Futboll Kategoria e pare

Transfertë masive në Pogradec, Ultrasit e Tiranës kthehen për të mbeshtetur skuadrën

Tirana nuk do të jetë më e vetme në stadium. Ultrasit më në fund janë bërë bashkë. Një mbledhje e zhvilluar mbrëmjen e së martës është shoqëruar me një lajm të madh për bardheblutë. Të gjitha grupimet unanimisht vendosën që të hedhin pas krahëve problemet që kishin mes tyre, vetëm për të mirën e Tiranës.

Thirrjet e vazhdueshme të Ze Marias kanë gjetur më në fund përgjigje pozitive. “Fanatics&CO” do të rikthehen në stadium për të mbështetur skuadrën e zemrës dhe këtë herë pa kushte.

Duke filluar që nga kjo fundjavë, ultrasit kanë menduar që të zhvillojnë një transfertë masive. Ata do të udhëtojnë të organizuar drejt Pogradecit dhe një të tillë e njoftuan publikisht edhe në faqen zyrtare. “Në fundjavë udhë- tojmë drejt Pogradecit. Të gjithë bashkë, vetëm për ngjyrat!

Detajet e transfertës do të dalin në një njoftim të dytë”, shkruante “Tirona Fanatics”. Edhe pse me klubin vazhdon të mos ketë “paqe”, ultrasit kanë menduar që të harrojnë momentalisht divergjencat për hir të ngjyrave bardhë dhe blu. Faza e “play off”-it, e cila është përcaktuese për ngjitjet në elitë, do të rikthejë në stadium tifozët. Dhe jo ata që nuk mungojnë çdo javë në tribunën qendrore, por ata që dhurojnë spektakël në sektorin D2.

Pas më shumë se një viti, ata do të tejmbushin stadiumet, ndërsa kujtojmë që kriza mes tyre dhe drejtuesve erdhi fill pas vendimit për t’i dhënë stadiumin rivalit të përbetuar, Partizanit.

FRIKA – Frika e vetme lidhet me kartën e identitetit. A do të hasin të njëjtin problem edhe këtë jave? Dilemat janë të mëdha, megjithatë gjithçka do të mësohet këtë të diel. Nëse nuk do të kenë pengesa, mendohet që në “Gjorgji Kyçyku” të jenë minimalisht 600 ultras bardhbelu.

Por, më së miri, forca e lojtarit të 12-të pritet që të ndihet në “Selman Stërmasi”, ku Tirana do të presë Tomorin. Si kurrë më parë, të gjitha grupimet do të jenë të akomoduara në një sektor, pra, duke filluar nga “Fanatics” e për të kaluar te “Danoçat”, “West Boys” etj.

Shumëkush i ka bërë fajtorë tifozët për rënien nga kategoria, e megjithatë të tjerë ia faturuan gjithçka klubit dhe skuadrës. Në një kohë kur e shkuara nuk mund të zhbëhet, ultrasit kanë menduar që t’i hedhin pas krahëve problemet dhe t’i japin një “dorë” Tiranës për t’u rikthyer aty ku e ka vendin, në mesin e më të mirëve.

Related posts

ZBULOHET PRAPASKENA E BUJSHME/ Ja arsyeja që detyron Chelsean ta shesë Hazardin drejt “Bernabeut”

Delo.autor

BARCELONA ARRIN MARRËVESHJEN ME LAUTARON/ Transferimi është në dorë të… Kutinjos

Delo.autor

LUKAKU TAKOHET ME DREJTUESIT E INTERIT/ Projektohet shkëmbimi me Icardin, ja çështja që duhet zgjidhur

Delo.autor

Leave a Comment