Futboll Kombëtarja Shqipëri Sport

PO IMPIANTI I RI “ARENA KOMBËTARE? Inxhinieri Dervishaj: Asnjë dëm nga tërmeti, ja sa ballë përballon

Tërmetet janë bërë tema e ditës në 48 orët e fundit në vendin tonë. Ndërkohë që aktiviteti sizmik ka qenë i lartë dhe epiqendra e tyre fare pranë kryeqytetit, shumë ndërtesa janë shfaqur të fotografuara në rrjete sociale si të plasaritura. Të tjera edhe më ekstreme me ballkone të çara deri edhe të rrëzuara, si në rastin e Fakultetit të Gjeologji Minierave.

Së fundmi, tërmeti lëkundi edhe stadiumin “Selman Stërmasi”, teksa edhe pjesë të suvatimeve janë rrëzuar. Po impianti i stadiumit të ri kombëtar? Çfarë ka ndodhur?

“Panorama Sport” ka kontaktuar inxhinierin Arben Dervishaj, i cili është edhe personi përgjegjës në FSHF referuar infrastrukturës. Profesor Dervishaj qetëson se në impiantin e ri ka një përllogaritje që në planifikim për të përballuar aktivitete sizmike thuajse dyfish më të larta.

Profesor, tema e ditës është bërë tmerri dhe frika nga tërmetet. Po në stadiumin e ri, a është vënë re ndonjë pasojë?

Nuk ka ndier gjë fare. Ai stadium është projektuar për dy herë më shumë se aq intensitet, sesa ai që ra. Për ta shpjeguar edhe më me detaje, është i projektuar për një tërmet që përllogaritet se ndodh një herë në gati 1000 vjet. Pra, më shumë se ai që ra së fundmi.

Pati tërmet pesë ballë…

Ky është i projektuar të rezistojë edhe me më shumë se nëntë ballë. Pra, ka standarde të reja për lëkundje që përllogariten të bien 1 herë në 975 vjet. Pra, jo 475, sa mund të ketë qenë si standard, por për 1 në 975 vite.

Keni bërë vëzhgime për të verifikuar shenja dhe dëmtime, qoftë edhe të lehta?

Nuk ka pësuar asnjë lloj shenje. Ky tërmet e kishte nxitimin e truallit 0.18 G në Tiranë, ndërkohë që stadiumi i ri është përllogaritur për 0.375 G. Nuk ka pasur asnjë gjë, as plasaritje suvaje dhe asgjë. Pra, normalisht, kur projektohen godinat, në rastet e një tërmeti të fortë, ne e planifikojmë që të ketë edhe ndonjë plasaritje suvatimi, por kurrsesi dëmtime strukturore. Ndërsa në këtë rast nuk ka asgjë, fare!

Janë publikuar ndërtesa të plasaritura, por edhe stadiume të plasaritura. Sa rrezik kanë?

Kërkon vëzhgim në objekt, por duhet specifikuar diçka. Me sa kam parë në rrjete sociale, raste për të cilat edhe ju flisni, nuk përbëjnë rrezik. Për t’jua sqaruar, një plasaritje e suvatimit nuk nënkupton që do të bjerë muri. Ndaj, duhet të bëhet dallimi në rastin që ka një plasaritje të suvatimit ose të murit ndarës, me plasaritjen e strukturës që nënkupton trarët, kolonat, soletat dhe muret betonarme. Në këto të fundit mund të jenë të rrezikshme.

Si mund, a po thoni që janë të rrezikshme?

E kuptoj panikun e krijuar gjerësisht nga paniku, por më lini ta specifikoj. Mundet, pasi jo çdo plasaritje është e rrezikshme. Ka prej tyre që ndodhin për shembull prej temperaturës, pra sipërfaqësore dhe pas asnjë dëm dhe rrezik në ndërtesë. Me sa po flasim edhe bashkë, një plasaritje të mureve jombajtëse, por të mureve ndarës që nuk mbajnë pesha në objekt. Pra, flasim për masat më të mëdha të atyre që janë shfaqur, por nuk mund të jem kategorik.

Mes tyre edhe në stadiumin “Selman Stërmasi” pati dëme…

Unë mendoj se nuk ka fare vend për panik. Pati dëme të lehta, me sa ndoqa, dhe pa rrezik. Tirana, me gjithë lëkundjet e fundit, për fat të mirë, reagoi mirë. Nuk besoj të ketë dëmtime në strukturë. Pastaj, po ju them edhe një shprehje të një prej profesorëve më të mëdhenj të sizmologjisë: “Po ra tërmet, edhe në momentin që e ke projektuar vetë ndërtesën, ik! Pastaj ktheu dhe shikoje”.

Related posts

MOTO GP/ Plas te Honda, Lorenzo: Favorizojnë vetëm njërin pilot…

Delo.autor

FORMULA 1/ Hamilton pranon: Nuk kam rivalë, kampionati është i mërzitshëm

Delo.autor

E PABESUESHME/ Futbollisti i njohur ndahet nga GRUAJA, MARTOHET me BURRIN e jetës (FOTO)

Isa.Autor

Leave a Comment