Juventusi sapo ka fituar titullin e tetë radhazi dhe ylli i skuadrës këtë sezon ka qenë në mënyrë të padiskutueshme Ronaldo.
Në Shqipëri ka gjithashtu mijëra tifozë të “Zonjës” së vjetër dhe të portugezit, por jo të gjithë kanë shansin t’u vijë një fanellë e Ronaldos e autografuar pikërisht tri ditë pasi Juvja ka fituar titullin kampion. Në fakt, bluza e Ronaldos ka ardhur në Shqipëri për një tifoz special të Juventusit: Fatmir Hysenbelliun.
Ish-futbollisti i Tiranës, Partizanit dhe Teutës është një tifoz i deklaruar i rekordmenëve italianë dhe shpesh herë shkon t’i shohë ndeshjet në Torino. Sot Fatmir Hysenbelliu është gjithnjë e më shumë i impenjuar në fushën e biznesit, por nuk lë asnjëherë pas dore skuadrën e tij të zemrës, Juventusin. Sot ai ka publikuar në faqen e tij në facebook edhe fanellën me autografin e Ronaldos.
Numri 7 është special për Hysenbelliun, pasi dikur e mbante vetë në fanellë atë. Hysenbelliu e nisi karrierën me të rinjtë e Partizanit dhe më pas kaloi tek akademitë e Totenhemit dhe Fulhemit. Nga viti 2009 deri në 2011 ishte e pjesë e klubeve të Barit dhe të Xhenoas, ndërsa më pas u aktivizua në Shqipëri më Tiranën, Partizanin, Dinamon dhe Teutën. Aktualisht Hysenbelliu është kapiten i skuadrës së minifutbollit “Prestige MFC”, e cila u shpall kampione e Shqipërisë, javën që shkoi.
PANORAMASPORT