Futboll La Liga Sport

“DRAMA E CAMP NOU”/ XAVI tregon pengun e vitit 2010: E pabesueshme si na eliminoi INTERI

Në prag të sfidës në Champions League, mes Barcelonës e Interit, ish-kapiteni blaugrana Xavi ka dhënë një intervistë për Corriere dello Sport, ku ndër të tjera ka folur për sfidën e sotme dhe për precedentin historik të vitit 2010.

“I mbaj mend mirë ato dy ndeshje. Në vajtje, në San Siro, në pjesën e parë ishim superiorë dhe kaluam në avantazh, por arbitri Benquerença nuk na ndihmoi shumë dhe Interi fitoi terren. U treguan të zotë duke ushtruar presion në mesfushën tonë dhe rrëmbyen disa topa në zona të rrezikshme, por disa vendime të arbitrit ishin të çuditshme. Në ndeshjen e kthimit zotëruam ndeshjen dhe kërkuam pa reshtur fitoren, por remuntada nuk u realizua, sepse Eto’o luante në mënyrë perfekte si mbrojtës krahu, Milito ishte i mrekullueshëm dhe gjithë zikaltrit u sakrifikuan. Dominuam, por u eliminuam dhe ishte diçka shumë e dhimbshme, edhe tani që e kujtoj. Loja e Mourinho-s? Mua më pëlqen një tjetër lloj futbolli, nuk është kritikë ndaj tij, por nuk zbavitem duke luajtur në atë mënyrë”.

Xavi tashmë mendon si trajner: “Po, po luaj sezonin tim të fundit në Katar dhe ndërkohë mendoj si trajner, duke marrë edhe licencën e trajnerit. Unë Guardiola i ri? Nuk e di, por njerëzit e teprojnë, thonë shumë gjëra absurde, duke shkuar deri aty sa të thonë që do marr drejtimin e Barcelonës”.

Guardiola por jo vetëm ai si model: “Pep është një mik dhe trajner i madh, i cili ka pasur ndikim të madh tek unë. Megjithatë, edhe Italia ka trajnerë të mëdhenj dhe nuk jeni keq. E kam fjalën për Sarrin, për shembull. E kam studiuar futbollin e tij dhe më pëlqen shumë, dëshiron ta ketë gjithnjë zotërimin e topit, duke dominuar lojën. Ndoshta do të fitojë trofe në Londër, sepse e meriton për mënyrën si punon”.

Pep në Itali? “Nëse ka thënë që ka dëshirë të provojë Serinë A, të jeni të sigurt që herët a vonë do të vijë. Duke e njohur, nuk do vijë thjesht për të marrë pjesë”.

Një parashikim për Barça-Inter sot: “E pres si në vitin 2010, Barça në sulm dhe Interi në kundërsulm. Nuk do jetë e lehtë për Interin, sepse në Camp Nou është e vështirë të marrësh pikë duke menduar vetëm për mbrojtjen. Megjithatë, do të mungojë Messi dhe bëhet fjalë për lojtarin e vetëm të aftë të bëjë diferencën i vetëm dhe në çdo moment. Ai është më i mirë se Cristiano Ronaldo, më i miri në histori”.

Ronaldo? “Ai nuk ishte i lidhur me Realin si është Messi me Barcelonën. Ka zgjedhur Juventusin për të vazhduar të fitojë në Europë, por për mua favoritët mbeten Barcellona, Manchester City e Real Madrid”.

Related posts

EKSKLUZIVE/ Ish mbrojtësi i Tiranës rrëfehet për “aventurën” e re në Maqedoni dhe synimet për të ardhmen (INTERVISTA)

Delo.autor

I GJETËN ILAÇIN/ Mori GJOBË REKORD nga BARÇA, Dembele paraqitet në stërvitje një…

Isa.Autor

MILAN ZBARKON NË KOSOVË/ Prishtina nën brohoritjet e tifozëve “Kuqezinjve” (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment