Bundesliga Futboll Sport

KOVAC NË KAOS/ “Pleq” që bëjnë ligjin, tetë arsye të krizës te Bajerni

Një tjetër goditje për bavarezët ishte edhe barazimi ndaj Ajaksit në shtëpi. Një rezultat që mund të kishte qenë edhe më i keq nëse holandezët do kishin shënuar në fund me Shëne. Pas barazimit ndaj Augsburgut dhe humbjes me Hertën vjen një tjetër rezultat zhgënjyes në Champions. Hera e fundit që bavarezët e nisin kështu kampionatin ka qenë nën drejtimin e Ançelotit, që më pas u shkarkua nga pankina për t’i lënë vendin Jup Hejnkesit. Po ku çalon loja e skuadrës gjermane dhe cilët janë shkaktarët që çuan në këtë situatë skuadrën, “Sky” ka bërë një analizë të hollësishme.

Reparti defensiv ishte pothuajse inekzistent ndaj lojtarëve të rinj të Ajaksit që kanë një mesatare në skuadër prej 23.9 vjeç kundrejt bavarezëve që kanë një moshë prej 29.5. Por, miqtë shumë herë bënë lëmsh mbrojtjen bavareze, duke depërtuar në hapësirat e lëna bosh prej tyre.

Boateng

30-vjeçari ishte totalisht jashtë formës së tij. Ajri i Berlinit duket se nuk i ka bërë aspak mirë atij. Gabime të panumërta në pasime, pozicionim i tmerrshëm dhe aspak i fokusuar në lojë. Qendërmbrojtësi ishte sërish në një ditë jo të mirë. Pyetja shtrohet: Përse Niko Kovaç nuk e ndërroi atë në pushimin e pjesës së parë? Niklas Zyle mund të kishte qenë i dobishëm për kampionët, pasi nuk ka një gjendje të rënduar dhe nga ana fizike është më i freskët.

“Robbery”

Të dy veteranët ishin sërish në formacionin e parë, edhe pse ata u munduan të krijonin diçka, kjo nuk mjaftoi në fund. Holandezi ishte i vetmi që dha shenja jete, duke shërbyer në golin e parë të Humelsit. Por, mosguximi për t’i lënë ata në stol është duke u kthyer në problem në skuadrën e Bajernit. Të dy sulmuesit e Bajernit nuk ishin asnjëherë kërcënues në portën e Ajaksit që arriti t’i mbante larg zonës së tyre.

Konkurrenca në skuadër

Këtë duket se e ka humbur Serge Gnabri me Robenin dhe Riberinë, pasi në ndeshjet më të rëndësishme të dy veteranët kanë qenë gjithmonë zgjedhja e parë e trajnerit. Është ky një gabim i trajnerit Kovaç? E mundshme. Kur Gnabri hyri në fushë në minutën e 74-të arriti t’i japë një impuls tjetër takimit me shpërthimet e tij në krahun e majtë. Të mos harrojmë këtu edhe Hames Rodrigez, që edhe pse zhvilloi dy ndeshje të mira në javën e kaluar është detyruar të ngrohë sërish stolin. Ai erdhi në lojë në pjesën e dytë. Kovaç nuk po arrin të menaxhojë dot yjet e skuadrës që tani është pa busull dhe nuk ka një identitet.

Krijimi i lojës

Shumë letargjik në krijimin e lojës dhe në goditjet standarde skuadra nuk është aspak e rrezikshme. Krosimet e Joshua Kimish kalonin në shumicën e rasteve dhe shkonin përtej zonës së rreptësisë.

Kontrolli i lojës

Bavarezët janë ata që kanë si specialitet kontrollin e lojës, por ndaj Ajaksit nuk u pa asnjë shenjë nga kjo vlerë. Skuadra tregoi se ka probleme në ndërtimin e aksioneve dhe nuk arrin të bëjë presing te kundërshtarët, pasi lojtarët janë shumë larg njëri-tjetrit. Holandezët ishin ata që herë pas here “talleshin” në mesin e fushës së bavarezëve, duke bërë pasime me një takim si në kohët e arta të Krojf me shokë. Kjo u pa edhe në golin e shënuar nga Nousari.

Varësia ndaj Levandovskit

Skuadra pret gjithçka nga sulmuesi polak që është për t’u ardhur keq. Ai dukej si një trup i huaj në lojën e Bajernit. Kjo shihet edhe në 26 kontaktet me topin dhe vetëm 2 goditje në portë, po aq sa Gnabri që hyri në lojë në minutën e 74-t.

Rastet për shënim

Ishte një ironi e fatit ndeshja ndaj Ajaksit. Në ndeshjet ndaj Augsburgut dhe Hertës skuadra e Bajernit qau rastet e shumta të shpërdoruara, por ndaj Ajaksit ata krijuan shumë pak, duke mos u dhënë atyre asnjë justifikim pas ndeshjes. Situata është kritike, pasi bavarezët nuk janë mësuar të mos fitojnë në tri ndeshje rresht, hera e fundit me Ançelotin. Nëse nuk vjen një fitore të shtunën ndaj Gladbahut, atëherë gjendja do të jetë shumë e pakëndshme në ambientin e kampionëve të Gjermanisë.

Related posts

PLAS MES SHOKËSH/ RONALDO i përgjigjet KEQ pyetjes së RAMOSIT për…

Isa.Autor

UEFA MERR VENDIMIN/ Bilbao dhe Dublini jashtë Europianit. Ja stadiumet e reja që bëhen pjesë e kompeticionit…

Delo.autor

BOTËRORI 2022/ Ronaldo bëhet “hero” me dopietë dhe legjendë ndaj Irlandës, Ndalet Holanda

Delo.autor

Leave a Comment