I ka kaluar 100 tashmë numri i personave të infektuar me koronavirus në Itali. TgCom24 shkruan se janë 90 raste në Lombardi, 25 në Veneto, 2 në Emilia Romagna, 2 në Lazio (çifti i turistëve kinezë në Spallanzani) dhe një rast në Piemonte.
Ka rezultuar pozitiv për koronavirus një pacient i pranuar në kujdesin intensiv në San Gerardo në Monza. Burri ishte transportuar nga spitali i Cremas në atë strukturë për t’i mundësuar ndihmë me qarkullim ekstrakorporal. Në Crema ai ishte shtruar në spital për një krizë të frymëmarrjes dhe testi i koronavirusit ishte negativ.
Numri i personave të infektuar me koronavirus në Veneto është rritur në 25 (përfshirë viktimën). Mes personave të sëmurëve, janë gjithashtu dy të moshuar nga Venecia, të cilët u shtruan në spital në qytet. Kjo u komunikua nga guvernatori Luca Zaia. Vetëm në vatrën e shpërthimit në Vo ‘Euganeo ka gjithsej 19 të infektuar.
Sipas Repubblica.it, janë mbi 50 mijë persona në karantinë në 11 komuna, të cilat janë izoluar. Po kështu autoritetet kanë ndaluar çdo ekskursion për shkollat.