Futboll Sport

SUPERLIGA/ Kryeqyteti pret “derbin e vogël”, Kastrioti debuton në Gjirokastër

Kategoria Superiore ngriti siparin dje me supertakimin Skënderbeu-Partizani, që u fitua me rezultatin minimal 1-0 nga korçarët, përtej atij momenti të errët që u regjistrua në minutën e 70′, me përplasjen e dhunshme mes tifozërive.

Vlen të përmendet se Supersport, ashtu siç ka premtuar, ofroi dje një transmetim spektakolar, të filluar rreth dy orë para takimit dhe të mbyllur më tepër se një orë pas ndeshjes, bashkë me prononcimet e trajnerëve dhe protagonistëve të takimit.

Gjatë ditës së sotme Kategoria Superiore do të vijë me dy takime të tjera, duke filluar nga ora 16:45 me sfidën e Gjirokastrës, mes Luftëtarit dhe debutuesve krutanë, Kastriotit.

Me mjaft interes pritet të shikohet gjendja dhe performanca e gjirokastritëve, tashmë që janë pa Likën si trajner dhe pa dy yjet e sezonit të kaluar, Bregu dhe Abazaj, të cilët janë larguar gjatë merkatos verore.

Nga ana tjetër, krutanët e drejtuar nga shkodrani Elvis Plori, vijnë si debutues dhe kanë në përbërje shumë lojtarë të rinj, por do të kërkojnë të befasojnë vendasit që në start, për të fituar besim për vijimësinë, ku synojnë të sigurojnë mbijetesën.

Në orën 19:45 vëmendja do të spostohet në Tiranë, ku bardheblutë do të presin Kamzën në stadiumin “Selman Stërmasi”, në atë që quhet edhe derbi i vogël i kryeqytetit.

Tirana rikthehet në Superiore pas një sezoni mungesë, por ndryshe nga Kastrioti, nuk ka ardhur me idenë për të siguruar mbijetesën, por për të arritur të paktën Europën.

Nën drejtimin e brazilianit Ze Maria dhe me një merkato cilësore, bardheblutë nuk i kanë fshehur pretendimet e tyre, teksa do të kërkojnë ta nisin sezonin në mënyrën e duhur, me tre pikët në derbi.

Nga ana tjetër, Kamza ka ndryshuar shumë në krahasim me sezonin e kaluar, po vijon të ketë një organikë të kompletuar me futbollistë me eksperiencë dhe të rinj të talentuar, të drejtuar nga trajneri Bledar Devolli.

Edhe këtë herë synimi i kamzalinjve është të sigurojnë mbijetesën në Superiore, që sezonin e kaluar rezultoi të ishte vërtetë një mision i vështirë, i kompletuar vetëm në “frymën e fundit”.

Related posts

CHAMPIONS/ Përfundojnë pjesët e para, Atletico Madrid “frikëson” Liverpool. Dortmundi dhe PSG…

F.autor

VLLAZNIA-TEUTA/ Shiten biletat për super sfidën në “Loro Boriçi”, por ka protestë për çmimet

Delo.autor

PAS NJË NDËRHYRJE TË PARREGULLT/ Aubameyang dyfishon nga pika e bardhë (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment