Futboll

Takaj: Dënimi i UEFA-s, nuk ka prova, e sigurt që do jemi në Champions

Në Korçë janë tronditur, por Ardjan Takaj është “çuditërisht” i qetë. Të paktën këtë përshtypje të jep kur e telefonon. Presidenti i Skënderbeut garanton tifozët korçarë për pafajësinë e klubit, madje thekson se skuadra do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve, duke qenë se është vetëm një hap larg fitimit të titullit për këtë sezon.

takaj

Pak minuta pasi u zyrtarizua vendimi i UEFA-s, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, kreu i klubit korçar bëri të ditur se beteja e vërtetë e Skënderbeut do të jetë në KAS-in e Lozanës, madje nëse ky i fundit lë gjithçka në fuqi, atëherë çështja do të shkojë deri në Gjykatën Federale, e cila është shkalla e fundit.

Sipas presidentit bardhekuq, mbrojtja që ka përgatitur studioja ligjore zvicerane do të hedhë poshtë vendimin e UEFA-s për dënimin me 10 vite nga kompeticionet europiane. “Në këtë histori ka vetëm dyshime dhe nuk ka asgjë të provuar. Po të shikosh të gjithë precedentët e UEFA-s ndër vite, nuk ka asnjë të këtij lloji”, thotë i dëshpëruar Takaj për gazetën, duke qenë i bindur se Skënderbeu është bërë shembull për të konfirmuar kontratën milionere që UEFA ka bërë me sistemin e zbulimit “Bet Fair”.

Zoti Takaj, u konfirmua kërkesa e inspektorëve të Disiplinës për një dënim 10-vjeçar të klubit korçar dhe 1 milion euro gjobë. Praktikisht një masakrim apo jo?

Më mirë kështu. Pastaj, ne nuk kemi kërkuar ulje dënimi. Nuk jemi marrë fare me këtë pjesë. Dihej që do të merrej ky vendim sepse po ata janë. Pra, i njëjti grup gjykues dhe inspektorësh në UEFA.

Kur ju ka mbërritur vendimi i argumentuar i UEFA-s?

Shikoni, është e njëjta gjë që është publikuar në raportin e inspektorëve. Sot (dje) vetëm ka ardhur njoftimi formal për vendimin, kaq.

Në këtë situatë duket se KAS-i mbetet shansi i vetëm…?

Normalisht KAS-i i Lozanës, por edhe Gjykata Federale në Zvicër. Jemi të destinuar për ta çuar deri në fund këtë çështje, duke provuar pafajësinë në të gjitha shkallët në këtë histori pa prova.

Na jepni një arsye pse tifozët e Skënderbeut duhet të kenë besim te ju për pafajësinë e klubit në historinë e trukimeve?

Po sigurisht që ata duhet të kenë besim te ne, sepse jemi të pafajshëm si klub. Nëse do të futem të shpjegoj me argumente dhe detaje gjërat që nuk shkojnë në akuzat që na janë bërë, duhet të qëndrojmë me orë të tëra, pasi bëhet fjalë për një procedurë që do ndjekim. Këto janë pjesë e mbrojtjes që ne do të bëjmë në KAS-in e Lozanës. Gjithsesi, problemi është se në këtë histori ka vetëm dyshime dhe nuk ka asnjë gjë të provuar se kjo ka ndodhur realisht dhe fajtor është klubi i Skënderbeut. Po të shikosh të gjithë historinë e dënimeve që ka dhënë UEFA ndër vite, nuk ka asnjë të këtij lloji.

takaj

Që do të thotë?

Nëse të tjerët janë dënuar me prova dhe fakte konkrete, madje me burgime edhe nga gjykata, ne po dënohemi thjesht mbi bazën e dyshimeve. Ky është dënimi i parë i këtij lloji nga UEFA dhe sigurisht që shembull gjetën të na bëjnë ne. UEFA kërkon të fusë në lojë sistemin BFDS (Bet Fair Detection System). Meqë kanë 15 vite që nuk kanë dënuar asnjë klub përmes raporteve të këtij sistemi monitorimi bastesh, kanë thënë: “Kush është klubi më i pambrojtur dhe hajde ta sulmojmë”. Me këtë sistem UEFA nuk guxon të dënojë dikë tjetër.

Ju si president i klubit jeni të bindur se nuk ka asnjë provë konkrete apo transferta bankare dhe përgjime që implikojnë Skënderbeun dhe zyrtarët e tij?

100% i bindur. Edhe në seancën dëgjimore më 21 mars ishte e njëjta histori. Janë po të njëjtat dyshime dhe asgjë e re. Është raporti që ju keni botuar, asgjë tjetër shtesë për të provuar akuzat që na bëjnë.

takaj

Tashmë si do të veproni, do të ndiqni një procedurë të përshpejtuar në KAS apo do të zbatoni afatet ligjore?

Jo, nuk do të përshpejtojmë asgjë. Thjesht do të bëjmë ankesën dhe do të presim ditën e gjyqit. Pra, që të jemi të qartë, kemi kërkuar një procedurë normale, jo një procedurë të përshpejtuar.

Duke qenë se praktikisht jeni vetëm një hap larg titullit kampion, sa garanci keni që do të merrni pjesë në Champions për sezonin 2018-2019?

Këto janë gjëra që ne i kemi planifikuar në mbrojtjen tonë në KAS, por dashamirësit e Skënderbeut të qëndrojnë të qetë, sepse ne jemi të bindur që do të marrim pjesë në Ligën e Kampioneve.

JORGIS MEMO

vendimi skenderbeu uefa

 

Related posts

Eleminohet nga Franca, vijnë largimet e para nga Argjentina

Isa.Autor

ZBULOHET PRAPASKENA E OZIL/ “Topçinjtë” ofruan ta shiste, Juventus e refuzoi për…

Delo.autor

Ky është i madhi Zidane; U largua nga Real Madrid duke falur… miliona euro

Isa.Autor

Leave a Comment