Futboll Shqipëri Sport

INTERVISTA/ Koronavirusi dhe futbolli, Albi Alla: Ju tregoj situatën në Kinë

“Në Europë e bëjnë të madhe, në Kinë janë shumë më të qetë se këtu”. Këto janë fjalët me të cilat Albi Alla mundohet të shpjegojë atë që po përjetohet në Kinë në këto ditë, kur emri koronavirus ka pushtuar mediat në të gjithë botën dhe kudo me ankth numërohet rritja e numrit të të prekurve e viktimave prej këtij virusi të panjohur.

Futbollisti shqiptar i cili luan atje me klubin e Shaanxi, është larguar nga Kina në fundin e vitit të kaluar për pushime pranë familjes së tij në Europë, para se të shpërthente kjo epidemi masive që ka izoluar miliona njerëz, por mbetet në kontakte të vazhdueshme me stafin dhe shokët e skuadrës atje.

Në një intervistë për VIP Sport, Alla tregon se si po përjetohet situata në Kinë, në qytetin ku jeton ai dhe se po bëhet gati të kthehet atje, ndonëse tregon se nuk është shumë larg provincës së Vuhan ku ka lindur dhe është përhapur virusi që po tmerron gjithë botën. Alla flet edhe për jetën në Kinë, ofertat dhe kthimin në Superiore si dhe atë ëndërr që vazhdon të ndjekë, kombëtaren shqiptare të futbollit.

Albi, jeni larguar nga Kina me një situatë normale e ajo që po përjetohet tani atje është një situatë anormale. A jeni i shqetësuar se do të ktheheni përsëri atje?

Në fakt perceptimi që vjen nga Kina është krejt ndryshe nga këtu në Europë ku mendoj gjithçka është zmadhuar edhe nga lajmet në media. Atje situata nuk duket apo përshkruhet edhe aq alarmante sa bëhet këtu. Unë jam në kontakt të vazhdueshëm me klubin dhe gjithçka vazhdon sipas normalitetit me planin për sezonin.

Ndërkohë raportohet se futbollistët e ndryshëm të huaj po mendojnë largimin nga kampionati atje dhe është shtyrë fillimi i tij. Ti, si e sheh situatën?

Siç e thashë, jam në kontakte të vazhdueshme me klubin, por edhe me shokët e skuadrës atje meqë tani jam në Europë për periudhën e pushimeve dhe asnjë nuk duket aq i alarmuar. Mendoj se ata që janë alarmuar më shumë në këtë situatë janë familjarët e futbollistëve që i kanë larg. Por atje nuk e përjetojnë në këtë mënyrë si këtu, ndoshta është edhe politika shtetërore që nuk duan ta bëjnë gjërat e mëdha, por për momentin nuk duket sikur e përjetojnë situatën aq katastrofike sa është këtu.

Ti, sa larg je asaj zonës së rrezikut, provincës së Hubei?

Jemi një orë e gjysmë larg me avion, nuk është larg gjeografikisht nga krahina në fjalë sa i përket gjeografisë kur mendon përmasat e Kinës. Por gjithsesi situata sipas informacioneve të vazhdueshme që kam e kontakteve të përditshme, nuk është alarmante. Nuk ka as bllokime lëvizje, jetesa është krejtësisht normale.

Besojmë edhe familjarët tuaj janë shqetësuar po aq sa ata të futbollistëve të tjerë…

Sigurisht, të gjithë dëgjojnë e lexojnë lajmet. Po unë flas me klubin çdo ditë, pasi kemi programin para fillimit të fazës përgatitore e raportojmë për gjendjen, planin stërvitor që na kanë dhënë, etj. Ndaj për momentin them se gjërat janë në rrugën e duhur për të vazhduar normalisht punën sepse atje në provinca të tjera nuk ka pasur izolim masiv a po shpërthim masiv të virusit.

Por është raportuar për shtyrjen e kampionatit…

Po, fillimisht për disa ditë, besoj se mund të shtyhet edhe më tepër, por pastaj kur të rifillojë do të jetë me ndeshje brenda 3 ditëve që të rikuperohet kjo kohë e humbur, asgjë anormale. Ata e bëjnë thjesht si masë parandaluese që të mos kenë grumbullime të mëdha njerëzish në të njëjtin ambient, për të mos favorizuar një transmetim të mundshëm. Mendoj se si ide kanë që brenda 10 ditëve të ardhshme të gjejnë origjinën e këtij virusi dhe ilaçet që duhen për ta përballuar atë, që të jemi të gjithë të vaksinuar para se të mbërrijmë atje për të filluar punën.

Kjo do të thotë se pas 10 ditësh Albi Alla do të udhëtojë drejt Kinës?

Ky është plani për momentin. Për sa kohë që situata është siç e thonë ata jo shqetësuese dhe janë marrë masat e duhura që të mos ketë probleme. Por jemi në kontakt me klubin dhe çdo informacion apo udhëzim e marrim prej tyre.

Albi, ndër të gjithë futbollistët shqiptarë që kanë shkuar në Kinë, ti je ai që është ambientuar më mire atje. Si ka ndodhur kjo?

Kudo që shkoj kam punuar duke dhënë maksimumin tim, jam me fat që jam në një klub të mirëorganizuar e profesionist. Kam pasur menjëherë mbështetje nga të gjithë dhe jam paraqitur mirë. Jam përshtatur me Kinën se është vend i përafërt me ne. Si ne janë shtet me prejardhje nga komunizmi, me baza të edukatës familjare dhe kanë kulturën e punës. Kina më ka pëlqyer shumë, një eksperiencë shumë e bukur e pozitive. Ndaj shpresoj të rri edhe për shumë vite të tjera atje.

Pra ato oferta nga Superiorja për të ardhmen e afërt nuk do i marrësh në konsideratë?

Flas me të gjithë, me shumë respekt e mirësjellje, pasi i njoh dhe kam miq e shokë në çdo skuadër në Shqipëri. Por për momentin diferenca mes Kinës dhe Shqipërisë është shumë e madhe, ndaj mendoj që të vazhdoj karrierën atje. Por e ndjek kampionatin shqiptar, siç thashë kam shumë shokë kudo, e në fundin e karrierës do të dëshiroja të kthehesha përsëri të luaja në një nga klubet shqiptare.

Meqë ndiqni rregullisht kampionatin shqiptar po ju bëjmë pyetjen e zakonshme: A mund të na thoni se kush e fiton këtë vit sipas jush?

E vështirë për ta thënë se ka shumë rivalitet. Por besoj se Kukësi, Partizani, Bylisi dhe Tirana janë rivalët për titull në Superiore. Më ka pëlqyer shumë fakti që Bylisi, një skuadër që vjen nga Kategoria e Parë, po paraqitet shumë mirë në këtë sezon dhe po tregon futboll cilësor mes pretendentëve.

Dikur ishin pjesë e kombëtares shqiptare nga aktivizimi pikërisht në kampionatin shqiptar, a e shihni veten si pjesë e saj në të ardhmen edhe nga aktivizimi në kampionatin kinez?

Pse jo, por nuk është në dorën time. Mendoj se jam në formë të mirë, në formën e duhur për të qenë pjesë e ekipit kombëtar. Ai është një ëndërr dhe objektiv për çdo futbollist. Por e përsëris që nuk është një zgjedhje në dorën time, por të stafit të kombëtares edhe pse mendoj se mund të jap kontributin tim aty.

Related posts

PAS BARAZIMIT NDAJ PARTIZANIT/ Trajneri i klubit azer: Patëm momente vështirësie sepse…

Delo.autor

LIVE/ Eliminatoret e Europianit, Kombëtarja e Mustedanagiç kërkon pikët e para

Isa.Autor

ÇUDIRA SHQIPTARE/ Tifozët mbështesin ekipin me tallava, shikoni momentin e veçantë në Kategorinë e Parë (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment