Futboll Seria A Sport

Ofendoi muzikantët, kryetarja e korit “gjunjëzon” Rino Gatuzon

Pas humbjes së fundit ndaj Beneventos, Xhenaro Gatuzo pati deklaruar se kishte parë në fushë një skuadër pa zemër, e cila ngjasonte më një bandë muzikore. Nuk ka qenë e menjëhershme, por replika ndaj komentit të teknikut kuqezi nuk ka munguar. Ajo ka ardhur nëpërmjet Paola Firxherios, kryetare e bandës muzikore nga Komo, “La Cattolica”.

Zonja në fjalë, në një letër të hapur drejtuar trajnerit të Milanit, ka deklaruar: “Nuk është hera e parë që Rino përdor termin ‘bandë muzikore’ për të përshkruar mllefin dhe turpin e tij pas një paraqitjeje negative të skuadrës që drejton. Dua t’i bëj të ditur zotit Gatuzo se banda që drejtoj ka një organikë prej 55 personash ku më shumë se gjysma janë nën moshën 25 vjeç.

Përveç se muzikantë të shkëlqyer dhe të diplomuar, shumë syresh janë edhe atletë amatorë që japin një kontribut të vyer në iniciative me qëllime sociale. Secili nga anëtarët e bandës, përveç karrierës, ka edhe një jetë, të cilën e përballon denjësisht, megjithëse nuk janë të paguar me shifrat astronomike të futbollistëve që drejton Gatuzo. Lojtarët duhet të marrin vetëm shembull nga banda ime, por tani nuk më ngelet gjë tjetër veç se t’i ftoj në një nga koncertet tona, pasi të kenë asistuar në një nga provat e punës tonë sfilitëse të përditshme”.

RINO PËRGJIGJET

Pas komentit të kryetares së bandës muzikore të Komos, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Xhenaro Gatuzos. Trajneri kuqezi nëpërmjet një deklarate të shkurtër në faqen zyrtare të Milanit ka sqaruar pozicionin e tij dhe kuptimin e fjalëve të tij, të cilat nuk kanë pasur për asnjë moment qëllimin të ofendojnë ndokënd.

“Personalisht muzika më ka pëlqyer gjithmonë. Ju siguroj se nuk kisha për qëllim të ofendoja askënd e as t’i mungoja në respekt ndonjërit. Muzikantët i kam admiruar gjithmonë, por nëse për dikë kam ‘stonuar’ me ato që thashë pas humbjes në shtëpi kundër Beneventos, atëherë nuk më mbetet gjë tjetër veçse të kërkoj publikisht ndjesë”, mësohet të ketë thënë Xhenaro Gatuzo.

Related posts

PENALLTI PËR JUVENTUS/ Ja çfarë bën Ronaldo përballë portierit (VIDEO)

Delo.autor

ZYRTARE/ Real Madrid zgjedh presidentin e ri, ja kush do të jetë në krye të klubit spanjoll…

Delo.autor

DERBI MADONINËS/ Marcelo Brozovic shënon, gjyqtari e anulon. Por VAR gëzon… (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment