Futboll Kombëtarja Sport

ANALIZON SITUATËN AKTUALE TË FUTBOLLIT/ Armand Duka: Reja i duhuri, nëse fitojmë në Islandë…

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një intervistë për “RTSH Sport”, bën një analizë në 360 gradë për temat aktuale të futbollit shqiptar.

armand duka

NOTA PËR SEZONIN – Ky vit shënon një hap pozitiv nga viti i kaluar. Këtë vit mund të flasim edhe me shifra për gjërat më të mira që ka pasur ky sezon, jo vetëm për Superioren, por për të gjitha aktivitetet e organizuara. Numri i njerëzve që luajnë futboll, në strategjinë tonë, është tek fëmijët që sjellim te futbolli, dhe projektet e ndërmarra janë shtuar ata që luajnë futboll. Edhe në Superiore dhe në nivelet e tjera, ka pasur garë, për nivelin që ka Shqipëria. Garat kanë qenë kompetitive, më të besuara.

LICENCIMET – Kjo strategji nuk u vu sot, ka qenë gjithmonë. Por, niveli i licencimeve ndryshon çdo vit, dhe duhet të jetë në ndryshim nga mundësitë që ka vendi. Steka e licencimit ndryshon çdo vit, dhe Komisioni i Licencimit nuk ka në fakt asnjë të drejtë ligjore të tolerojë klubet. Nuk duhet të jetë më në kulturën e vetë klubeve, që një ditë para kampionatit, të çosh një listë me emra, futi nja dy furçë gëlqere dhe të luash futboll. Që në maj e qershor, të licencohet ambjentet, dhe të komunikohen çdo detyrë për klubet. I kemi mbështetur edhe financiarisht me një pjesë investimet. Kush do i plotësojë, do luajë. Nëse jo, klubi nuk do luajë.

PARTIZANI KAMPION – Ndoshta Partizani ka bllokuar burimin e thashethemeve, se nuk ka pasur ndonjë gjë për t’u mos u përfolur(qesh). Ka qenë një kampionat i merituar nga Partizani, ka pasur pak konkurrencë. Fakti që e ka siguruar disa javë, bashkë me diferencën 10-12 pikë, tregon se ka pasur pak konkurrencë, ka qenë bindës që nga java e parë. Ka qenë klub i mbështetur në Shqipëri. Më vjen mirë që titulli kthehet në kryeqytet. Gjithë ndikohemi nga opinionet që dëgjojmë, edhe publiku thotë se Partizani nuk kishte ekip të mirë, por doli kampion. Besoj se Partizani ka pasur ekipin më të mirë këtë vit, nga vitet e fundit. Nuk besoj se janë rritur konkurrentët, por është rritur Partizani.

Duka

TIRANA – Kampionati është me 10 ekipe, dhe 2 bien. Pavarëissht se kush bie, sa e madhe është ekipi, normale është e dhimbshme. Kjo është loja, duhet të fitosh në fushë. Asnjë skuadre nuk i uroj të bijë. Siç është e dhimbshme të bijë Tirana, ashtu ishte për Vllazninë, apo për vetë ata para 2 vitesh. Nuk ia uroj kurrë Tiranës të bie.

PAK TIFOZË – Nuk kam statistika në këtë moment, por për tifozët duhet të bëjmë të gjithë më shumë. Është organizimi i vetë klubeve me tifozët. Në fund, është një produkt sportiv, ta promovosh dhe ta marketosh, siç promovon produktet e tjera. Krijimi i kushteve më të mira në stadiume. Federata, por kryesisht klubet, duhet të ndërtojnë një komunikim më të mirë. Ka dhe faktorë të tjerë që e pengojnë mbushjen e stadiumeve, por ne duhet të bëjmë ato maksimumet.

A KA TOLERIME? – Tolerimi, për fat të keq, është i dëmshëm, por ka ekzistuar që kur ka lindur loja. Uroj që të eliminohet përfundimisht, por nuk e besoj këtë. Duhet të luftosh në fushë, por që të motivohesh edhe pse nuk të duhen pikët, janë shumë faktorë. Kemi pasur një fenomen të tolerimit, jo vetëm për interesa sportive, por edhe financiare. Besoj se është hequr këtë edicion, dhe pothuajse të gjitha ndeshjet janë rezultat i asaj që japin ekipet në fushë. Nëse do marr ndeshjen e Partizanit në Durrës, ku ata kanë siguruar titullin, nuk është e thjeshtë të marrësh grintën e lojtarëve në fushë. Nëse do i duheshin pikët, do kishte një motivim tjetër. Nuk është se është rezultat i paracaktuar.

DHUNA – Nuk është vetëm rendi, janë shumë gjëra. Nuk mendoj se fenomeni i dhunës është më i rënduar se në kampionatet e tjera, por duhet ta minimizojmë. Duhet bashkëpunim, se ka emocione kjo lojë. Organet e rendit, Federata, institucionet të drejtësisë, të gjithë nëse kemi objektiv, mund ta minimizojmë, ta çojmë drejt zeros.

DOSJE NË PROKURORI – I përkasin të shkuarës, nuk kemi akuzuar kurrë, por të dyshuara si të trukuar. E vetmja indicie që kemi, janë informacionet nga UEFA, nga monitorimi i kompanive të basteve. Kjo është një indicie, por jo një provë. Kur vjen në Federatë, e kallëzojmë në Prokurori. Ne nuk bëjmë dot hetim për të provuar nëse ka ndodhur diçka e tillë.

FORMULAT E KAMPIONATEVE – Skema e Superiores mendoj se është e përshtatshme, ideale nuk është kurrë. Realizon një numër optimal të ndeshjeve të jetë i përgatitur, skemë që siguro të ardhur normale për klubin. Të lejon shumë pak mundësi tolerimi. Në kategorinë e Parë, janë bërë eksperimente që të ketë garë. As më parë, dhe as tani që ekipet ndahen në dy grupe. Ka qenë një që ka luftuar, dhe të tjerat shumë pak. I kam kërkuar sektorit të garave të ulen të gjithë aktorët, që të gjejmë skema të tjera që të mos pezullojë garën. Kam dëgjuar në vende të tjera, që vendosin stimuj për pozicione të ndryshme. Të gjesh një mundësi që gara të jetojë, dhe të mos ketë shumë mundësi tolerimi.

TRYEZA ME KRYEMINISTRIN – Një punë e filluar, e iniciuar nga FSHF. Nuk është fjala për të ndryshuar ligjin e sportit. Në këtë paketë ligjore, përfshihen shumë gjëra, një ndër to ishte dhe ndryshimet në kodin penal. Kjo është një gjë e lehtë pa impakt në buxhet. Drafti është gati për t’u miratuar. Gjërat e tjera kanë hasur vështirësia.

Sportet e tjera janë në kushtet, më pak se mbijetesë. Futbolli është e pamundur të zhvillohet vetëm me investimet e FSHF-së në nivelet që ne e kërkojmë. Nëse këto nuk miratohen, futbolli do ketë shumë vështirësi. Ne kemi propozuar një ndryshim në paketën fiskale. Kemi propozuar edhe modelin e Kosovës dhe Hungarisë.

Një nga vendet që ka ndihmuar sportin nëpërmjet sisteme fiskale. Sipas ligjit hungarez, çdo biznes ka të drejtë të financojë në sport deri në 80 % të taksës. Mbulohen 100 % të projekteve të miratuar nga FSHF dhe shtetit. Nuk propozojmë ndryshime ligjore që varfërojnë buxhetin e shtetit. Sot shteti nuk arkëton asgjë nga tatimi për të ardhurat e futbollistëve. Nëse çdo industri nuk formatizohet, nuk ecet përpara.

Zhvillimet e deritanishme nuk besoj se do na çojnë në plotësimin e atyre kërkesave. Nuk po shoh ndonjë produkt real. Le të shpresojmë se do të arrihen”.

ARBITRAZHI SPORTIV- Për mua çdo vend duhet të ketë arbitrazhin sportiv. Palët kërkojnë të gjykohen nga një gjykatë e besueshme. Për sa kohë që në Shqipëri nuk ekziston, nuk mund të lemë palët pa drejtësi.

ARENA KOMBËTARE- Punët vazhdojmë me rritmë të kënaqme. Kompania pavarësisht se ka bërë një punë me kualitet nuk ka arritur të kap kohën. Uroj shumë që vërtet të përfundojë në shtator. Na është refuzuar rimbursimi i TVSH-së. Kemi bërë proces gjyqësor, e kemi fituar në shkallën e parë. Presim apelim që vendimi të marrë formën e prerë. Shpresojmë që brenda 2019-të të inaugurojmë atë kompleks.

ASAMBLEJA E PËRGJITHSHME –  Para se të propozohen, të gjitha kanë qenë pjesë e diskutimit. Ai takimi është thjesht çështje plenare.

LIGA PROFESIONISTE – FSHF ka të drejtën e organizimit të futbollit sipas ligjit. Liga është një formë organizimi brenda Federatës. Për të pasur një organizim më të mirë të një grupi interesi më të mirë.

armand duka

LARGIMI I PANUÇIT – Një lloj reflektimi e kemi bërë. Kur u emëruar Panuçi, u mendua si një trajner me emër të madh, me staturë të madhe, që në gjuhën sportive, do e ulte me këmbë në tokë ekipin, dhe do kishte grintën për ta motivuar. Ky ishte perceptimi fillestar, dhe nuk rezultoi. Ekipi nuk bëri progres, ambienti nuk ishte i mirë. E vetmja mënyrë, për një ekip të vogël si Shqipëria, është atmosfera pozitive, dhe bashkimi i të gjithëve. Panuçi nuk e bëri këtë. Median, tifozët, administratën, futbollistët, nuk i bashkoi dot të ndiheshin bashkë. Ne nuk jemi Gjermania, apo vendi i talenteve të mëdha. Për sa kohë nuk arriti ta bëjë, mund të quhet një një histori pa suksesshme.

EDI REJA – Tani me Rejan, gjërat sikur po ndryshojnë. Ai është një ekspert në këtë fushë, por e presin dy ndeshje të vështira. Transferta në Islandë është e vështirë, por mund të ndryshojë orientimin e ekipit për të ardhmen. Nëse do kemi një rezultat pozitiv, do jemi pretendentë për në Europian. Nëse jo, nuk besoj se do kemi shumë mundësi. Tani është bërë një grumbullim 3 javë para. I gjithë ekipi do jetë në dispozicion nga data 1 qershor. Do jetë grumbullimi në Gjermani, dhe uroj për rezultat pozitiv. Të gjitha zgjedhjet janë kombinim, financiar dhe sportiv. Mendoj se është trajneri i duhur që mund ta ndihmojë ekipin.

BESONI NË KUALIFIKIM? – Kam besuar gjithmonë, nëse nuk do besonin futbollistët, nuk do shkonim kurrë në Europian. Duhet të besosh, që të arrish.

SHPRESAT – Ndryshimet janë bërë vazhdimisht, nuk është viti parë. Gjithë trajnerëve iu është dhënë shansi të bëjnë më shumë se një kompeticion. Ndonjëherë nuk bëhet vlerësimi vetëm për rezultatet, por edhe për lojtarët që sjellë për më sipër. Tek U-21, ka shumë lojtarë të gatshëm për ekipin e parë.

RASTI DURMISHAJ – Është zgjedhje individuale, federata nuk ka çfarë strategjie të ndryshojë, i ka hapur dyert. Durmishaj ka qenë edhe te U-19 dhe U-21. Një ditë të bukur, hoqi fotot me bluzën e Shqipërisë, dhe vuri atë të Greqisë. I uroj çdo futbollisti sukses, por kur vendimet janë të gabuara… Herën e fundit nuk pati 4 sulmuese Greqia, dhe nuk u fut.

KOSOVA – Kosova ka bërë mirë në Ligën e Kombeve. Ka filluar mirë eliminatoret, edhe pse nuk pati fat me Bullgarinë. Do jetë surprizë e atij grupi. Ka një atmosferë të mirë, organizim dhe ka atë klimën, që ne nuk e kishim në vitin e kaluar. Mbetet një ekip modest, si ne, por atmosferën e ka më mirë se ne. Nuk besoj se bën kërcënim, nëse je në fushë me Kosovën, të gjithë do luajnë për fanellën që mban veshur.

KOMITETI EKZEKUTIV NË UEFA – Është një garë e vështirë të jesh anëtarë, duke qenë përfaqësues i një vendi modest si Shqipëria, jo me ndonjë opinion fantastik. Kjo e bën më të vështirë. Sa më shumë i përfaqësuar të jesh, aq më mirë. Më i përfaqësuar në nivelet e administrimit të UEFA, aq më mirë. Qoftë, edhe për një asistencë më shumë.

SUPERKUPA EUROPIANE  NË SHQIPËRI – Lobim është ai, fakti që jam unë atje, mund të jetë diçka e mirë. Me votë vendoset ajo.

VENDIMI I KAS-IT PËR SKËNDRBEUN – E vetmja gjë që kemi në dorë është një përmbledhja e Sport Radar. Me të njëjtën provë është akuzuar dhe Skënderbeun. Nëse kjo do të konsiderohet kjo provë nga KAS-i, të gjithë klubet në Europë duhet të dënohet sipas kësaj prove që është informacioni i kompanive të basteve.

LICENCIMI I KLUBEVE SHQIPTARE – UEFA është organizmi që licencon të gjithë pjesëmarrësit në garat Europian. FSHF nuk e ka autorizimit të bëjë licencimin. Këtë të drejtë e ka UEFA. Nëse t’i i shkel këto rregulla, UEFA ta heq të drejtën e licencimit. Komisioni i Licencimit e ka vënë në pikëpyetje këtë gjë me vendimin para 2 vitesh. Për këtë gabim UEFA vazhdon të na monitorojë.

Related posts

Analizë: Arma më e fortë e Valverdes kundër Zidanes nuk është arma, po karma!

Q.Autor

TRIUMFOJNË ME PËRMBYSJE/ Spektakël në Dortmund, Bayern del fitimtar me vuajtje

Delo.autor

Të mërkurën hidhet shorti i gjysmëfinalevetë Kupës së Shqipërisë

Sadik.Autor

Leave a Comment