Gossip

“NË KËTË BOTË KA VEND PËR TË GJITHË”/ Flet Lei Kraja: Ja ku do më shihni këtë sezon pas një viti pune në televizion (FOTO)

Për Lei Krajën, jeta është një sport, nga i cili nuk mund të shpëtosh pa u lënduar. I beson karmës dhe ndaj do preferonte të mos bënte dikë të vuante, edhe pse vetë e ka provuar çfarë është. Pas pushimeve të çmendura në ishullin grek me mikeshën e saj balerinë, Adela Lami, kthehet në Tiranë për sezonin e re televiziv. Për aventurat e verës, rivalitetin mes kolegesh në terrenin e emisioneve sportive dhe imagjinatën për një princ të kaltër në jetën e saj, Lei flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Pushime të bukura në një nga ishujt e Greqisë, me shoqërinë edhe të mikeshës së ngushtë, Adela Lami. Për çfarë po festonit dhe shijonit alkoolin?

Unë dhe Adela nuk është se pimë në fakt. Por po festonim një sezon të lodhshëm dhe punën tonë të përkryer. Përpos faktit që jemi larg njëra-tjetrës dhe kishim shumë kohë pa festuar së bashku.

Nga fotot artistike në plazh, në fotot me telefon, çfarë ndryshimi dallon në to. A ndihesh gjithmonë në perfeksion?

Celulari kap momente, ndërsa fotot artistike janë për cv dhe promovim. Erdhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe duket se fati të ndriti në Shqipëri tashmë si vajzë ekrani dhe e njohur. Ishte e vështirë të arrije deri këtu dhe është e vështirë ta mbash këtë famë e sukses. Fat dhe shumë ndihmë nga kolegët! Ndihmë nga gazetarët që më ftojnë në emisionet e tyre, ndihmë nga profesionistët që më kanë përfshirë në programe dhe ndihmë nga rrethi im i ngushtë. Dhe pa diskutim që suksesi është më i vështirë për t’u mbajtur. Kështu, falënderoj të gjithë ata për mundësitë që më kanë dhënë e vazhdojnë të më japin.

Të kemi parë në ekran duke filluar nga emisionet me të ftuar në studio tek intervistat në stadium. Ku je më shumë vetvetja dhe pse?

Besoj kur drejtoj emisionin tim, sepse kur marr ndonjë person në intervistë jam më e përqendruar për shkak të përgjegjësisë që kam. Jam më serioze dhe kam shumë më shumë emocione për arsyen që përfaqësoj një kompani që është “on top”. Le të them si Juventusi i ekipeve të futbollit. Kështu që kur jam e ftuar, jam më e lirshme, më vetvetja, pasi nuk kam të njëjtin presion.

Dihet që në çdo sezon të ri ka lëvizje prezantuesish. Me ndryshimet apo largimet që kanë ndodhur në “Digitalb”, çfarë të rejash do të ketë për ty. Cilat janë emisionet që do të të besohen?

Unë kam të njëjtin emision. Asgjë nuk ka ndryshuar, përpos faktit që jam përmirësuar në gjuhë dhe në eksperiencë pune. Ndaj, nuk justifikohen më gabimet, pasi kam një vit e gjysmë tashmë në këtë zanat. Kërkohet më shumë nga unë dhe unë kërkoj shumë ndaj vetes.

Tani që po bëhesh figurë kryesore e gazetarisë sportive, mendon se dhe kolegët ziliqarë janë shtuar?

Unë nuk quhem gazetare. Jo të gjithë moderatoret quhen gazetare. Ai titull fitohet me kalimin e kohës dhe eksperiencës. Jam shumë me fat që kam emisionin tim dhe po mundohem të mësoj më shumë që ta fitoj këtë titull. Nuk kam pasur ndonjëherë kolege ziliqare. Pasi secili ka profilin e vet. Në këtë botë ka vend për të gjithë. Kolegë konkurrues, po! Po kjo gjë është shumë e mirë, pasi vetëm kështu mund përmirësohesh. Koleget, për fat të mirë, i kam pasur shumë të mirë.

Je shprehur se je e lirshme dhe jeton pa asnjë tabu. Për shembull, nëse të pyesim nëse ke bërë ndonjë aventurë të bukur këtë verë, ç’mund të thuash?

Sado mendjehapur të jesh, secili ka ndonjë tabu. Më shumë se e lirshme, besoj jam e sinqertë. Dukem më aventuriere se ç’jam, por unë gjithmonë fle herët. Kështu që aventura e verës është që arrita shpesh herë ta kaloj orën 12:00 të natës. Gjithmonë më këmbënguljen e mikeshës sime balerinë, Adelës.

Ke arritur të kthehesh në imazh publicitar e duke filluar nga produktet kozmetike e te pushimet apo makinat, mund t’i përfitosh falas?

(Qesh) Asgjë pa punë nuk merret falas. Mundohem që me ato pak kompani që punoj, të jem sa më profesioniste dhe e përkushtuar. Jam mirënjohëse për çdo kompani që bashkëpunoj. Por jo që marr çdo gjë falas. Ca gjëra funksionojnë me klering, ca me pagesë, ca gjëra me mik. Por këto janë pluset e punës që bëj. Po duhet të punosh për këto pluset.

Krijohet përshtypja se vajzat e bukura janë ato që i lëndojnë djemtë. Ty të ka ndodhur që të kanë lënduar?

E kam thënë që nuk e quaj veten të bukur. Dhe seriozisht jam shumë shumë sensitive, ndaj mundohem të sillem shumë mirë me të gjithë, pasi besoj te karma. Preferoj më parë të lëndohem sesa të lëndoj. Dhe sigurisht që jam lënduar! Është mëse normale, njeri jam dhe unë. Vetëm kështu mund të rritesh. Lëndohem nga krenaria dhe egoizmi, qoftë në shoqëri, qoftë në dashuri, qoftë edhe në familje.

Nëse do t’i hyje kinemasë, cilën skenë ikonike erotike do të luaje pa problem dhe më ke partner?

(Qesh) Erotike? Çfarë erotike unë?! Pjesa e Borëbardhës kur më zgjon princi im i së ardhmes nga gjumi mendoj!

      

Related posts

“SHUMAT QË FITOJA SI EKSPERTE E VËRTETË”/ Flet moderatorja sportive seksi: Emisioni që më futi në botën e basteve

Delo.autor

SUAREZ “KAFSHON” SËRISH/ Rimartohet pas 10 vitesh me Sofia Balbin (FOTO)

Delo.autor

MANCHESTER UNITED-LIVERPOOL/ Tifozja e “Djajve të Kuq” nuk përmbahet, shikoni çfarë shkruan në gjoksin e saj (FOTO)

Delo.autor

Leave a Comment