Futboll Sport

Çudira shqiptare: Portieri aktivizohet si sulmues dhe shënon gol në Kategorinë e Parë

Çudirat në futbollin shqiptar nuk mungojnë, p.sh portieri i Teutës, Shpëtim Moçka, ka po aq gola dhe asist sa supermilioneri i Partizanit dhe i Superiores, Edgar Çani. A ka më dështim dhe çudi se kjo? Dyshojmë, megjithatë, po mundohemi që t’iu sfidojmë. Eduasportin.com i ka hedhur një sy ndeshjes ndërmjet Naftëtarit dhe Turbinës, e mbyllur me rezultatin 3-2 në favor të vendasve. Asgjë e çuditshme, pasi Turbina ka siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë, ndërsa Naftëtari po lufton me “shpirt ndër dhëmbë” kundër Shkumbinit.

Takimi i djeshëm nuk kishte thuajse asnjë lloj rëndësie për Turbinën. Skuadra e drejtuar nga trajneri Sinan Bardhi nuk kishte kontingjentin e plotë të lojtarëve. Të sakatuar nga dëmtimet dhe kartonët e verdhë, cërrikasit udhëtuan drejt Kuçovës vetëm me 14 lojtarë. Formacioni dhe 3 zëvendësimet mund të bëheshin. Problemi për Bardhin ishte se skuadra e tij kishte dy portierë. Portieri i parë, Klevis Hasanbelli, foli me teknikun e tij duke preferuar të luajë si futbollist, ndërsa portieri i dytë u aktivizua si titullar.

Hasanbelli u aktivizua në fushën e lojës kur ekipi i tij po humbiste me rezultatin 3-1. Portieri u fut me numrin 3 në fushë dhe luajti si sulmues i parë. Në minutën e 89-të, Hasanbelli arriti të shënonte gol duke bërë sulmuesin tipik, duket se sindroma e Moçkës i ka prekur të gjithë. Pas një rrëmuje në zonë mes portierit kundërshtar, atij dhe mbrojtësit vendas, Hasanbelli e shfrytëzoi mjaft mirë mundësinë dhe dërgoi topin në rrjetë. Përfundimisht, ndeshja mbaroi me rezultatin 3-2, por e veçanta e këtij takimi ishte portieri Hasanbelli.

“Nuk kishim shumë futbollistë për shkak dëmtimesh dhe kartonësh. Fola me trajnerin dhe i kërkova të aktivizohesha si sulmues. Ai pranoi dhe unë arrita të shënoja. Ishte një ndjenjë mjaft e bukur, pasi një portieri duhet të presë, por unë u ktheva në sulmues. Ndryshim roli? Jo, jo, tani do të kthehem te porta ime. Diçka e tillë ndodhi dhe për shkak se ne kishim siguruar qëndrimin në Kategorinë e Parë”, – u shpreh Hasanbelli.  Portieri 20-vjeçar ka qenë pjesë e Kukësit sezonin e kaluar, ndërsa tani është larguar për të marrë minuta.

Related posts

“EURO 2020″/ Pas një kundërsulmi “vrastar”, sulmuesi Depay ndëshkon Maqedoninë e Veriut (VIDEO)

Delo.autor

Zidane e paralajmëron Lopeteguin: Kur je trajner i Realit, duhet të fitosh gjithçka

Isa.Autor

Spekulimet për largimin nga Atletico, Simeone merr vendimin përfundimtar

Q.Autor

Leave a Comment