Futboll

UEFA për përjashtimin e Skënderbeut: Dënim i lehtë, por i përshtatshëm

UEFA nuk ka publikuar ende një qëndrim zyrtar sa i përket çështjes së Skënderbeut dhe vendimit që u përhap dje në mediat shqiptare rreth përjashtimit të klubit në 10 edicione të aktiviteteve ndërkombëtare në të cilat kualifikohet.

Por nga pikat e ndryshme të dënimit, shihet qartë se si Komisioni i Disiplinës i institucionit që drejton futbollin europian, e cilëson si të lehtë dënimin e dhënë ndaj korçareve.

Ky komision shpjegon se duke bërë krahasimet me rastin e Pobedës në Maqedoni, ajo për të cilën akuzohet Skënderbeu është shumë herë më e rëndë.

Sipas zyrtarëve të UEFA-s, vendimi në fjalë është i butë, por merret mbi bazën e trajtimit fajtor “indirekt” të klubit, edhe pse beson se në fakt ka qenë ai që ka organizuar gjithçka dhe jo lojtarët.

PJESË NGA VENDIMI

“Theksohet se në rastin e Pobedës në KAS, u dha masa e përjashtimit për 8 vite nga kompeticionet e UEFA-s ‘vetëm’ për manipulimin e një ndeshje të aktiviteteve të UEFA-s, ndërsa çështja në fjalë përfshin një numër të madh ndeshjesh të manipuluara, ku përfshihen shumë të tilla në aktivitetet e UEFA-s, mes të cilave edhe katër të luajtura në të njëjtin sezon në Ligën e Kampioneve 2015-2016.

Përsëri, kjo trupë disiplinore e thekson konkluzionin e mësipërm se vetëm duke iu referuar katër ndeshjeve të aktiviteteve të UEFA-s të ‘përshkallëzuara’ nga BFDS, bën këtë çështje jashtëzakonisht të rëndë.

Sanksioni i vendosur në rastin e Pobedës, në të cilin bëhet fjalë vetëm për një ndeshje të UEFA-s, flet në mënyrë të qartë për vendosjen e një sanksioni të të njëjtit lloj.

Duke marrë në konsideratë sa më sipër, Komisioni i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës, e sheh të arsyeshme që kërkesa e bërë nga inspektorët hetimorë është në të njëjtën linjë me jurisprudencën ekzistuese në çështje të së njëjtës natyrë.

Ky sanksion mund të vlerësohet si shumë i lehtë, duke marrë në konsideratë faktin se ky organ disiplinor i UEFA-s ka bindjen se aktivitete te manipulimit të ndeshjeve janë organizuar në mënyrë direkte nga zyrtarët e klubit nëpërmjet lojtarëve në secilën prej ndeshjeve të ‘përshkallëzuara’.

Megjithatë, komisioni ka tendencën të pranojë të paktën përfshirjen indirekte të klubit dhe vetëm për këtë arsye, vlerëson se kërkesat e inspektorëve hetimorë, ndonëse të buta, janë të përshtatshme”.

Related posts

NË PRITJE TË NEYMAR DHE POGBA/ Ja transferimi rekord në merkato (FOTO)

Delo.autor

I DËMTUAR DHE ME COVID-19/ Ylli i Italisë humb Europianin me kombëtaren: Jam i zhgënjyer

Delo.autor

SUPERKUPA E SPANJËS/ Sërish probleme për Zidane, dëmtohet ylli i Realit

Delo.autor

Leave a Comment