Futboll

Starova: Ndaj Lushnjës nuk është ndeshje kthese, kemi humbur 2 herë shansin për vendin e tretë

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, iu rikthye daljeve në konferencën për shtyp, pas pezullimit nga Komisioni i Disiplinës. Në prononcimin e sotëm, numri një i pankinës së kuqe, nuk e quajti përballjen e ditës së nesërm me Lushnjës si një sfidë kthese. Starova gjithashtu analizoi edhe problemet e finalizimit, ku në 21 javë kampionat, kryeqytetasit kanë shënuar vetëm 18 gola. Vetëm lushnjarët kanë shënuar më pak se Partizani, 15 gola.

Dy ndeshje të mira, ajo me Kukësin dhe me Skënderbeun, por që nuk u shpërblyen me rezultat. A është Lushnja “vitamina” e duhur për të bërë kthesën në kampionat?

Për të vazhduar në logjikën e pyetjes, doja të thoja, që skuadra që pas minifazës në Turqi, ka luajtur më shumë se mirë. Ka një kontradiktë mes lojës së mirë dhe pikëve të grumbulluara. Ato që në kemi i dimë. E kam thënë dhe herë të tjera, që kur bëhet analiza, na rezulton që edhe faktori i jashtëm ka ndikuar.

E rëndësishme është që skuadra po luan mirë, të vazhdojmë në këtë rrugë. Në futboll thuhet se me lojëra të mira vjen edhe rezultati. Ndeshja e radhës është shumë e rëndësishme për ne, nuk mund të themi për të bërë kthesën, por për të marrë 3 pikët e vlefshme sepse është një kampionat që pikët vlejnë.

Kemi pasur 2 herë shansin për të kaluar në vend të 3-të apo shumë afër vendit të 2-të, me 1 pikë diferencë, por nuk e kemi realizuar. Kjo nuk ka ndodhur vetëm për të metat tona, por edhe për arsye të ndryshme. Do të luftojmë deri në fund, për objektivin që kemi, pjesëmarrjen në kupat e Europës. Shpresojmë që në vazhdimësinë e lojërave të mira të vijnë dhe rezultatet.

Çështja e golit si mund të ndryshojë? Partizani, krijon shumë, godet portën, por megjithatë numri i golave mbetet problem. Si e shikon Starova, çfarë mund të ndryshojë?

Edhe Flamurtari që është në vendin e dytë, e ka këtë problem. Nuk është se e kemi vetëm ne. Mora shembull Flamurtarin, por edhe Skënderbeu i vendit të parë nuk është se po bën ndonjë goleadë. Kjo gjë ka lidhje edhe me të kaluarën. Kur sheh statistikat e golave, tregon se skuadra duhet të rritet në këtë drejtim.

Është më e kollajshme, edhe rezultate janë më të shpejta kur flitet për faktorin gola të pësuar. Për faktorin gola të shënuar, ka shumë arsye. Ne s’jemi të kënaqur praktikisht me lojtarët dhe rendimentin që kanë dhënë. Kanë mundësi të japin më shumë. Po bëjmë përpjekje që këtë lloj treguesi që është determinant ta korrigjojmë.  Me një diferencë të vogël, fitohen ndeshjet, merren pikët. Pjesës ofensive të skuadrës, i takon të bëjnë diçka më tepër, në drejtim të gjetjes së rrugës së rrjetës.

Related posts

JO VETËM SETIEN/ Revolucion total tek Barcelona, presidenti Bartomeu do shkarkojë…

Delo.autor

Botërori i shifrave të çmendura/ Spanja ekipi që do arkëtojë më shumë nëse…

Sadik.Autor

“ISHIM TË PAKRAHASUESHËM”/ Ish-sulmuesi i Juventus rrëfen: CR7-Higuain-Dybala nuk mund të na afrohen!

Delo.autor

Leave a Comment