Futboll Shqipëri Sport

KONTRATA E “JETËS”/ Ja shuma e majme që do të përfitojë Edon Hasani te skuadra turke

Një derë të mbyllet, dhjetë të tjera të hapen”. Një thënie, që konkretizohet menjëherë për mesfushorin shkodran Edon Hasani, i cili fluturoi të martën në Turqi dhe brenda pak orësh firmosi kontratën e jetës.

Ish-lojtari i Tiranës deri para pak ditësh, menjëherë sapo mbylli raportet me bardheblutë ka udhëtuar brenda ditës drejt Ankarasë dhe ka firmosur kontratën me skuadrën e tij të re. Ish-ylli i bardhebluve do të luajë në dy sezonet e ardhshme me Ankara Keçiorenguçunë, një ekip turk që kërkon Superligën e këtij vendi.

MARRËVESHJA – Edon Hasani gjen menjëherë skuadër dhe madje jashtë Shqipërisë. “Panorama Sport” zbuloi dje ekskluzivisht se ish-mesfushori, që u largua nga Tirana si kampion pas përfundimit të kontratës, kish firmosur për klubin turk të Ligës së Parë, Ankara Keçiorenguçu, që mbylli kampionatin e fundit në vendin e shtatë. Mesfushori shkodran ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon.

Skuadra me bazë në kryeqytetin turk synon ngjitjen në Superligë në kampionatin e ri dhe ky transferim i Hasanit vjen në momentin më kulminant të karrierës. 28-vjeçari u kërkua edhe nga Vllaznia e shumë skuadra në Kosovë, por oferta nga Turqia ishte e parefuzueshme dhe ai zgjodhi aventurën jashtë vendit.

RROGAT – Nuk janë vetëm vitet dhe kontrata, por edhe shuma që do të fitojë Edon Hasani është nga ato të parefuzueshmet. Lojtari do të marrë në dy vite 350 mijë euro. Një goditje e madhe për shkodranin, që lë Tiranën si kampion i vërtetë në çdo drejtim. Operacioni u krye falë jo vetëm vendosmërisë së vetë lojtarit, por edhe profesionalizmit të menaxherit të shkodranit Endri Muçmata, i cili mbylli marrëveshjen brenda një kohe rekord.

Për t’u shënuar se Hasani vendosi për këtë marrëveshje, pasi u konsultua edhe me një nga miqtë e tij, ish-lojtarin e Kombëtares, Klodian Duron, i cili e njeh mirë ambientin turk dhe e këshilloi për këtë zgjedhje, pasi e njeh ambientin në Ankara. Hasani do të kthehet në kryeqytet për disa ditë dhe javën e ardhshme do të nisë përgatitjet me ekipin e tij të ri nga Ankaraja. Lojtari shpreson dhe beson të përsërisë sezonin e parë të Tiranës ku shkëlqeu dhe bëri gjëra të mëdha.

Në dy sezone lojtari ka qenë lojtar bazë, ndonëse në kampionatin e fundit ai luajti vetëm dy faza, sepse u dëmtua në sfidën me Kukësin dhe humbi një pjesë të vitit të titullit. Edon Hasani gjatë dy sezoneve të fundit te Tirana ka shënuar 21 gola. Mesfushori i bardhebluve për një gol humbi edhe “Këpucën e Artë” dy sezone më parë.

Related posts

Juventusi ka një ide të çmendur për vendin e Cuadrados, kërkon yllin e Milanit

Q.Autor

“EURO 2020″/ Anglia favorite ndaj Ukrainës, rivalitet i ashpër në Çeki-Danimarkë

Delo.autor

NGA LILA TEK BEHAR RAMADANI/ Ja prapaskenat e merkatos tek Skënderbeu

Delo.autor

Leave a Comment