Futboll Seria A Sport

“EFEKTI ANCELOTTI”/ Mposht Udinesen, Napoli nis gjurmimin e Juves në krye

Napoli ka mposhtur me rezultatin 3-0 Udinesen, në shtëpinë e kësaj të fundit, duke shfrytëzuar maksimalisht ndalesën e Juventus ndaj Genoa, dhe minimizuar në vetëm 4 pikë diferencën nga vendi i parë. Skuadra e drejtuar nga Ancelotti ka materializuar superioritetin që në minutën e 14’ kur ka kaluar në avantazh me të porsa aktivizuarin Ruiz, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës, Mertens dhe Rog kanë thelluar epërsinë e miqve. Në fund të javës së 9-të, Napoli renditet në vend të dytë të klasifikimit, në kuotën e 21 pikëve, katër më pak se Juventus i vendit të parë dhe 5 pikë epërsi ndaj Inter të vendit të tretë, që të dielën do të diskutojë derbin e Milanos.

Friulanët, që vinin në këtë përballje pas tre humbje radhazi, mirëpritën ekipin partenope, që ka udhëtuar me dëshirën dhe synimin e madh për të minimizuar distancën me Juventusin kryesues, të ndalur pak orë më parë në barazim 1-1 nga Genoa. Trajneri i Udinese, Velazquez ka konfirmuar 10 futbollistë nga formacioni i aktivizuar një javë më parë ndaj Juventus, me Pussetto në vend të Barak, risia e vetme. Ndërkohë ka ndryshuar modulin, duke u rreshtuar prapa me tre. Nga ana tjetër, trajneri i Napolit, Ancelotti vijon rotacionin, duke i besuar Karnezis, Allan dhe Zielinski. Insigne jashtë fushe, ndërsa në sulm Milik mbështetet nga treshja Callejon-Mertens-Verdi.

Udinese rritet me kalimin e minutave. Nga ana tjetër, Verdi dëmtohet qënë aksionin e parë, ndërsa Ancelotti peshkon njeriun e duhur, Ruiz. Ky i fundit, i porsa futur pasi i rrëmben topin Fofana dhe i shmanget Behramit, nis një të djathtë fantastike që përfundon në trekëndësh, për të kaluar Scuffet dhe shënuar avantazhin e Napolit në të 14’. Udinese i afrohet barazimit me Lasagna dhe Pussetto, por pa rezultat. Milik rrezikon kartonin e kuq pas një ndërhyrje ndaj de Paul, por falë konfirmimit të VAR, ndëshkohet me të verdhë.

Udinese ka të gjitha shanset të barazojë rezultatin në të 57’ kur Nuytinck kroson ulët nga e majta, por Karnezis ndërhyn përpara goditjes nga ana e sulmuesit të Udinese Lasagna. Dhjetë minuta më pas, në të 67’ është Napoli që mund të dyfishojë shifrat, por fati kësaj here është me vendasit. Mertens shkon në të majtë kroson në zonë, por pa gjetur asnjë prej shokëve, të tij, aty ku Samir godet topin që shkon në shtyllë, duke rrezikuar autogolin. Gjithsesi do të ishte sërish Mertens protagonist në të 81’ kur ka thelluar avantazhin në favor të Napolit, 0-2, pasi ka shndërruar në gol një 11-metërsh të dhënë për prekje të topit me dorë në zonë. Me më pak se 10 minuta nga përfundimi kohës së rregullt, bardhezinjtë nuk kanë jo vetëm kohën, por as fuqinë për të reaguar. Përkundrazi, ishin sërish miqtë, që në të 86’ kanë trefishuar me Rog, më pak se 1 minutë nga hyrja e tij në fushë, pas një aksioni perfekt individual të tij, që në momentin e fundit është asistuar edhe nga Mertens, para se të lëshonte silurën në të hyrë të zonës, 0-3.

Related posts

EMOCIONUESE/ DYBALA i lutet me SHPIRTË idhullit të tij MESSIT për rikthim tek…

Isa.Autor

Sandro dëshpëron skuadrat angleze

Q.Autor

Real Madrid po bën gati transfertën e bujshme të verës, bëhet fjalë për …

Q.Autor

Leave a Comment