Futboll Sport

FITUESI I “TOPIT TË ARTË 2018″/ I dha fund dominimit njëdekadësh të Messit dhe Ronaldos

Fituesi i Topit të Artë për vitin 2018 i dha fund një dominimi dhjetëvjeçar të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos, që i kishin fituar nga pesë Topa të Artë gjatë kësaj periudhe. Luka Modrici e konsideroi triumfin e tij si një triumf për “djemtë e vegjël”.

Modrici, mesfushori që arriti ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve me Real Madridin dhe që e ndihmoi Kombëtaren e Kroacisë të shkonte deri në finale të Kupës së Botës, u shpërblye më 3 dhjetor me çmimin Topi i Artë.

“Askush nuk ka të drejtë ta krahasojë veten me Messin dhe Ronaldon. Ata janë më të mirët në histori të këtij sporti. Jam i lumtur që dikush normal arriti ta fitojë Topin e Artë”, kishte thënë Modric sapo ishte shpërblyer me Topin e Artë nga France Football.

Përveç Topit të Artë, Modrici arriti të shkruaj histori edhe në garat e tjera, si çmimin e FIFA-s për lojtarin më të mirë të vitit, çmimin e UEFA-s e po ashtu edhe çmimin për lojtarin më të mirë të turneut të Kupës së Botës në Rusi.

Megjithatë, jo të gjithë ishin të kënaqur që Modrici u shpërblye me këto çmime, pasi që kritikohej se ai nuk e ka talentin e natyrshëm si Messi apo urinë e Ronaldos për të shënuar gola. Por, 33-vjeçari u shpërblye pasi që si për Real Madridin, ashtu edhe për Kroacinë, ai arriti ta orkestrojë lojën drejt triumfit në Ligën e Kampionëve dhe rrugëtimin deri në finale të Kupës së Botës.

Mirëpo, renditja e futbollistëve për Topin e Artë u kritikua edhe më shumë pasi u publikua lista përfundimtare. Ronaldo ishte radhitur i dyti, pastaj Antoine Griezmann dhe Kylian Mbappe. Messi ishte renditur vetëm në pozitën e pestë, gjë që kishte ngjallur shumë debat.

Megjithatë, shpallja e Modricit si fitues i Topit të Artë ishte pritur, pasi që ai i kishte fituar titujt e tjerë për lojtarin më të mirë të vitit. 33-vjeçari u bë kroati i parë që e fitoi këtë çmim, bashkëkombësi i tij Davor Suker është i vetmi futbollist tjetër kroat i cili kishte arritur të futej në top treshe, në vitin 1998.

“Si fëmijë, të gjithë kemi ëndrra. Ëndrra ime ishte të luaj për një klub të madh dhe të fitoj trofe të rëndësishëm. Topi i Artë ishte më shumë se vetëm një ëndërr për mua dhe është një nder i vërtetë dhe një privilegj që po e mbaj këtë trofe”, ka thënë kroati.

Related posts

Prapaskena/ Eden Hazard tregon tratativat me klubin e madh spanjoll

Isa.Autor

NË LUFTË ME KOHËN/ Gattuso: Kjo është absurde, nuk duhet të ndodhë me Milanin

Isa.Autor

“GODITJA” NË MERKATO/ PSG e gjen në Angli pasuesin e Neymar

Delo.autor

Leave a Comment