Futboll La Liga Sport

ANALIZA/ Paratë mbi gjithçka: La Liga po tradhton skuadrat, lojtarët dhe tifozët

Vendimi i La Liga-s për të zhvilluar një ndeshje çdo sezon në Shtetet e Bashkuara mund të thuhet se është sinjali më i qartë se pronarët e futbollit tashmë as që mundohen ta fshehin moskokëçarjen e tyre për mirëqenien e futbollistëve dhe për interesat e klubeve të vogla dhe tifozëve të tyre.

Kjo u bë mëse e qartë në një intervistë dhënë për ESPN nga Charlie Stillitano, presidenti ekzekutiv i Relevent Sports, kompanisë që ka firmosur një kontratë 15-vjeçare me La Liga-n për transferimin e ndeshjeve në territor amerikan.

I pyetur nëse Miami do të ishte vendi ku do të zhvillohej ndeshja e zgjedhur nga kampionati spanjoll, dhe a do të ishin Real Madridi apo Barcelona të përfshirë, amerikani shpjegoi: “Natyrisht ne duam të kemi një skuadër të famshme, pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për 2 apo 3 vite më vonë, por mendoj se është thelbësore të kemi në Amerikë një skuadër kreu. Të gjithë e njohin Barcelona-n apo Real-in, por njerëzit njohin edhe ekipe si Atletico Madrid, Sevilla, Valencia”.

Me pak fjalë, Relevent Sports apo La Liga nuk e vrasin mendjen për ekipet e tjera, thjesht duan të çojnë në Amerikë një emër që mbush stadiumin dhe afron sponsorët. Nga ana tjetër, flitet që sfida Betis-Barcelona do të luhet në Florida dhe në këtë mënyrë mijëra tifozë do ta shohin në televizion, në një kohë që Betis ka rreth 50.000 tifozë të abonuar dhe asnjëri prej tyre nuk është lajmëruar që ndoshta këtë sezon nuk do kenë mundësi ta shohin Barcelona-n në stadiumin Benito Villamarin. Jo vetëm kaq, sepse edhe në aspektin sportiv Betis-i humbet shumë, duke mos luajtur në fushën e vet një ndër ndeshjet më të vështira të sezonit.

Thuhet se Betis-i do të përfitojë financiarisht, por të gjithë e kanë të qartë që në këtë histori asnjë klub nuk do përfitojë sa Barcelona dhe Real Madridi.

Stillitano, gjithsesi, këmbëngul se kjo histori nuk lidhet me përfitimet financiare, të paktën jo për momentin: “Në këtë moment nuk është një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes. Ne kemi të drejtat televizive, të drejtat e sponsorizimit, po bëjmë shumë gjëra për ligën në një periudhë 15-vjeçare dhe duam të ndërtojmë një markë që do të prodhojë më shumë të ardhura për ligën. Ndeshjet e para do të jenë më shumë një tentativë për të reklamuar kampionatin, sesa për të përfituar ekonomikisht”.

Edhe presidenti i La Liga-s, Javier Tebas, e ka pranuar se kjo iniciativë nuk ka lidhje me arkëtimet, por me shansin për të hapur tregje të rinj: “Është e rëndësishme ta zhvillojmë markën tonë. Nëse NBA dhe NFL luajnë ndeshje jashtë vendit, pse mos ta bëjë edhe La Liga?”.

Me pak fjalë, nëse NBA dhe NFL transferojnë klube nga një qytet në tjetrin vetëm për të përfituar financiarisht, pse mos ta bëjë edhe La Liga? Do ishte biznes i mirë, në fund të fundit.

La Liga dhe Relevent Sports nuk i kanë harruar tifozët dhe premtojnë kompensim, por nuk e kanë idenë si: “Me shumë gjasa ndeshjen në Amerikë do merren nga stadiume me kapacitet të vogël. Do të gjejmë mënyra për të kompensuar tifozët, por nuk kemi vendosur ende. Përveç kësaj, do të kërkojmë ndeshje ku lojtarët do të kenë mundësi të pushojnë javën pasardhëse, pa ndeshje kupash. Do të mundohemi t’i respektojmë futbollistët”.

Respekt për lojtarët? Ndoshta mënyra më e mirë do ishte të pyeteshin a duan të luajnë në Amerikë, para se të merrej një vendim pa konsultim, që ka çuar te kërcënimi me grevë nga Shoqata e Futbollistëve.

Për fat të keq, ky është futbolli modern dhe herët a vonë të gjithë do të prekemi nga këto ndryshime, për mirë apo për keq.

Related posts

“MË TË MIRËT NË BOTË”/ Ish-mesfushori i Gjermanisë “pagëzon” Bonuchin dhe Chiellinin (FOTO)

Delo.autor

JO VETËM RONALDO/ NEDVED sheh shpresë edhe tek dy SUPER LOJTARËT e tjerë

Isa.Autor

PREDHA NGA DISTANCA/ Ronaldo nxiton, me 105 kilometra në orë drejt titullit kampion

Delo.autor

Leave a Comment