Futboll La Liga Sport

FILLON BOTRORI I KLUBEVE/ REALI synon të parakalojë rivalët e përhershëm

Real Madrid do të kërkojë të sigurojë trofeun e tretë radhazi në Botërorin për Klube, që fillon sot në Emiratet e Bashkuara Arabe me takimin e 1/8-ve që do të luhet mes Al Ain dhe Team Wellington (16:30).

Kampionët në fuqi të Europës do ta nisin kompeticionin si favoritë, por nuk do ta kenë aspak të lehtë të kalojnë pengesën e vështirë që përfaqësojnë kampionët e freskët të Amerikës së Jugut, River Plate. Kjo është ajo që duhet të dini për edicionin e këtij viti të Botërorit për Klube.

Çfarë është Botërori për Klube?

Ky kompeticion, i organizuar nga FIFA, ka për qëllim të përcaktojë se kush është klubi më i fortë në botë duke vënë përballë njëri-tjetrit kampionët kontinentalë.

I organizuar në një vend neutral të paracaktuar, ky kompeticion na jep një mundësi për të analizuar forcën e kampionëve të Europës dhe atyre të Amerikës së Jugut.

Fitueset e Champions League dhe të Kupa Libertadores dalin zakonisht në finale dhe titulli i “Kampionit të botës” ka më shumë peshë në Amerikën e Jugut se në Europë.

Pavarësisht nga kjo, kampionët e Europës e kanë fituar Botërorin për Klube në pesë vitet e fundit.

Ku zhvillohet?

Brazili, Japonia dhe Maroku e kanë organizuar këtë eveniment në të kaluarën, por këtë vit do të zhvillohet në Emiratet e Bashkuara Arabe, që do të jetë vendi pritës për herën e katërt. Në total do të zhvillohen tetë ndeshje në dy stadiume.

“Zayed SPort City Stadium” i Abu Dabit, që ka një kapacitet prej 43.000 vendesh, do të presë një gjysmëfinale (atë të Real Madrid), finalen dhe ndeshjen “play-off” që do të përcaktojë vendin e tretë.

Pesë takimet e tjera do të luhen në “Hazza bin Zayed Stadium”, në Al Ain, që ka një kapacitet prej 22.717 vendesh dhe është një ishull 128 kilometra larg Abu Dabit.

Skuadrat që marrin pjesë këtë vit?

Europa përfaqësohet nga Real Madrid, që fitoi Champions League për vitin e tretë radhazi pasi mundi 3-1 Liverpool-in në finalen e Kievit të luajtur majin e kaluar.

Ekipi që do të përfaqësojë Amerikën e Jugut u zbulua të dielën e kaluar, teksa River Plate mundur 3-1 Boca Juniors në finalen e Kupës Libertadores të zhvilluar në “Santiago Bernabeu”.

Japonezët e Kashima Antlers do të përfaqësojnë Azinë pas fitores me rezultatin e përgjithshëm 2-0 të marrë kundër iranianëve të Persepolis muajin e kaluar në Champions League-ën aziatike. Afrika do të përfaqësohet nga tunizianët e Esperance, që kanë mundur egjiptianët e Al-Ahly me rezultatin e përgjithshëm 4-3 në finalen e Champions League-ës afrikane të luajtur muajin e kaluar.

Meksikanët e Guadalajara do të përfaqësojnë Amerikën e Veriut pas triumfit të arritur në Champions League-ën e CONCACAF-it kundër Toronto-s prillin e kaluar. Nga Oqeania do të jetë skuadra e Zelandës së Re, Team Wellington, që ka mundur ekipin Lautoka të Fiji në finalen e Champions League-ës së Oqeanisë të luajtur majin e kaluar.

Për të kompletuar numrin dhe për të rritur interesin e vendasve, pjesë e kompeticionit do të jetë edhe skuadra Al-Ain e Emirateve të Bashkuara Arabe, kampionët në fuqi të Pro League, kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Emirate.

Me çfarë formati luhet?

Është një format i pazakontë me tetë ndeshje që luhen në 10 ditë, duke filluar nga dita e sotme. Ndeshja e parë do të zhvillohet mes Team Wellington dhe Al Ain, me këta të fundit që do të kenë avantazhin e fushës.

Fituesi i këtij takimi do të përballet me Esperance në çerekfinalen që do të luhet të shtunën. Çerekfinalja tjetër, që do të luhet në të njëjtën ditë, do të vërë përballe Kashima Antlers me Guadalajara. Dy humbësit e këtyre çerekfinaleve do të përballen në një ndeshje “play-off” për të përcaktuar vendin e pestë. Kjo ndeshje do të luhet në Al Ain më 18 dhjetor.

Në të njëjtën ditë, fituesit e çerekfinales që përfshin Esperance do të përballen me River Plate në gjysmëfinalen e parë. Ditën pasuese, më 19 dhjetor, Real Madrid do të zbresë për herë të parë në fushë për gjysmëfinalen që do të luajnë me fituesen e çerekfinales që do të luhet mes Kashima Antlers dhe Guadalajara. Finalja dhe takimi “play-off” për të përcaktuar vendin e tretë do të zhvillohen në Abu Dabi më 22 dhjetor.

Çfarë ndodhi vitin e kaluar?

Real Madrid mbrojti me sukses titullin, por jo pa vështirësi. Në gjysmëfinalen e luajtur kundër ekipit të Emirateve, Al Jazira, ata e mbyllën pjesën e parë në disavantazh pas një goli të sulmuesit brazilian Romarinho.

Al Jazira-s më pas iu anulua një gol i Mbark Boussoufa për prozicion jashtë loje me ndërhyrjen e VAR. Real arriti të barazonte me Cristiano Ronaldo-n dhe të përmbyste rezultatin me golin e shënuar nga Gareth Bale nëntë minuta para fundit të ndeshjes.

Në finale, Real Madrid ka mundur brazilianët e Gremio-s falë një tjetër goli të Ronaldo-s dhe ka ngritur trofeun.

Cila është skuadra më e suksesshme e Botërorit për Klube?

Triumfi i vitit të kaluar ka qenë i treti për Real Madrid në këtë kompeticion (pas 2014-ës dhe 2016-ës), me madrilenët që kanë barazuar rivalët spanjollë Barcelona-n, që e ka ngritur trofeun në vitet 2009-të, 2011-të dhe 2015-të.

Brazilianët e Corinthians e kanë fituar dy herë, në vitin 2000 dhe 2012-të, kur kanë mundur Chelsea-n 1-0 në Japoni. Fitues të tjerë të kompeticionit kanë qenë Manchester United, Bayern Munich, Milan, Inter, Sao Paolo dhe Internacional.

Kush do të fitojë?

Real do të jetë skuadra favorite për ta fituar kompeticionin për vitin e tretë radhazi, por do të ishte një gabim të nënvlerësohej River Plate, që do të paraqitet në Botërorin e Klubeve pas fitores së freskët në Kupën Libertadores kundër rivalëve të përjetshëm të Boca Juniors.

Related posts

NDESHJA NDAJ M’GLADBACH NË CHAMPIONS/ Zidane: Duhet të marrim 3 pikët, kemi shansin të tregojmë që jemi një skuadër…

Delo.autor

LIVE/ Mbyllen 20 minuta: Serbia kryeson ndaj Zvicrës falë Mitrovic (VIDEO)

Isa.Autor

MILAN-NAPOLI/ Pioli merr lajmin e keq, lojtari largohet nga grumbullimi

Delo.autor

Leave a Comment