqendruar, kisha frikë të bëhesha pjesë e kombëtares në 2008-ën dhe se mund të më ndodhte ndonjë gjë gjatë udhëtimit”, ka pranuar ai. “Nuk mund ta përballoja presionin e Europianit, nuk është se nuk doja, thjesht nuk isha i përgatitur. Ishte e tmerrshme. Nuk mund ta kuptoni se çfarë do të thotë të ndihesh i trullosur për 24 orë në ditë, për pesë muaj. Një ditë as që e mora mundimin të dilja nga krevati”.

Jesus Navas

Edhe Navas ka kaluar probleme të tillë, por ka arritur t’i kalojë. Një atak paniku e detyroi atë që të mos luante në Kupën e Botë të 2005-ës me kombëtaren Under 20. Një situatë kjo që u përsërit edhe gjatë një turi para-sezonal me Sevilla-n. Ndjenja e madhe e turpit e bënte të ndihej në ankth gjatë gjithë kohës dhe të kishte një nostalgji të madhe për shtëpinë sa herë që lojtari i kombëtares spanjolle ishte larg familjes, veçanërisht larg vëllait. Ish-sulmuesi i krahut i Manchester City-it kërkoi ndihmë duke u këshilluar me doktorë dhe psikologë. Në fund, ai arriti t’i mposhte frikët e tij dhe ka qenë pjesë e “La Roja”-s që fitoi Kupën e Botës në 2010-ën.

Victor Valdes

Edhe Valdes ka qenë pjesë e asaj Kupe të Botës, por në 2014-ën ka përjetuar eksperiencën e tij më të dhimbshme në futboll. “Njerëzit presin që të japësh më shumë, që të jesh gjithmonë gati”, ka thënë ai. “Lamtumira ime nga Barcelona nuk ishte ajo që doja unë për shkak të trajtimit për të cilin kisha nevojë. Kështu, u tërhoqa dhe u largova. Futbolli të ndan dhe kur dëmtohesh nuk ndihesh më me vlerë”. Ka qenë pikërisht kjo betejë me dëmtimet dhe rehabilitimi që pasoi që do të kishte një ndikim të madh te ish-portieri i Barcelona-s. “Bota e futbollit të bën të ndihesh si sakat kur pëson një dëmtim”, ka thënë Valdes. “Ndjeva se nuk do të bëhesha më një portier. Nuk ishte një rrugë e lehtë dhe jam i sigurt se nuk e kam marrë plotësisht veten nga ajo situatë”.

Andres Iniesta

Iniesta ka qenë një tjetër futbollist që ka qenë një hap larg depresionit pas vdekjes së shokut të tij, Dani Jarque, të cilit ai i dedikoi golin që i dhuroi Kupën e Botës Spanjës. Në autobiografinë e tij, mesfushori i Barcelona-s ka përshkruar me detaje betejën e tij. “Papritur fillon të ndihesh keq, nuk e di arsyen, por një ditë gjërat nuk janë në rregull dhe situata nuk përmirësohet ditën pasuese. Problemi është se nuk e kupton atë që po të ndodh. Të gjitha analizat dolën në rregull, por trupi dhe mendja ime dukej se ishin shkëputur”. Spanjolli është përmirësuar që nga ajo kohë dhe ka dashur t’ia bëjë të qartë njerëzve vështirësitë që ka kaluar. “Asgjë nuk të jep më shumë ankth se të mos dish atë që po kalon, atë që po të ndodh”, ka shkruar ai. “Shqetësimi bëhet gjithnjë dhe më i madh, ndihesh keq dhe njerëzit nuk kanë asnjë ide për atë që po kalon”.

Andre Gomes

Në një intervistë për revistën “Panenka”, mesfushori portugez ka shpjeguar se ndjesia e keqe që kishte është shfaqur edhe gjatë stërvitjeve. “Edhe në stërvitje është e dukshme, ti e di se po vuan. Luajta një ditë më parë dhe përsëri nuk mund ta mbaja mend ndeshjen. Më ka ndodhur më shumë se një herë dhe situata ka qenë aq e keqe sa nuk doja të dilja nga shtëpia. Njerëzit mund të të shikojnë, ke frikë të dalësh në rrugë nga ndjenja e turpit”. Gomes ka thënë se këto probleme e kanë bërë më të vështirë për të për të komunikuar me njerëzit, edhe shokët e skuadrës. “Më ka bërë keq të menduarit shumë sepse mendoja gjatë gjithë kohës për gjëra të këqija”, ka kujtuar ai. “Nuk e lejoja veten ta nxirrja këtë të keqe jashtë vetes, të shprehesha. Nuk flisja me asnjeri, me vinte turp që ndihesha kështu”.

Fabio Coentrao

Fabio Coentrao i ka shprehur disa herë emocionet e tij në publik, veçanërisht gjatë javëve të fundit me Sporting-un. Por vështirësitë e tij mund të kenë filluar te Real Madrid. “E di se kam bërë shumë gabime, ka pasur ndeshje ku nuk kam luajtur mirë”, ka thënë ai për “Marca”. “Megjithatë, kam bërë edhe gjëra të mirë që njerëzit nuk i kanë marrë parasysh. Për këtë arsye jam ndier keq me veten dhe besimi në vete është 50% e formimit të një futbollisti”. Humbja e vendit në formacionin e madrilenëve ka ndikuar te besimi në vete i lojtarit. “Shpesh te Real Madrid pyesja veten se çfarë po më ndodhte”, ka thënë ai. “Po sikur të harroja si të luaja? Kur kalon kohën vetëm duke u stërvitur dhe duke mos luajtur, demoralizohesh. Kur u ktheva në kombëtare, u ndjeva përsëri si futbollist”.

Per Mertesacker

Një gjë e përbashkët mes futbollistëve që kanë pasur probleme psikologjike janë dëmtimet dhe lojtari veteran i Arsenal nuk bën përjashtim. Por lojtari i kombëtares gjermane ka ndier se po i ndodhte diçka gjatë Botërorit të 2006-ës, i zhvilluar nga vendi i tij. “Dëmtimet janë shpesh psikologjike dhe sa herë që unë arrija limitin kisha shuam vështirësi”, ka thënë ai në një intervistë për “Der Spiegel”. “Le të themi se trupi ndikon në humorin tënd, por trupi im ndihej i dëmtuar dhe unë nuk ndjeja më kënaqësi duke luajtur futboll. Më vjen keq që u eliminuam nga Italia, por u ndjeva i lehtësuar, e mbaj mend si të ishte dje, isha i kënaqur që gjithçka mbaroi”. Vlen të kujtohet se Mertesacker ishte një nga shtyllat e Gjermanisë së Klinsman-it në atë kohë dhe pritej që ekipi do ta fitonte trofeun. “Për shkak të pritshmërisë së madhe kam vjellë para ndeshjeve dhe kam patur diarre”, ka pranuar ai. “Dukej se trupi me diktonte se duhej të villja para çdo ndeshje. Pak para fillimit ndihesha keq”.

Jonathan Woodgate

Real Madrid priste shumë nga mbrojtësi anglez kur e mori atë nga Middlesbrough, por karriera e tij në kryeqytetin spanjoll ishte shumë e shkurtër dhe shumë zhgënjyese. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të dëmtimeve, që e kanë përndjekur Woodgate për pjesën më të madhe të karrierës së tij. “Çdo dëmtim ka ardhur shpina ime, sepse nuk ka qenë plotësisht e shëndetshme”, ka thënë ai në një intervistë për “AS”. “Kurrizi nuk më dhembte aspak, nuk ndjeja asgjë të keqe. Megjithatë, shkaktonte dëmtimet”. Kanë qenë pikërisht këto dëmtime që e kanë bërë ish-lojtarin e Tottenham të vuante edhe në aspektin psikologjik. “Ka qenë një makth”, ka deklaruar ai. “Sapo kisha nënshkruar për një nga skuadrat më të mira në botë, por nuk mund të luaja asnjë ndeshje. Ishte e tmerrshme. Sapo kthehesha, dëmtohesha përsëri. Luaja duke e ditur se do të dëmtohesha dhe ndodhte rregullisht”.

Related posts

NUK DORËZOHET JUVENTUSI/ Ëndrra është e mundur pas Ajax-“Los Blancos”, ja shënjestra për ekipin

Delo.autor

Juventus pret ardhjen e Can nga Liverpool

Q.Autor

Reus te Milan nuk është fantazi, ja pse mund të realizohet

Q.Autor

Leave a Comment