Futboll Sport

“AMERIKANËT KANË SHPENZUAR SHUMË, POR…”/ Tasoti: Milanit i duhen 3 blerje për Championsin

Ka fituar pesë nga shtatë Champons-et, e megjithatë pas një jete si kuqezi, Mauro Tasoti ka zgjedhur Ukrainën si etapë të re të karrierës së tij. Së shpejti do të përfundojë pushimet e do t’i rikthehet përditshmërisë, por ndërkohë, ish-mbrojtësi ka zgjedhur të bëjë një analizë të Milanit nëpërmjet një interviste për “La Gazzetta dello Sport”.

MILANI – “Aktualisht Juventusi dhe Interi janë në të tjera nivele, por nuk më duket se klubet e tjera të Serisë A kanë bërë ndonjë përpjekje shumë të madhe për t’u përmirësuar. Për këtë arsye, mendoj se me pak modifikime në merkato, Milani mund të luajë si i barabartë me të gjitha. Kuqezinjtë nuk kanë asgjë më pak se Roma apo Lacio, por thjesht u duhet pak më shumë kohë që lojtarët të krijojnë bagazhin e përvojës”.

ECURIA – “Aq shumë pikë sa bëri Milani pas pandemisë, nuk janë rastësore. Pioli ka një ‘brumë’ të mirë për të përpunuar, por nëse integron si duhet ndonjë element cilësor, atëherë ekipit do t’i nevojitet vetëm vazhdimësia në rendiment. 2- 3 afrime do të mjaftonin sepse teknikisht ekipi është i vlefshëm”.

FONDI “ELLIOTT” – “Pronarët e klubit kanë shpenzuar shumë, por ndërkohë e gjetën veten edhe me kontrata të rënda siç ishin ato të Higuainit apo Bonuçit. Momenti është i vështirë për të gjithë e unë nuk i fajësoj amerikanët. Tani duhet vetëm që të konfirmojnë lojtarët kyç si Ibra, Rebiç, Benaser e Donaruma”.

tassotti-milan-torino-spaziomilan

MALDINI – “Paolo bën mirë nëse qëndron. Pavarësisht kompetencave që ka apo do të ketë, ai i nevojitet Milanit për emrin, historinë dhe vlerën që ka nëpër botë. Maldini është Milani e pavarësisht se e akuzojnë se ka gabuar ndonjë zgjedhje, unë mendoj se një drejtues nuk kryqëzohet për këto gjëra. Secili ka nevojë për kohë edhe për të gabuar”.

IBRAHIMOVIÇ – “Logjikisht Ibra duhet mbajtur në ekip dhe mendoj se ia vlen që të behet një sakrificë ekonomike. Nga Milani ai ka marrë, por edhe i ka dhënë. Mosha e suedezit është ajo që është, por akordi më duket i mundshëm. Një lojtar gjykohet nga paraqitjet, por edhe nga ato që bën jashtë fushe, e më duket se me Zlatanin janë rritur shumë lojtarë, si për shembull Leao.

Drejtuesit mbase kanë menduar të marrin rrugë të tjera, por është e vështirë të gjesh dikë si Ibra. Pioli nuk do ta ketë të lehtë, sepse ai dëshiron të luajë gjithmonë, por gjithsesi po flasim për një personazh inteligjent me të cilin trajneri ka ditur të ndërtojë një raport solid”.

JUVJA – “Pirlo ka qenë një lojtar i mrekullueshëm, por puna e trajnerit është zanat tjetër e duhet parë nëse e ka në gjak. Përderisa Juventusi e zgjodhi, do të ketë pasur arsye. E di që u përfola edhe unë për të ndihmuar Andrean, por ju siguroj se nuk më kanë telefonuar, e për më tepër jam shumë mirë aty ku jam”.

Related posts

SERIE A/ Drama e Higuainit: Doja të braktisja futbollin prej nënës së sëmurë

Sadik.Autor

NDRYSHIME PËR INTERIN NDAJ SPECIAS/ Inzagi rikthen nga minuta e parë një prej titullarëve

F.autor

U LARGUA NGA KLUBI HOLANDEZ NË MERKATON E VERËS/ Flet mesfushori Shone: Këtu në Itali është…

Delo.autor

Leave a Comment