Futboll Shqipëri Sport

MOVIOLA/ Gafa në Durrës dhe Vlorë, Kola pa autoritet, maltezët e katranosin. Ja kush u penalizua

As arbitrat nga Malta (edhe pse nuk është një vend që duhet marrë shembull pozitiv) nuk mund të frenojnë polemikat për gjykimin në Kategorinë Superiore. Java e 16-të nxori në pah disa gabime të rënda të gjykimit, duke filluar me ndeshjen Flamurtari-Laçi, që u gjykua nga një treshe malteze për shkak të bashkëpunimit mes dy federatave.

Gjithashtu, një gjykim të dobët bëri edhe kryesori Klajdi Kola në TeutaPartizani, që ishte një prej ndeshjeve më të bukura deri më tani të këtij kampionati sa i përket nivelit të lojës që prodhuan ekipet. Në ndeshjet e tjera vlen të përmendet një gol që duhej anuluar në TiranaKastrioti, por edhe një penallti e padhënë në Kamzë.

Teuta-Partizani 1-1

Gjyqtarë: K.Kola (kryesor), N.Bregasi dhe D.Myftari (anësorë), K.Meta dhe O.Sokoli (pas portave);

Teuta-Partizani u gjykua me 6 arbitra në fushë, por gabimet ishin të dukshme. Në minutën e 24-t ka tension në fushë dhe Tefik Osmani i fut dy duart në fund Ardit Hilës. Ky i fundit reagon duke e goditur me grusht në bark korçarin. Gjithçka ndodhi para syve të anësorit Myftaraj, por arbitri Klajdi Kola nuk mori asnjë vendim, duke u falur kartonin e kuq të dy lojtarëve.

Një gafë e çmendur që iu dha shkas lojtarëve të vazhdonin me gjeste antisportive. Në minutën e 36-të ka një tjetër përplasje në fushë, ku Hila i bën një ndërhyrje horror Osmanit, por arbitri jep vetëm kartonin e verdhë, që mund të ishte i kuq direkt.

Në minutën e 45-të Partizani pretendon për një penallti të padhënë, pasi Hila pengohet në zonë nga Avdyli dhe rrëzohet. Moment i dyshimtë, por si arbitri pas porte, Olsi Sokoli, ashtu edhe kryesori Kola, vazhdojnë lojën, duke konsideruar të rregullt ndërhyrjen.

Kukësi-Skënderbeu 1-0

Gjyqtarë: J.Xhaja, D.Rexha, A.Zalla (Tiranë);

Kukësi-Skënderbeu u gjykua nga ndërkombëtari Juxhin Xhaja, i cili ishte thuajse perfekt, duke menaxhuar më së miri një takim që në fakt nuk është se pati shumë punë për arbitrat. Në minutën e 3-të lojtarët e Skënderbeut pretendojnë për prekje të topit me dorë në zonë nga Shameti, por pamjet filmike tregojnë se kapiteni i Kukësit e ka larguar “sferën” me këmbë pas goditjes së Bregut.

Rasti më flagrant u regjistrua në minutën e 53-të, kur Ethemi u rrëzua në zonë pas ndërhyrjes së portierit Teqja. Një penallti e pastër dhe vendim i drejtë i arbitrit. I vetmi rast ku u gabua ishte në minutën e 77-të, teksa Rexhinaldo u ndal në një kundërsulm për pozicion jashtë loje. Pamjet i japin të drejtë lojtarit, teksa këtu gabon anësori Zalla.

Në pjesën e dytë kemi edhe një gabim të anësorit Rexha, që ndalon Muzakën për pozicion jashtë loje, por që në fakt nuk ishte i tillë.

Flamurtari-Laçi 1-0

Gjyqtarë: Glen Tona, U.Debatista, P.Toledo (Maltë); FSHF-ja kishte zgjedhur që Flamurtari-Laçi t’ia besonte një katërsheje nga Malta. Glen Tona ishte kryesor, asistentë Uillian Debatista dhe Paul Toledo, ndërsa i 4-t Ishamel Barbara. Gjykimi në pjesën e parë la për të dëshiruar dhe episodi më flagrant është penalltia e padhënë ndaj Flamurtarit.

Në minutën e 5-të, Jonuzi shërben një top për Shtubinën dhe ky i fundit mundohet që të avancojë, por loja ndalet për pozicion jashtë loje. Pamjet tregojnë se lojtari ishte në vijë të drejtë me mbrojtjen mike dhe kemi të bëjmë me gabim të anësorit.

Ndërsa, në minutën e tetë, Mersinaj tërheq, pa u kursyer aspak, prej fanelle Bushiçin, por arbitri për çudinë e të gjithëve vijon lojën. Penallti e pastër për Flamurtarin.

Edhe në minutën e 13-të, Toro ndërhyri pastër jashtë zonës ndaj Bushiçit, por kryesori nuk dha as faull. Mister më vete mbetet kartoni i verdhë ndaj Alveshit, pasi festoi golin, edhe pse nuk pati heqje bluze apo gjest antisportiv.

Tirana-Kastrioti 4-0

Gjyqtarë: L.Alla (Lushnjë), R.Preça (Elbasan), M.Qose (Lushnjë);

Janë dy rastet për moviolë për takimin e djeshëm. I pari në minutën e 11-të në rastin e penalltisë me Kukën që pengon Sentamunë. Gjyqtari akordon penallti dhe në bazë të pamjeve filmike, vendimi i Allës është i drejtë. Në minutën e 91-të në rastin e golit të katërt, Ngo gjen Sentamunë me një pasim, por pozicioni është i parregullt. Gjithsesi, anësori Preça e quan të rregullt dhe Sentamu arrin të shënojë gol.

Gafë e asistentit nga Elbasani, që nuk ishte i vendosur mirë. Është edhe një rast i Bardhit në pjesën e parë që kërkoi një penallti për një prekje të topit me dorë nga Atinga, por sfera ka rënë në gjoksin e ganezit. Pamjet filmike tregojnë për vendim të drejtë të gjyqtarit.

Kamza-Luftëtari 1-0

Gjyqtarë: K.Bajramaj, M.Llukmani, G.Qirici (Tiranë); Gjykim i mirë i kryesorit Bajramaj, por në fund e prish anësori Llukmani. Në minutën e 81-të, Rustem Hoxha merr një top në zonë nga Rrapo, por në momentin e goditjes rrëzohet pas ndërhyrjes së Fukuit.

Kryesori fillimisht të jep përshtypjen se do të akordojë penallti, por asistenti e vlerëson pozicion jashtë loje aksionin. Pamjet tregojnë për një vendim të gabuar, pasi Hoxha ka qenë në një vijë me mbrojtësin e fundit të Kamzës, Bonani.

Related posts

Berlusconi: Më duket se do ta blej përsëri Milan

Sadik.Autor

Zhbllokohen shifrat në “Evian” Ukraina kalon në avantazh

Sadik.Autor

Danimarka 18 ndeshje pa humbur, trajneri Dalic ka recetën për t’i mundur

Sadik.Autor

Leave a Comment