Futboll Seria A Sport

JUVETUSI FAVORIT PËR CHAMPIONS/ Ja pse formacioni i Alegrit bind për të fituar trofeun

Ka luajtur deri tani 3 ndeshje në fazën e grupeve dhe ka marrë 3 fitore. Ka udhëtuar në “Mestaja” dhe në “Old Traford” dhe në këto ndeshje ka treguar një nivel të kënaqshëm, madje më shumë se të mirë. Juventusi, që Murinjo e quajti të një tjetër niveli, është duke bërë gjithçka për të fituar trofeun e rëndësishëm ndërkombëtar. Në Torino kanë bërë një skuadër për të ëndërruar. Më shumë besim se kurrë te “Zonja e Vjetër” se ky mund të jetë viti i tyre. Pa asnjë dyshim, formacioni i Masimiliano Alegrit na ka dhënë disa arsye të forta deri tani pse mund të dalë fitues nga finalja e këtij viti që do të luhet në “Vanda Metropolitano”. Ja ku janë disa prej tyre.

 

 

 

MBROJTJE E HEKURT

Deri tani, bardhezinjtë kanë luajtur 3 ndeshje në Champions dhe nuk kanë pësuar gol. Shezni vazhdon të jetë i pathyeshëm në Ligën e Kampionëve dhe një meritë të madhe për këtë kanë “truprojat” e tij që qëndrojnë përpara. Xhorxho Kielini, i cili është një nga mbrojtësit më të mirë në botë. Vazhdon të luajë në nivele të larta prej vitesh, me personalitet dhe i aftë për të përballuar çdo situatë të vështirë. Është shpirti i këtij ekipi. Bashkë me Kielinin është rikthyer edhe Bonuçi. Një mbrojtës që di të përdorë shumë mirë topin dhe kur luan përkrah Kielinit bëhet akoma më i fortë. Pa folur shumë, mjafton të kujtojmë që kanë ndalur sulmuesin Rodrigo të Valencias dhe Lukakun e Junajtid. Pa harruar që në stol ka lojtarë si Barzalji apo Benatia.

KRAHU NË SULM

Në shumë pak skuadra në Europë, Zhoao Kanselo dhe Aleks Sandro nuk do të ishin titullarë të paprekshëm. Ish-mbrojtësi i Valencias sigurisht që ka shumë për t’u përmirësuar në aspektin defensiv, por në sulm është një vlerë e shtuar. Të ketë dy qendërmbrojtës të fortë e lejon që të shohë më shumë përpara dhe është një nga lojtarët më të rrezikshëm të formacionit torinez. Nga e majta është Aleks Sandro, i cili ndihet si në parajsë kur ka përpara Kristiano Ronaldon. Edhe pse është më i disiplinuar taktikisht, është i aftë për të ndihmuar ekipin në sulm.

MESFUSHË DOMINUESE

Miralem Pjaniç është “bërthama” e Juventusit. Pasimet e tij komandojnë një ekip, i cili është i aftë të dominojë edhe qarkullimin e topit. Por boshnjaku është gjithashtu një shkatërrues i mirë. Një mesfushor si ai është shoku më i mirë për çdo sulmues. Përveç ballkanasit, Matuidi është rikthyer në nivelin më të mirë. Pasi ishte protagonist në Botëror me Francën, tani është një “tullë” e fortë në themelet e Juventusit. Po ashtu si Emre Xhan që ka sjellë kualitet, Khedira që është i preferuari i Alegrit, Bentankur që po përmirësohet nga ndeshja në ndeshje dhe Kuadrado që shkon lehtësisht në zonën kundërshtare.

RONALDO, LUKS

Portugezi i ka dhënë një tjetër forcë Juventusit në sulm. Është e vërtetë që në disa faza të lojës nuk merr pjesë, por ai është një vrasës në zonën kundërshtare. Në “Old Traford” u desh një pritje spektakolare e De Geas për t’i mohuar golin. Për më tepër goli i fitores erdhi nga një aksion i portugezit. Kristiano Ronaldo është një siguri për shokët e skuadrës, ashtu si Mario Manxukiç.

SULM DINAMIK

Përveç tyre, që janë senatorë të këtij reparti dhe liderë të skuadrës, në kampin bardhezi ka edhe lojtarë të tjerë si Paulo Dibala, Bernardeski apo i riu Kin që mund të ndryshojnë fatet e një ndeshjeje nga momenti në moment. I dyti konsiderohet si një nga talentet më të mëdhenj të futbollit italian dhe me Ronaldon përkrah e ka përmirësuar ndjeshëm shënjestrën drejt portës kundërshtare. Paulo Dibala gjithashtu po bëhet udhëheqës i këtij formacioni.

GARANCI

Me shumë mundësi, Juventusi këtë sezon ka një nga organikat më potente të Europës. Pa shkuar më larg, mjafton të shohim ndeshjen ndaj Junajtid për të kuptuar që Alegri solli nga stoli Bernardeskin, Barzaljin dhe Duglas Kostën. Pa harruar që jashtë grumbullimit mbetën lojtarë si Manxukiç, Xhan dhe Khedira për arsye dëmtimi.

LAVDI

Juventusi e ka lënë mënjanë eliminimin në çerekfinalet e Champions-it të kaluar kundër Realit të Madridit. Në vitet e fundit ka shkuar dy herë në finale. Italianët në fakt u dorëzuan përballë Realit të Madridit dhe Barcelonës. Pasi dështuan disa vite më parë duke mos kaluar dot fazën e grupeve, tani formacioni bardhezi kërkon lavdinë në Champions. Në Itali nuk kanë rivalë dhe kanë disa vite radhazi që kanë fituar titullin. Ndoshta ky është sezoni i duhur për të fituar këtë trofe të shumëdëshiruar në Torino. Formacioni i Alegrit tani ka eksperiencën e duhur për të shkuar në finale dhe për ta fituar trofeun. Në Kardif i iku nga duart, por kjo skuadër është shumë herë më e fortë, ka më shumë alternativa dhe është më e pjekur. Rrugëtimi është i gjatë, por ata e kanë nisur shumë mirë.

Related posts

GAFË E PAFALSHME/ Rei Manaj shënon në portën e tij. Shikoni autogolin e sulmuesit të Kombëtares… (VIDEO)

Delo.autor

ZYRTARE/ Pikët sa të Juventusit nuk mjaftojnë, klubi i Serisë A shkarkon trajnerin

Delo.autor

Befasuese/ Venezia arrin akordin me trajnerin e Interit

Sadik.Autor

Leave a Comment