Futboll Sport

FITUESIT E MËDHENJ NË EUROPË PËR 2019/ Messi në majën e Olimpit, Ronaldo në histori me Portugalinë

2019-ta ishte viti i Manchester City-t në Angli

Skuadra e Pep Guardiola fitoi cdo trofe të mundshëm në ishull. Në kampionat City triumfoi pas një dueli të ethshëm me Liverpoolin duke u renditur në vend të parë me një pikë më shumë se The Reds që grumbulluan plot 96 pikë. Citiziens triumfuan edhe në Kupën e Ligës dhe FA Cup ku mposhtën lehtësisht në finale me rezultatin tenistik 6-0 Watfordin. Një sukses i trefishtë historik për Manchester City-t,  objektiv që nuk kishte arritur asnjë skuadër më parë në gjithë historinë e  futbollit anglez.

Në La Liga triumfuese ishte sërish Barcelona

Në një kampionat pa rivalë skuadra e Ernesto Valverdes fitoi titullin e 26-të në histori falë edhe një super Leo Messi kryegolashënues i Primera Division. Në Kupën e Mbretit trofeu shkoi për Valencian që mposhti pikërisht Barcën në finalen e madhe. Sezoni 2018-2019 ishte tërësisht për t’u harruar për dy skuadrat e kryeqytetit Madrid, Realin dhe Atleticon që gjithsesi u renditën mes 3 të parave dhe u kualifikuan në Champions League.

Në Serie A, ishte një tjetër sezon nën dominimin e Juventusit

Bardhezinjtë fituan titullin e 8-të kampion radhazi një rekord absolut ky, pasi skuadrat e tjera ishin të pafuqishme për t’i ndalur në rrugën drejt trofeut numër 35 në Serie A. Me një Cristiano Ronaldo më tepër në përbërje, Juve ishte e pakapshme për skuadra si Napoli, Atalanta e Interi që u renditën në 4-shen e parë. Në Kupën e Italisë suksesi shkoi për Lazion që mposhti në finalen e madhe të Romës, surprizën me emrin Atalanta, një triump që u pasua nga ai i pak ditëve më parë në Superkupën e Italisë ndaj Juventusit, fitore me shifrat 3-1 për Lazion në Arabinë Saudite.

Në Gjermani 2019-ta ishte sërish viti i Bayern Munich

Bavarezët të cilët hasën në konkurencën e fortë të Dortmundit, me Niko Kovac në drejtim arritën të fitonin titullin e 7-të rresht dhe të 29-in në historinë e klubit. Edhe trofeu i Kupës së Gjermanisë u fitua nga Bayerni që mposhti në Berlin 3-0 Leipzig duke arritur suksesin numër 19-të në këtë kompeticion.

Në Francë, ishte një tjetër sezon pa rivalë për PSG që e dominoi nga fillimi në fund kampionatin duke arritur një sukses të lehtë, i 8-ti për parizienët në Ligue 1. PSG dështoi në 2 kupat e vendit, pasi Kupa e Francës u fitua nga Rennes dhe Kupa e Ligës nga Strasbourg.

Ajaxi, pa konkurrentë në Holandë

Në Eredivisie Ajaxi pas një dueli të ashpër me PSV Eindhoven, u shpall në fund kampion i Holandës, ndërkohë që triumfoi edhe në Kupë. Sezoni i shkëlqyer i harkëtarëve me Eric Ten Haag në krye lojtarë si De Jong, De Ligt, Neres, Tadic e Zieyech në fushë u kompletua me arritjen deri në fazën gjysmëfinale të Champions League.

Liverpooli në majën e Olimpit, fiton Championsin

Në Champions League ishte viti i Liverpoolit, që u rikthye në majën e Europës , falë fitores me shifrat 2-0 në finalen të gjithën angleze ndaj Tottenham Hotspur të zhvilluar në stadiumin “Wanda Metropolitano” në Madrid. Për të arritur triumfin e 6-të në këtë kompeticion në historinë e tyre, “The Reds” eliminuan me radhë skuadra si Bayern Munich, Porto e Barcelona.

Chelsea, “Mbreti” i Europa League-s

Në Europa League dominimi ishte i Chelsea-t që mposhti 4-1 në finalen tjetër të gjithën angleze Arsenalin, sfidë e zhvilluar në kryeqytetin e Azerbajxhanit Baku. Maurizio Sarri mposhti Unai Emery në këtë derbin londinez në finale e Europa League dhe falë këtij suksesi italiani fitoi një kontratë nga Juventusi, ndërkohë që Emery u shkarkua nga stoli i Arsenalit disa muaj më pas.

Portugalia dhe Ronaldo në histori, fitojnë Nations LEague

Në eliminatoret e Europianit nuk kishte surpriza pasi të gjitha kombëtaret e mëdha u kualifkuan në fazën finale të Euro 2020 që do të zhvillohet verën e ardhshme në 12 shtete të ndryshme me rastin e 60-vjetorit të Europianit të parë. Emra të tillë si Gjermania, Italia, Spanja, Anglia, Franca, Holanda, Portugalia, Belgjika apo edhe Kroacia do të jenë pjesë e eventit madhor, Euro 2020. Ndërkohë Portugalia triumfoi në edicionin e parë të Nations League pasi mposhti në finale Holandën.

Messi fiton Topin e Artë dhe “Fifa The Best”

2019-ta ishte edhe viti i Lionel Messit, pasi ylli i Barcelonës fitoi dy çmimet më të rëndësishme individuale, FIFA The Best dhe Topin e Artë, duke mposhtur konkurencën e Virgil Van Dijk dhe Cristiano Ronaldos. Messi u bë kështu lojtari që ka fituar më shumë herë në histori Topin e Artë, plot 6 herë.

Related posts

BILANCI TRAGJIK NGA TËRMETI/ Ja kur mund të luhet Partizani-Tirana

Delo.autor

Përballje titanësh, zbulo super ndeshjet që do luhen gjatë muajit shkurt

Q.Autor

“E PADENJË DHE TRISHTUESE…”/ Rivaldo kritikon ashpër Barcelonën për Arthur

Delo.autor

Leave a Comment