Futboll Premier League Sport

PO SHKËLQEJNË/ Roli i portierit, dhe historia e rrallë e dyshes Oblak-Ederson

Në kohët e futbollit modern portieri është shndërruar në pikë kyçe për çdo skuadër, pasi nëse dëshiron të arrish te suksesi gjithçka fillon nga porta. Nëse ke mes shtyllave ke një portier që të eviton tre apo katër gola të sigurtë për ndeshje, atëherë edhe trajnerët e kanë më të lehtë t’i orientojnë skuadrat e tyre drejt sulmit. Jo më kot verën e kaluar portierët ishin një temë e nxehtë e merkatos së transferimeve. Liverpooli, Chelsea, Reali i Madridit, Juventusi, Paris Saint Germain ishin disa na klubet e mëdha që blenë portierë në këtë merkato. The Reds shpenzuan plot 72 milionë euro për të nënshkruar me brazilianin Allison nga Roma duke vendosur një rekord të ri në tregun e transferimeve të futbollistëve përsa i përket blerjes së një portieri, rekord që u thye pak javë më vonë nga Chelsea i Abramovic që pasi humbi belgun Courtois i cili u transferua te Reali i Madridit, shpenzoi shifrën e çmendur prej 80 milionë eurosh për të firmosur me talentin spanjoll Kepa Arizabalaga nga Bilbao.

Portierët ishin padiskutim protagonistët e vërtetë të verës që lamë edhe për faktin se rekordi i transferimit më të shtrenjtë u thye dy herë brenda një merkatoje nga dy klubet e mëdha të Premier League Liverpool dhe Chelsea. Te 10-shja e portierëve më të mirë në botë sot bëjnë pjesë edhe Jan Oblak e Ederson, gardiani i Atleticos së Madridit dhe braziliani i Manchester City-it, por a dini që dikur ata ishin rivalë për një vend në formacion. Mund të duket e pabesushme por është një histori e vërtetë dhe klubi ku ata luanin është një skuadër e vogël në Portugali që pak e njohin, bëhet fjalë për modestët e Rio Aves që mund të konsiderohen pa frikë si klubi që di të zbulojë portierët e talentuar.

Mes tyre, dy, dikur ishin rivalë për një vend në formacion në një klub të vogël në Portugali.Në sezonin 2012-2013, Rio Ave kishte një 18-vjeçar të quajtur Ederson në radhët e veta, plus një 19-vjeçar të quajtur Jan Oblak…Kush është Rio Ave? Dhe si ka mundësi që në skuadër kaq modeste kishte arritur që të kishte në gjirin e saj dy prej pesë portierëve më të mirë të botës në këto momente? Një falenderim të madh për këtë, Rio Ave duhet t’ia bëjë Benficas dhe zbuluesëve të mrekullueshëm të talenteve që klubi i madh portugez ka pasur këto dhjetë vitet e fundit.Sezon pas sezoni, objektivi i Rio Aves ishte që të qendronte në kategorinë e parë portugeze, ndërsa Benfica, Sporting dhe Porto lufonin për titullin kampion. Sezonin e kaluar, ata siguruan vendin e pestë në kampionat, vetëm hera e dytë në historinë e klubit që e bënin këtë. Madje patën edhe një mundësi që të luanin në Europa League, por u eliminuan muajin e kaluar kundër polakëve të Jagiellonia.Por pavarësisht zhgënjimit, ata kanë arritur shumë, pavarësisht se kanë një stadium për vetëm 13 000 tifozë. Gjashtë vjet më parë ata ishin modeli për t’u ndjekur për sa i përket zhvillimit të klubit. Qendronin vazhdimisht në dhjetë vendet e para, ndihmuar sigurisht edhe nga përfshirja mes shtyllave e Jan Oblak. Atë vit gjithashtu arritën deri në gjysmëfinalen e Kupës së Portugalisë.

Oblak ishte dhënë në huazim nga Benfica, por arriti të ruante të paprekur gjashtë herë portën e tij dhe në total pësoi 40 gola në 28 ndeshje. Menjëherë, Benfica e mori mbrapsht sllovenin dhe e vendosi titullar në portë, para se ta “përlante” Atletico kur pa që pësoi vetëm 2 gola në 16 ndeshje.Fundi i aventurës së shkurtër të Oblak te Rio Ave ishte mundësia e zëvendësuesit të tij, Ederson, që të dilte në dritë. Por nuk do të ishte kjo hera e vetme që braziliani do të përfitonte nga largimi i Oblak. Dy sezone më vonë, pasi kishte ndihmuar Rio Aven të arrinte deri në finalen e Kupës së Portugalisë, Ederson do të zëvendësonte për herë të dytë sllovenin.Benfica e vuri në shënjestër menjëherë sapo shiti Oblak tek Atletico Madrid në vitin 2014 dhe arriti ta blinte për vetëm 500 mijë euro. Për katër vjet, vlera e tij shkoi në 50 milionë euro. Ky po që është hiperinflacion! Deri pak javë më parë, Ederson ishte portieri më i shtrenjtë në botë, ndërsa klauzola që Atletico ka vendosur në kontratën e Oblak është 100 milionë euro. Ditët e kaluara te Rio Ave tashmë janë lënë pas, por klubi verior mund të krenohet që ka pasur në radhët e veta dy superportierë që çdo skuadër e Europës do të donte t’i kishte.

Related posts

Q.Autor

E PABESUESHME/ Sulmuesi Sadiku humb rastin e artë për shënim, trajneri vendos duart në kokë (VIDEO)

Delo.autor

E BUJSHME/ Presidenti i Napolit “fërkon duart”, kërkon 100 milion euro për Fabian Ruiz

Delo.autor

Leave a Comment