Futboll Sport

Rikthehet Superliga/ Skënderbeu-Partizani, sfida e zjarrtë që në nisje

Orët kanë nisur të numërohen mbrapsht! Të premten e 17 gushtit, në Korçë, shtëpinë e kampionëve të sezonit të shkuar, do të nisë kampionati i 80-të kombëtar i futbollit në Shqipëri. Skënderbeu do të presë Partizanin në ndeshjen e parë të javës së parë të kampionatit elitar të futbollit në vend. Vendasit e kanë nisur këtë sezon me një trofe, duke fituar Superkupën ndaj Laçit, pak ditë më parë. Partizani, nga ana tjetër, vjen pas një aventure të shkurtër në Ligën e Europës, të cilën e siguroi pikërisht falë lënies në fuqi nga CAS të dënimit për Skënderbeun.

Por ndryshe nga sezonet e fundit, Partizani për herë të parë këtë sezon do ta nisë kampionatin me një trajner shqiptar. Ai është një ish i kuq, pikërisht Skënder Gega, i cili ka pasur kohën e nevojshme gjatë muajve të verës për të përgatitur skuadrën për sezonin e ri. Merkato ka qenë e kënaqshme, ndonëse pritet ende të ketë afrime. Ndërkohë, te Skënderbeu është bërë revolucion, pasi UEFA dhe CAS vendosën të dënojnë skuadrën më të mirë shqiptare në vitet e fundit, duke e pezulluar me 10 vite mospjesëmarrje në Kupat e Europës.

Largimi i trajneri Ilir Daja u pasua dhe nga “eksodi” i disa senatorëve. Besniku më i rëndësishëm mbeti ish-portieri Orges Shehi, që tashmë është graduar trajner. Ai do të drejtojë ish-shokët e skuadrës si dhe një grup lojtarësh të rinj, të ardhur nga akademia, por edhe të rikthyer nga huazimet. Tashmë Skënderbeu ka të vetmin objektiv kampionatin dhe ndeshja ndaj Partizanit do të tregojë realisht shumë sa i përket motivit, kualitetit dhe pjekurisë të kësaj skuadre.

Më 17 gusht nis një rrugëtim tjetër i gjatë dhe emocionues, një kampionat që do të ketë disa risi që në fillimin e tij. Me shumë interes pritet të testohen masat e reja të sigurisë, të miratuara në Ligjin e ri për Sportin dhe konfirmuara nga FSHF-ja, ku për herë të parë në stadiumet tona nuk do të ketë më policë në tribuna, pasi siguria do të garantohet nga shoqëritë private të sigurisë. Do të pritet me interes të shihet se çfarë do të ndodhë me arbitrimin, një prej problemeve më evidente të kampionatit të kaluar.

Do të pritet me interes rikthimi i derbit më të famshëm shqiptar, Tirana-Partizani. Do të pritet me kureshtje të shihet nëse tifozët do të rikthehen në stadiume. Ndeshja hapëse do të jetë shumë e rëndësishme për të kuptuar në njëfarë mënyre se si do të jetë kampionati i 80-të kombëtar i futbollit elitar në Shqipëri.

 

Related posts

Portieri i Serbisë kundërpërgjigjet pas shqiponjës, ja gjesti që bën në ndeshjen me Brazilin (FOTO)

Isa.Autor

RONALDINHO NUK E KA HUMBUR MAGJINË/ Shënon tripletë në futboll plazhi (FOTO)

Delo.autor

KUKËSI-SKËNDERBEU/ Trajneri Duro kërkon vazhdimësinë e fitoreve (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

Leave a Comment