Futboll Sport

TRONDITET FUTBOLLI / Rrëfimi i arbitrit: Pothuajse çdo ndeshje është e vendosur

“Pothuajse asnjë ndeshje nuk luhet pa ndikim të jashtëm ose marrëveshje për ekipin që do të fitojë”. Kjo është deklarata e bërë nga një arbitër belg për RTL. Fajtorët nuk janë arbitrat, por drejtuesit e klubeve të mëdha. Nëse do të jetë në dorën e Federatës Belge të Futbollit, Sébastien Delferière dhe Bart Vertenten, nuk do të gjykojnë më asnjë ndeshje. Dy arbitrat, dy nga më të mirët e Belgjikës, akuzohen se kanë luajtur një rol kyç në skandalin e trukimit të ndeshjeve.

Një burim anonim ka shpjeguar për RTL se problemi është më i madh nga sa mendohej fillimisht. Një arbitër belg, i cili ka dashur të mbetet anonim, ka folur për ndikimin e jashtëm në futboll dhe presionin e vazhdueshëm me të cilin përballen gjyqtarët.

“Pothuajse asnjë ndeshje nuk luhet pa ndikimin nga jashtë ose pa u arritur një marrëveshje se kush do të fitojë”, ka thënë ai. “Nuk janë arbitrat që manipulojnë takimet, por drejtuesit e klubeve. Ata njihen të gjithë me njëri-tjetrin dhe arrijnë marrëveshje para takimeve: ‘do të ishte mirë po të më lije të fitoja ose do të ishte mirë nëse do të humbisja’”.

Sipas arbitrit, gjithçka duket qartë në fushën e lojës nëse je i vëmendshëm. “Nëse një skuadër ka luajtur me të njëjtët lojtarë në fundjavë, papritur shfaqet me shumë të rinj në ekip ndeshjen pasardhëse. Pastaj shikon ekipe që dalin vazhdimisht para portës dhe humbin raste. Më pas vijnë gafat e portierëve, që nuk mund të ndodhin në këto nivele. Nëse ndodhin, janë të qëllimshme”.

Sipas arbitrit anonim, presidentët e skuadrave japin edhe bonuse për një ndeshje të humbur. “Ndodh nga kategoria e tretë në të parën. Asnjë arbitër nuk shkon në një ndeshje me synimin për të bërë manipulime, por ka një presion shumë të madh. Ata na lënë të kuptojmë se ne nuk kemi shumë zgjedhje”.

Arbitrat marrin shpesh mesazhe nga presidentët ose lojtarët e skuadrave të ndryshme para ndeshjeve. “Dërgojnë mesazhe të tipit: Më duhen kaq pikë dhe do të ishte mirë sikur të më ndihmoje. Ose të kërkojnë që t’i japësh një karton të verdhë, ose të mos e bësh këtë”.

Presioni ndaj arbitrave fillon që në momentin që ata shkojnë në stadium, sipas burimit anonim. “Personi përgjegjës për arbitrat na bën të kuptojmë menjëherë sesi do të shkojë ndeshja. Më pas vjen presidenti, i cili të jep dorën dhe të premton se pas përfundimit të takimit mund të shkojmë në një restorant ose të ofron bileta për koncerte, apo filma. Një korrupsion indirekt”.

Arbitrimi është një pasion, por shumë prej tyre dorëzohen. “Është shumë e vështirë ta shikosh veten në pasqyrë pas një ndeshjeje. Nuk është kjo arsyeja pse e zgjodhëm këtë profesion. Është e neveritshme ajo që na detyrojnë të bëjmë. Kjo është arsyeja pse po flas tani”, ka përfunduar burimi anonim.

Related posts

RRËFEN LIDHJEN E VEÇANTË QË KA ME SHOKUN E SKUADRËS/ Neymar: Lumturia ime tek PSG ka ardhur prej këtij lojtari

Delo.autor

MBROJTJA NË “GJUMË”/ Lazio pa busull, Lecce i ndëshkon sërish (VIDEO)

Delo.autor

LËSHOHET BOMBA NGA SPANJA/ Griezmann largohet nga Atletico, ka firmosur që tani tek…

Delo.autor

Leave a Comment