Futboll

Trajneri i Elbasanit tregon për sulmet ndaj tij “Dy herë më kanë kërcënuar me jetë”

Ajo që i ndodhi Ernest Gjokës para disa javësh dhe Migen Memellit së fundmi, është një situatë që e ka përjetuar në dy raste edhe trajneri i U-19 i Elbasanit, Arjan Kila. Prej afro 10 vitesh, Kila është trajner i të rinjve të Elbasanit dhe ka nxjerrë breza futbollistësh që aktualisht luajnë me verdheblutë, por edhe me ekipet e tjera elitare në vend.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, tekniku elbasanas flet rreth situatës së fundit që ka tronditur mbarë opinionin sportiv në vend, duke rrëfyer edhe situatat personale që ka kaluar, por asnjëherë nuk ka menduar tërheqjen. Ai e sheh problemin kryesor te prindërit dhe në fund zbulon paktin që ka bërë me vetë lojtarët, duke ia dalë që të shmangë ndërhyrjet në skuadër.

arjan kila

Brenda një muaji dy trajnerë sulmohen dhe kërcënohen me jetë. Çfarë përshtypjeje ju lë?

Këto janë gjëra që nuk duhet të mendohen dhe jo të ndodhin, është e turpshme kjo që ka ndodhur. Gjej rastin të shpreh solidaritetin tim si me Gjokën ashtu edhe me Memellin së fundmi. Më vjen keq për Memellin, pasi është një trajner i ri, një ish-futbollist që e njohim të gjithë. Nuk duhet t’i ndodhnin këto gjëra.

Ju vetë keni kaluar dy situata të tilla…

Po, është e vërtetë. Ka pasur dy raste në fakt që kanë precipituar gjërat deri në këtë pikë sa të kërcënohem.

Përse kanë ndodhur?

Po problemi janë prindërit, pasi duan medoemos që fëmija i tij të luajë. Nuk i pranojnë vendimet e trajnerit dhe arrijnë deri aty sa të kërcënojnë.

Ju është rrezikuar jeta?

Nuk bëhet fjalë vetëm për të rrezikuar jetën, por krijohet një situatë jo e mirë edhe në skuadër, në klub, në opinion. Nuk i shërbejnë futbollit këto ngjarje.

Megjithatë, ju keni vazhduar detyrën, pavarësisht se jeni kërcënuar. Keni menduar ndonjëherë tërheqjen?

Jo, nuk kam pse të tërhiqem dhe as e kam menduar. Për aq kohë sa e bëj detyrën mirë, nuk mund të mendoj tërheqjen. Nuk mund të tërhiqem për këto gjëra, absolutisht.

Keni pasur mbështetje pas këtyre rasteve?

Nuk më ka munguar mbështetja, si nga presidenti, ashtu edhe nga klubi. Pa harruar edhe vetë opinionin sportiv që më është gjendur në krah atëherë.

Po tani mbrapa keni pasur më probleme?

Jo, nuk kam pasur probleme të tilla.

Si i keni zgjidhur?

Atëherë, po ju zbuloj diçka. Kam vënë një rregull ose nëse mund ta them ndryshe, kam bërë një pakt me futbollistët. Nëse ndonjë lojtar do më fusë mik për të luajtur, do ua bëj të ditur para të gjithë ekipit, në mënyrë që të gjithë ta marrin vesh sesi qëndron situata. Zakonisht, djemtë e kësaj moshe janë me sedër dhe u vjen zor që emri i tyre të dalë para shokëve të skuadrës. Kjo gjë ka funksionuar deri më tani, për shkak të këtij pakti që kam bërë me vetë lojtarët.

A ka ndërhyrje te moshat?

Tani jemi në një vend si Shqipëria dhe ndërhyrje ka, si në çdo fushë. Por, që në momentin kur kam bërë këtë pakt me futbollistët, nuk kam pasur më ndërhyrje, edhe pse nuk i kam marrë ndonjëherë parasysh më parë.

Ku qëndron problemi që ndodhin këto ngjarje të shëmtuara me trajnerët?

Prindi, ai është problemi gjithnjë. Zakonisht një prind që dikur ka pasur ëndërr të bëhet futbollist vetë në të kaluarën, por nuk ia ka dalë dot, dëshiron që të bëjë fëmijën e tij futbollist. Por, futbollist nuk bëhesh se do prindi sepse jo të gjithë do bëhen futbollistë. Në kurse matematike ose për t’u bërë shkencëtarë shkojnë shumë nxënës, por jo të gjithë bëhen matematicienë dhe shkencëtarë.

Dakord, por prindi paguan në klub për fëmijën e tij dhe ndoshta ka të drejtë ta shohë të luajë…

Dëgjoni, ky është problemi më i madh në fakt dhe ndoshta shumë prindër nuk e kuptojnë. Një prind paguan për t’u stërvitur fëmija dhe jo për të luajtur, në fund e vendos trajneri kush do luajë. Në skuadër janë 25 lojtarë dhe vetëm 11 do luajnë në formacion, ai që ta meritojë. Si i bie pas kësaj logjike, të gjithë ata që nuk luajnë duhet të zihen me trajnerin?!

Megjithatë, ka prindër që mendojnë se fëmijës së tyre po i hahet haku, ndaj përdorin këto mënyra…

Atëherë, për fat të mirë tani ka shumë ekipe në të gjithë Shqipërinë dhe një djalë i talentuar do e gjejë vendin diku tjetër. Nëse prindi mendon se X trajner nuk e aktivizon se nuk do, por fëmija është i talentuar dhe e meriton të luajë, atëherë mund ta heqësh nga skuadra dhe e dërgon diku tjetër. Ka mënyra për t’u zgjidhur dhe jo të arrish në kërcënime. Pastaj, edhe trajneri më i paaftë në botë nuk e lë një talent në stol apo mos e aktivizojë.

Si mund të evitohen këto ngjarje?

Mendoj se këto gjëra mund t’i zgjidhë klubi, ku nuk duhet të lejojë që prindërit të jenë në ambientet sportive, në stërvitje. Në disa raste duhet të marrë masa edhe policia që të mos përsëriten këto ngjarje në të ardhmen.

Mesazhi juaj pas këtyre ngjarjeve?

Prindi duhet të kuptojë që po e sjellë fëmijën në sport për t’u edukuar, për ta larguar nga veset e këqija, nga rruga. Nuk duhet të mendojë se domosdoshmërisht do të bëhen futbollistë. Madje, disa prindër përkrahin fëmijët të lënë pas dore shkollën dhe t’i përkushtohen vetëm futbollit, gjë që nuk duhet të ndodhë, pasi shkolla ka pjesën e vet. Duke qenë se në shkollë nuk shkon mirë, sheh më pas zgjidhje vetëm futbollin dhe shkojnë deri në këtë pikë.

Related posts

ELCHE-REAL MADRID/ Pas 20 minutash lojë, Modrid zhbllokon sfidën për “Los Blancos” (VIDEO)

Delo.autor

I DHA FUND AVENTURËS TEK TIRANA/ Alesio Abibi arrin marrëveshjen me klubin Italian…

Delo.autor

BUNDESLIGA/ Bayern Munich mposhtet me përmbysje, triumfon Dortmund

Delo.autor

Leave a Comment