Futboll Premier League Sport

YJET SHKËLQEJNË ME TRAJNERIN E RI/ Ja tre lojtarët e “Djajve të Kuq” që janë transformuar nga Solskjaer

I ka mjaftuar vetëm një muaj Ole Gunnar Solskjaer për të katapultuar Manchester United mes pesë ekipeve të para të Premier League. Tani tifozët nuk duan që drejtuesit ta largojnë legjendën e “Djave të Kuq”. Kjo konfirmohet në çdo ndeshje nga koret e tyre në stadium.

Disa lojtarë kanë shkëlqyer nën drejtimin e trajnerit të ri, ndërsa të tjerë, të marrë nga trajnerët e mëparshëm me synimin për të përcjellë filozofinë e tyre në klub, nuk janë dukur futbollistë të denjë për United, me Marouane Fellaini që ka qenë viktima e parë e janarit.

Këta janë tre lojtarët që Solskjaer ka transformuar që nga momenti që ka marrë drejtimin e “Djajve” në dhjetor.

Paul Pogba

Fituesi i Kupës së Botës ka thënë se ndihej “si në  hije nën drejtimin e Mourinho-s, por tani po vallëzon në dritë me Solskjaer. Është një kënaqësi të luaj përsëri futboll. Tani buzëqesh gjithmonë”, ka thënë në ditët e kaluara Pogba.

Tensioni mes Mourinho dhe Pogba ka qenë i prekshëm dhe lojtari ka menduar seriozisht largimin nga “Old Trafford” në janar para se portugezi të shkarkohej nga klubi. Francezi është aktivizuar shpesh si mesfushor me detyra mbrojtëse nga “Special One”, duke irrituar ndjeshëm futbollistin dhe tifozët e United.

Vizioni dhe shkathtësia e Pogba janë qartësisht më të përshtatshme për një pozicion më të avancuar. Kjo është dukur qartë edhe të dielën e kaluar, kur 26-vjeçari rikuperoi një top nga lojtarët e Leicester dhe ia pasoi menjëherë Rashford-it, që e dërgoi pa shumë vështirësi në rrjetë.

Ole Gunnar Solskjaer ka ditur  t’i shfrytëzojë në mënyrën më të mirë të gjitha cilësitë e tij. “Ai është një njeri që ndikon te njerëzit dhe ka një dëshirë të madhe të ketë sukses. E njoh që më parë dhe ai jep maksimumin kur argëtohet në fushë”, ka thënë trajneri i United.

Marcus Rashford

Ai është një prej të preferuarve të tifozëve, të cilët adhurojnë të shikojnë një djalosh të Mançesterit të shkëlqejë me ekipin e tyre. Trajneri i ri i ka dhënë besim, duke i dhënë atij rolin e sulmuesit titullar të ekipit në vend të Romelu Lukaku-t. 21-vjeçari ka shkuar në 10 gola pas realizimit kundër Leicester dhe ka shënuar 8 në 13 ndeshjet e fundit.

Analistët e kanë kritikuar shpesh për mungesën e qetësisë para portës dhe pasi Solskjaer ka marrë drejtimin e ekipit, Rashford ka përfituar nga këshillat që i ka dhënë ish-sulmuesi. Në të vërtetë, Mourinho nuk e shihte si zgjedhjen e parë për sulmin e tij, ndoshta sepse portugezi e kishte të vështirë të linte në stol sulmuesin e tij, Romelu Lukaku, të cilin e bleu nga Everton për 86 milionë euro.

Rashford po luan aq mirë nën drejtimin e Solskjaer, sa disa po pyesin veten nëse ai mund të bëhet po aq i mirë sa Cristiano Ronaldo, të cilin e ka kaluar pas 149 ndeshjesh: 40 gola për Rashford, 31 për Ronaldo-n.

Anthony Martial

Një tjetër francez që ka përfituar nga idetë e trajnerit norvegjez. Marital po tregon më në fund vlerat e tij me fanellën e Manchester United. Ai ka qenë i detyruar të dorëzojë fanellën e tij me numrin 9 pas blerjes së Lukaku-t dhe është alternuar me Rashford në krah të gjigantit belg. Megjithatë, pas blerjes së Sanchez, Martial është aktivizuar me pikatore nga Mourinho. Një situatë që i kushtoi atij grumbullimin me kombëtaren në Kupën e Botës.

Ashtu si Pogba, edhe ai ka menduar seriozisht largimin nga klubi në fundin e sezonit. Gjithsesi, lamtumira e parakohshme e Jose i ka bërë shumë mirë sulmuesit francez. Fanella me numrin 11-të duket se i shkon më shumë tani. Fintet shpërthyese në krahun e majtë të sulmit janë ato që e bënë atë fanellë të famshme në kohën e Ryan Giggs. Martial ka gjetur formën e tij më të mirë dhe klubi e ka shpërblyer me   një kontratë të re 5-vjeçare, të cilën ai e nënshkroi në fundin e janarit.

Ish-kapiteni i “Djajve”, Gary Neville, mendon se ai mund të bëhet një nga më të mirët në Europë në pozicionin e tij. “Do të kishte qenë një rrezik i madh nëse do të ishte lënë t ë largohej një lojtar me potencialin e tij. Kjo kontratë është një shpërblim për atë dhe tani  ka një trajner që beson tek ai”.

Related posts

SFIDA NDAJ VLLAZNISË/ Kthesa e Dinamos fillon që nga grumbullimi, “nëndetësja” zhvendoset pranë bregdetit

Delo.autor

CHAMPIONS LEAGUE/ Inter mposht me përmbysje Sheriff Tiraspol, Real Madrid fiton me “MANITA”

Delo.autor

CONTE NUK E AKTIVIZOI NDAJ SPEZIAS/ Mesfushori Eriksen qëndron në fushë pas ndeshjes, ja çfarë bëri… (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment