Futboll I pakategorizuar Kombëtarja Shqipëri Sport

PARA NDESHJES KUALIFIKUESE ME ISLANDËN/ Valdet Rama kujton: Ne shënuam të parët, por nuk arritëm…

Shqipëria ka një problem të vazhdueshëm me golin. Shpeshherë sistemi i lojës i ka penalizuar Sadikun me shokë, ndërsa në raste të tjera kemi pasur probleme me sulmuesit kryesorë, për shkak të dëmtimeve apo edhe pezullimeve (kujtojmë përplasjen Panuçi-Cikalleshi). Por, sot një tjetër problem i Shqipërisë është që edhe mesfushorët shënojnë pak ose hiç fare.

E megjithatë, kemi pasur edhe nga ata mesfushorë që kanë ditur ta dërgojnë topin në rrjetë në ndeshje të rëndësishme, madje edhe kundër Islandës. Dhe çfarë Islande…, ajo e frikshmja, pra, që nisi një cikël fitues 6 vite më parë. Shqiptari i fundit që i ka shënuar Islandës në tokën e saj është Valdet Rama. Mesfushori i Kukësit kujton me nostalgji ditët e Kombëtares dhe beson se trajneri i ri do të ketë ndikim të madh në ekip për këtë ndeshje. Rama bën apel që skuadra të jetë e kujdesshme deri në sekondën e fundit.

Valdet, jeni lojtari i fundit shqiptar që i keni shënuar Islandës në Rejkjavik. Çfarë mbani mend nga ndeshja e vitit 2013, kur Kombëtarja drejtohej nga De Biazi?

Ishte kënaqësi të shënoja në atë ndeshje. Gjithmonë kur shënon për vendin tënd dhe për ngjyrat kuqezi, përjeton çaste të lumtura e të papërshkrueshme. Edhe goli me Islandën ishte kënaqësi e jashtëzakonshme. Nuk do t’i harroj kurrë golat që kam bërë me Kombëtaren e Shqipërisë.

Çfarë kujtoni sot nga ajo ndeshje, përveç golit?

Mbaj mend që ka qenë një ndeshje me shumë shi. Ne shënuam të parët dhe pata shpresë se do t’ia dilnim, por nuk arritëm ta mbanim rezultatin.

Çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të marrë pikë sot në Islandë?

Besoj që trajneri i ri ka sjellë edhe energji pozitive në grup. Ne duhet të kuptojmë që forca jonë më e madhe është grupi, sepse ndryshe e kemi të vështirë t’ia dalim. Në një ndeshje si kjo duhet përqendrim maksimal, por ndërkohë kam shumë shpresa edhe te trajneri Reja. Ai ka një eksperiencë shumë të madhe dhe do të dijë ta përgatisë taktikisht mirë këtë ndeshje. Besoj se taktika do të jetë çelësi i suksesit. Në sfida të tilla kaq delikate besoj që trajneri luan një rol vendimtar me strategjinë që zgjedh. Në këtë pjesë i besoj shumë Rejas.

Kush mendoni se mund ta bëjë diferencën nga lojtarët kuqezinj në këtë takim?

Diferencën Shqipëria gjithmonë e ka bërë kur ka luajtur dhe kur ka sakrifikuar në grup. Skuadra jonë mund të marrë rezultat pozitiv vetëm kur i gjithë grupi i futbollistëve është angazhuar me gjithë potencialin e tij. Nuk mund të them se kush mund ta vendosë këtë ndeshje, sepse është e pamundur të bësh parashikime të sakta, por duhet që të mos e humbin përqendrimin për asnjë sekondë deri në fund. Islanda është një skuadër që u bën dëm kundërshtarëve pikërisht atëherë kur ata ulin përqendrimin.

Cila do të jetë e ardhmja juaj, do të vazhdoni te Kukësi apo do të shkoni në një klub tjetër?

Nuk e di akoma. Jam me pushime aktualisht dhe besoj se ka ende kohë për të biseduar për kontratën.

Related posts

E BUJSHME/ Vetëm në 8 minuta Chelsea shënon dy gola

Isa.Autor

ARRESTOHET RONALDINHO/ Pasi hyri në Paraguai me pasaportë të falsifikuar

Delo.autor

FORMULA 1/ Ferrari prezanton makinën e “rilindjes”, objektivi titulli kampion

Delo.autor

Leave a Comment