Futboll Sport

Stres nga fansat, Mesi: Ja tmerri im më i madh!

Lionel Mesi i ka idetë e qarta: Argjentina nuk është ekipi më i mirë në botë, por do të shkojë në Rusi për të provuar këtë shans të artë që të dalë kampion. Kapiteni i skuadrës bardhekaltër, në një intervistë të dhënë për emisionin “Pasioni për futbollin”, tregon se mund të kishte zgjedhur Spanjën si kombëtare dhe tani do të kishte fituar ndonjë kupë bote.

Ku do ta mbyllni karrierën? Ka shanse që të riktheheni në Argjentinë?

Çdo ditë që kalon e kam më të qartë se në Europë nuk do të luaj kurrë me asnjë skuadër tjetër përveç Barcelonës. Do të jetë ekipi im i vetëm. Nuk e di sa do të zgjasë kjo ide, por këtë mendoj për momentin. Por një ekip tjetër do të jetë vetëm Njuells. Më pëlqen të luaj ndoshta 6 muaj në këtë skuadër, por nuk i dihet çfarë do të ndodhë.

Do t’ju mungojë Iniesta te Barcelona?

Nuk do të më mungojë vetëm mua, por do t’i mungojë të gjithë botës së futbollit. Më mirë që do të vazhdojë të luajë dhe mund ta shohim, por ishte ndryshe kur stërviteshim bashkë dhe rrinim përditë. Është një humbje për të gjithë ne. Do të jetë e vështirë ta zëvendësojmë.

Me çfarë idesh shkon Argjentina në këtë kampionat botëror?

I detyrohem shumë këtij grupi. Jemi duke punuar shumë mirë dhe kemi lojtarë me kualitet dhe eksperiencë. Por duhet të shkojmë në Botëror me qetësi. Nuk duhet të themi kurrë mesazhin që do të shkojmë për të qenë kampionë bote sepse jemi më të mirët. Realiteti është që nuk jemi më të mirët.

Romero do të mungojë. Ju çfarë do të bënit po të ishit trajneri?

Ishte një goditje për ne. Ai mendonte se dëmtimi nuk ishte shumë i rëndë dhe nëse lidhte gjurin mund të rikthehej në dy ose 3 javë. Por nuk ishte një vendim i lehtë i marrë nga trajneri. Nuk e di nëse duhet ta kishte pritur apo jo. Nuk më pëlqen të isha në vend të trajnerit, mbi të gjitha për atë që do të thotë Romero për grupin dhe për kombëtaren. Është një portier i shkëlqyer.

Higuain u rikthye në kombëtare. Është i motivuar për këtë kompeticion?

Është në formë shumë të mirë, ashtu si i gjithë grupi. Ai tha një të vërtetë të madhe kur u takuam: Është një mundësi e re për të gjithë ne, por jo një hakmarrje. Ai kërkon ta ndihmojë këtë skuadër, të bëjë gola dhe të dalim kampionë. E marrim në mbrojtje sepse për të ka pasur shumë kritika gjatë kësaj kohe. Vijmë nga tri finale të humbura, por morëm shumë kritika. Ato na kanë bërë më të fortë se kurrë.

E mendoni që nëse do të zgjidhnit Spanjën, mund të kishit fituar Botërorin?

Një ditë më parë po flisja me një mikun tim dhe ai më tha që mund të vendosja të luaja edhe për Spanjën dhe tani do të kisha fituar një kupë bote. Por, për mua nuk është e njëjta gjë. Mbi të gjitha për faktin se nuk e kam menduar kurrë që të luaja për Spanjën. Të dal kampion me Argjentinën është diçka unike.

Çfarë emocionesh keni kur dëgjoni himnin e Argjentinës?

Çdo lojtar e jeton në mënyrën e tij dhe e shijon në mënyrën që mundet. Ka shumë kohë që këndimi i himnit është diçka speciale për njerëzit, për mënyrën se si e këndojnë. Ne e shijojmë ashtu si gjithë të tjerët dhe më pëlqejnë njerëzit që argëtohen.

Kishit frikë se mund të qëndronit jashtë Botërorit?

Sigurisht që ekzistonte frika që mund të mbeteshim jashtë Botërorit dhe e dinim që do të shkonim në Ekuador për të luajtur si ata ose më mirë sesa ata. Pastaj ata shënuan gol dhe unë mendova: Mos, tani jemi në ferr. Nisi në mënyrën më të keqe të mundshme. Do të ishte historike nëse mbeteshim jashtë Botërorit dhe do të goditeshim të gjithë.

Keni një koment për grupin ku ndodhet Argjentina?

Kemi një grup të vështirë. Islanda është një kombëtare që në Europianin e fundit demonstroi që mund t’u hapë punë të gjitha ekipeve, me të cilat përballet. Kroacia ka një mesfushë që luan shumë mirë dhe ka një stil si Spanja, por në një nivel më të ulët. Nigeria gjithashtu na ka hapur punë gjithmonë.

Maradona mendon se ky mund të jetë Botërori juaj…

Më vjen shumë mirë sa herë që Maradona flet mirë për mua dhe për kombëtaren. Është diçka që na jep besim. E dimë kush është ai për argjentinasit. Ato që thotë janë fjalë të shenjta. Ne kemi jetuar një epokë të artë me Maradonën. Pavar- ësisht se qëndroi pak edhe si trajner i kombëtares, ishte e bukur.

E kujtoni finalen e Kupës së Amerikës në vitin 2007?

Ishte një finale shumë e bukur ajo kundër Brazilit në Kupën e Amerikës 2007. E shijova. Më vjen keq që ndodhi gjithmonë e njëjta gjë, humbje. Ne po luanim shumë mirë dhe ishim më të mirët e atij turneu, por Brazili erdhi me fat dhe goli i Baptistës në fillim na tronditi. Ishte gol spektakolar.

Çfarë raporti keni me fansat?

U jam mirënjohës njerëzve për mënyrën se si sillen me mua, edhe pse e vërteta është që ndonjëherë dua të kaloj pa bërë shumë zhurmë. Më pëlqen që kur jam me familjen, të kaloj kohën vetëm me ata dhe në normalitet. Sa herë që shkoj për të blerë diçka, nxitoj që të mos më shohin. Nëse ndalem për një person, atëherë të duhen orë të tëra që t’i takosh të gjithë. Më mirë t’i përshëndesësh me kokë dhe të largohesh i qetë në punën tënde. Më tmerron fakti kur mund të më ndalojnë të gjithë.

Po yt bir Tiago e pëlqen futbollin?

Tiago është 5 vjeç dhe ka filluar të shikojë ndeshjet e futbollit me mua. Ai më ka ndryshuar jetën. Më pëlqen të luajë futboll, por e lë të bëjë çfarë të dojë. Nuk dua t’i bëj presion për zgjedhjet që do të bëjë në jetë. Kishte një moment kur nuk i pëlqente futbolli, deri në momentin që kuptoi se kishte gabim.

Related posts

GARA 12-ORËSHE NË ABU DHABI/ Valentino Rossi në podium me një Ferrari

Delo.autor

NË PRAG TË SFIDËS “COPPA ITALIA”/ Inzaghi: Përveç duelit midis dy sulmuesve, do të jetë…

Delo.autor

Mbledhje emergjente në FSHF, Panucci rikthehet në Shqipëri për të monitoruar futbollistët e Superligës

Sadik.Autor

Leave a Comment