Futboll Kategoria Superiore Sport

NDESHJA ME FLAMURTARIN/ Flet Trajneri Duro: Nostalgjik për Vlorën, por shkoj për….

Kukësi nuk do të ndalet. Pasi mposhti kampionët që në start, tashmë pret trepikëshin e radhës. Këtë herë do të udhëtojë në Vlorë, atje ku i pret Flamurtari. Shpëtim Duro rigjen ish-ekipin e tij dhe nuk e mohon që ka nostalgji.

E megjithatë, si profesionist tashmë kërkon vetëm fitoren dhe marshimin drejt objektivave. 59-vjeçari e pranon që skuadra ka “brumin” e duhur, por në të njëjtën kohë mundohet të mbajë me këmbë në tokë edhe lojtarët.

Ai thekson se përtej dy ndeshjeve të mira që zhvilluan me Partizanin (në Superkupë e kampionat), duhet pak kohë derisa ekipi të konsolidohet dhe sidomos afrimet e fundit; Obanor, Kotobelli e Abazaj. Për Andi Lilën ka respekt, por saktëson se afrimin e mundshëm të tij e kishte marrë vesh vetëm përmes mediave.

Riktheheni në Vlorë, atje ku do të gjeni një ekip të transformuar. Si e parashikoni këtë duel?

Rikthehem me nostalgji në Vlorë. Kam kaluar afro 1 vit e gjysmë atje. Jam ndier i vlerësuar dhe respektuar nga i gjithë ambienti vlonjat, duke filluar që nga punonjësit e klubit, tifozët dhe në veçanti nga Sinan Idrizi, për të cilin kam konsideratë për kohën që bashkëpunuam. E megjithatë, ashtu si në çdo ndeshje, edhe këtë herë do të futemi në fushë për të marrë trepikëshin.

Abazaj firmosi, por kur mund ta shohim në fushë? Dhe mendoni që bashkë me Shkurtajn e Rrocën do përsërisin atë çka bënë me Luftëtarin?

Abazaj do jetë i gatshëm direkt për lojë dhe shpresoj të tregojë kualitetin që ka. Për veten e tij në radhë të parë, më pas për mua dhe klubin.

Me Andi Lilën që ju iku nga duart, prisni më surpriza në merkato?

Për Andi Lilën kam respekt, për atë çka i ka dhënë futbollit shqiptar, atij të huaj dhe mbi të gjitha për Kombëtaren. Por, unë nuk kam pasur asnjë kontakt më të dhe çdo gjë e kam lexuar në shtyp. Megjithatë, i uroj suksese te Tirana!

Ndaj Partizanit pamë forcën e vërtetë të këtij Kukësi, apo…?

Me Partizanin skuadra tregoi vlera, si në Superkupë, ashtu edhe në kampionat. Por tani duhet të shohim përpara, ato takime kaluan dhe gara është shumë e gjatë.

Ekipi është konsoliduar? Sa kohë do na duhet për të parë Kukësin e Shpëtim Duros?

Ekipi po punon shumë, natyrisht së bashku kërkojmë më të mirën për çdo lojtar dhe gjithë ekipin në tërësi. Qëllimi ai është, konsolidimi i plotë i skuadrës. Dhe që ky proces të ndodhë, do kohën e vet. Në veçanti ardhjet e fundit, Abazaj, Obanor dhe Kotobelli duan më tepër kohë.

Si e shikoni garën në tërësi, keni filluar të mendoni për rivalet dhe ndeshjet e tyre?

Gara do jetë shumë e ekuilibruar këtë sezon. I respektojmë të gjithë, por shohim vetëm punën tonë.

Related posts

ZYRTARE/ Klubi i Kategorisë së Dytë nis merkaton, prezanton 4 afrime të reja brenda ditës

Delo.autor

CR7 U LARGUA PAS SFIDËS NDAJ INTER DREJT PORTUGALISË/ Ja çfarë do të ndodhë për ndeshjen Champions ndaj Lyon

Delo.autor

SKANDALI ME BILETAT/ Revoltohen tifozët: Kushtëzim i padrejtë!

Delo.autor

Leave a Comment