Futboll Seria A

Faulli i Iulianos ndaj Ronaldos në Juve-Inter, flet më në fund gjyqtari

Pas 20 vjetësh heshtje televizive, Piero Ceccarini, ka gjetur më në fund fjalët për t’u shprehur. Gjyqtari italian, protagonist i çështjes më të diskutuar dhe kontroverse të historisë së futbollit italian, ndërhyrjes së Iulianos ndaj Ronaldo në ndeshjen Juventus-Inter të 26 prillit të vitit 1998, ka folur ekskluzivisht për kanalin “Premium” dhe rrëfen të vërtetën e tij. Një e vërtetë qartësisht e njëanshme, që pritet të rihapë një debat të vjetër: “Gabimi im ishte që nuk vërshëlleva faullin e brazilianit!”. Më poshtë intervista e plotë:

A ju vjen keq që do të mbaheni mend vetëm për episodin e famshëm Iuliano-Ronaldo?

Në një farë kuptimi po, sepse të identifikohem thjesht dhe vetëm me atë episod nuk është diçka që më jep kënaqësi. Edhe sepse është një jetë e tërë e një karriere si gjyqtar.

Si e vlerësoni dhe si mund ta përshkruani pas 20 vjetësh atë episod?

Mund t’ju them se ka pasur një përplasje fizike të Ronaldos ndaj Iulianos dhe jo e kundërta. Sot, pasi kanë kaluar gjithë ato vite, konfirmoj se ajo që pashë në fushë korrespondon me realitetin e fakteve, nëse duhet të flasim për një kontakt fizik. Dhe mund të them se gabimi im ishte që nuk akordova një goditje dënimi në favor të Juventusit, sepse fakti që nuk vërshëlleva bëri që njerëzit të mendonin se kisha parë faullin e Iulianos, por nuk doja ta jepja. Në fakt, unë pashë të kundërtën. Nëse do të ishte një lojë basketbolli do të ishte një faull në sulm i Ronaldos, gjë që ia thashë edhe në fushë Pagliuca-s.

Po nëse do të kishte qenë në funksion asokohe sistemi VAR a do të kishte ndryshuar gjë?

Në fakt, sistemi VAR në atë rast ka qenë dhe më habit fakti që askush nuk e mori në konsideratë ose ka bërë sikur nuk e ka kuptuar: gjatë transmetimit direkt dhe gjatë “replay”-t të episodit komentatori i atëhershëm, i ndihmuar nga Collovati dhe Chiesa, ish-gjyqtar, ka thënë se nuk ishte penallti.

Si ishte reagimi i drejtuesve të sektorit gjykimit pas atij rasti të bujshëm?

Më shumë se gjithçka tjetër, më kanë habitur pa masë protestat e pafundme të Interit. Por mbi të gjitha më vjen keq që nuk kam mundur të shpjegoj versionin tim pas ndeshjes. Nuk ishte e mundur, sepse gjyqtarët jetojnë në një kështjellë të rrethuar me mure të larta: unë kisha propozuar të organizonim një konferencë për shtyp për të folur vetëm për këtë episod nga pikëpamja teknike, pa bërë polemika apo të hynim në diskutime të tjera, por sugjerimi im nuk u mor parasysh. Në ditët pasardhëse, nga ana e drejtuesve të sektorit të gjykimit, por edhe federatës pati një heshtje varri, që në fakt më ka lënduar shumë.

Çfarë do të donit t’i thonit sot Moratti-t, Simonit dhe Ronaldos?

Dua t’i vë një kapak një herë e mirë kësaj historie, ndonëse mendoj se është e pamundur. Për mua fakti që ai episod njihet edhe sot e kësaj dite si arsyeja që Interi humbi luftën për titullin kampion është një interpretim i pavërtetë. Kam vlerësuar atë episod në mënyrën më të pastër dhe transparent. Tifozët e Interit mund të qëndrojnë të qetë, nga ana ime nuk ka pasur në asnjë çast qëllime të këqija.

Related posts

KORONAVIRUSI/ Xhaka thyen rregullat e vetëizolimit, reagon klubi

Delo.autor

Massimilisno Allegri shihet pasuesi ideal i Wengerit te Arsenali.

Q.Autor

RRËFIMI I SAMPAOLIT/ Ja sa e vështirë është ta stërvitesh Messin

Isa.Autor

Leave a Comment