Futboll Kategoria Superiore Sport

HUMBJA E THELLË NË HUNGARI/ Trajneri Gjoka “shpërthen”: Nuk arrij të kuptoj këtë ligësi…

Kukësi humbi me një rezultat të thellë në Hungari. Edhe pse pjesën e parë e mbylli 0-0, në 45 minutat e dyta pësoi tre gola.

Kritikat nuk munguan edhe nga ana e presidentit Safet Gjici direkt pas asaj disfate kundër Debrecenit, madje u përfol edhe për një lëkundje të pozitave të trajnerit. E megjithatë është pikërisht Ernest Gjoka ai që u jep përgjigje zërave.

Tekniku analizon me detaje atë që nuk shkoi në këtë transfertë, ndërsa ngre tonet për zërat dashakeqë që e largojnë nga pankina verilindore. Shpreh keqardhje për rezultatin 0-3, por saktëson se me pak kujdes e fat, gjithçka do të shkonte ndryshe. Përgjegjësinë për gabimet i merr vetë përsipër, ndërsa mbron me fanatizëm të gjithë futbollistët.

Tashmë që jeni më i qetë dhe e keni vëzhguar ndeshjen, çfarë nuk shkoi në Hungari?

Me vjen vërtet shumë keq për humbjen në Debrecen, sepse mendoj se meritonim diçka tjetër për çka prodhuam. Por, futbolli është i pamëshirshëm dhe njeh rezultatin në fund të lojës. Mendoj që ndeshja në tërësi u interpretua nga futbollistët, sipas asaj strategjie që ne kishim vendosur. Situatat e ndryshme të lojës sonë sulmuese po të kishim arritur t’i konkludonim me gol, mendoj se do të ishte një pamje tjetër e lojës. Sigurisht që në pjesën e dytë ne pësuam tre gola dhe kjo vendosi përballjen. Gjë që s’të jep mundësinë të flasësh gjatë për një takim të mirë nga ana jonë.

ernest gjoka

U pësuan gola të evitueshëm, keni rezerva për mbrojtjen dhe portierin?

S’kam rezerva për asnjë lojtar, askush nuk do të gabojë në ndeshje të tilla. Ne donim të bënim më të mirën e mundshme. Për gabimet e skuadrës jam unë që mbaj përgjegjësi, të gjithë lojtarët u munduan të japin maksimum.

A ka një çështje “Shameti” në skuadër, pse mungoi dhe a do të kthehet në ndeshjen e radhës?

Asnjë çështje s’ka në skuadrën që unë drejtoj. Shameti nuk u mor sepse ishte me temperaturë dhe stafi mjekësor mendoi që udhëtimi i gjatë mund t’i bënte keq për shëndetin. Të gjithë e dinë që Ylli ka pasur një dëmtim që e ka mbajtur prej tre muajsh larg nga fusha e stërvitjes.

Në fazën përgatitore ai punoi me grupin, por sigurisht nën kujdesin e mjekëve. Në të dyja testet miqësore që zhvilluam me Laçin ne nuk e futëm, sepse ai kishte nevojë akoma për kohë dhe sigurisht mbas tre muajsh larg nga fusha, nuk mund të prisnim që Shametin ta kishim gati 100% për Europa Ligën.

ernest gjoka

Asnjë shkencë sportive s’e pranon, kështu që ne po kujdesemi që Shameti ta kalojë dëmtimin jo vetëm fizikisht, por më kryesorja psikologjikisht dhe gradualisht të marrë ritmin e garës.

Gjici ishte shumë i ashpër pas humbjes në Hungari, keni një koment?

Presidenti është mërzitur sepse pa në fushë skuadrën e tij që me pak kujdes dhe pak më shumë fat, ndeshja mund të kishte dhënë një rezultat ndryshe. Kjo e ka shqetësuar dhe me të drejtë.

Ju shqetësojnë zërat se nuk keni garanci për qëndrimin në stol?

Nuk e kam me ju personalisht, por me të gjithë ato që kanë shkruar në portale pas ndeshjes për lëkundjen time në stolin e Kukësit. Nuk arrij të kuptoj se çfarë është kjo ligësi, paaftësi, jo qytetari?! Si ka mundësi që ekziston kjo histeri për ta parë njeriun të copëtuar, të masakruar?! Si ka mundësi që kënaqemi dhe duam vetëm gjak, si një mjet që na kënaq kur tjetrit i bëjmë varrin për së gjalli?! Nuk arrij ta kuptoj këtë lloj kënaqësie perverse!

ernest gjoka

A besoni se mund të bëni një mrekulli në ndeshjen e kthimit?

Mendoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë dhe agresive. Unë u kam kërkuar futbollistëve të mi që të jemi të qetë dhe të qartë për çka kërkojmë në takimin e kthimit.

A keni mangësi në skuadër dhe çfarë përforcimesh keni nevojë?

Kemi nevojë për përforcime dhe së bashku me presidentin jemi duke kërkuar me qetësi lojtarët e duhur për skuadrën tonë. Duam cilësi dhe kjo po na vonon, sepse duam të godasim. Ndaj të mos të nxitohemi dhe të gabojmë, sepse nuk më pëlqejnë afrimet me “youtube”. Po bashkëpunojmë me njerëz investigues, profesionistë dhe po e studiojmë nëpërmjet “instatscout” deri në detaje çdo element të tyre.

Related posts

Kualifikim në sekondën e fundit/ FIFA surprizon: Ja lojtari më i mirë Belgjikë-Japoni

Isa.Autor

I SHËNOI INTERIT NË MIQËSORE/ Futbollisti shqiptar tregon ndjesinë e golit (VIDEO)

Delo.autor

“TOPÇINJTË” NË FESTË/ Arsenal i falet talentit, Saka me një silurë (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment