Vendosini zemrën tuaj një pune (profesioni) që bëni dhe jeta do të bëjë pjesën tjetër. Ndonjëherë, kjo nuk është e mjaftueshme. Në të vërtetë, mbase nuk është kurrë e mjaftueshme. Pasioni ndez zjarrin, e ushqen vazhdimisht atë, por është puna me vendosmërinë, ato që mbështesin “flakën”. Për të përcaktuar rrjedhën e jetës dhe parandaluar nënshtrimin ndaj rastësisë. Dhe “zjarri” ngroh motorin e fatit. Kur ndizet “motori”, ju shkoni shumë larg. Igli Tare u fut në këtë “vorbull” dhe, nga Vlora mbërriti në futboll profesional, së pari si lojtar dhe më pas si drejtor sportiv, duke u bërë kështu një nga figurat menaxheriale më të njohura në skenën futbollistike.
“Pas karrierës sime në futboll isha i bindur që do të qëndroja në këtë botë, nuk e dija si menaxher apo si trajner. Jeta ime do të mbetej e lidhur me futbollin, gjithsesi. Ky sport ishte një pikë referimi dhe, kur isha lojtar, mendoja ndryshe nga të tjerët. Unë interesohesha për atë që ndodhte jashtë fushës, u intrigova nga menaxhimi i një klubi dhe kjo më ka ndihmuar shumë gjatë karrierës time. Kur u futa në rrugën e menaxhimit, – rrëfen vetë Tare, – mendova se do të më ndihmonte eksperienca në fushën e blertë. Kam pasur një përvojë të rëndësishme si lojtar, ndaj gjithmonë i thoja vetes që, nëse do të bëja rolin e drejtorit sportiv, do të vazhdoja të arsyetoja me mendjen e një futbollisti. Kjo ka qenë shumë e dobishme, veçanërisht në momentet më të vështira”.
Kjo është një pjesë e shkurtër e rrëfimit të gjatë të drejtorit sportiv të Lazio, Igli Tare, bërë për revistën zyrtare të klubit bardhekaltër, në numrin e muajit korrik. Dalja në treg e edicionit të 116-të të revistës zyrtare të Lazio do të zbulojë edhe intervistën e plotë me Taren. Ndërkohë, humbja 3-0 ndaj Milanit e largoi Lazio nga ëndrra e titullit. Juventusi ka shkuar +7 pikë në krye të Serie A, aktualisht. Sidoqoftë, Igli Tare nuk e pranon dorëzimin, as ngre “flamurin e bardhë”.
Siç është raportuar nga “Corriere dello Sport”, në fakt, edhe në dhomën e zhveshjes së bardhekaltërve, pas disfatës me kuqezinjtë, shqiptari ynë ka përcjellë këtë optimizëm para ekipit: “Ju jeni të fortë, ishit të shkëlqyeshëm një sezon të tërë, të mos dorëzohemi në fund. Le të mendojmë për Lecce. Jeni të lodhur, pushoni dhe harrojeni menjëherë këtë humbje. Ju dhatë gjithçka, mbajeni lart moralin, asgjë nuk ka mbaruar ende”.
