Partizani vijon të mbetet me merkato të bllokuar edhe pas apelimit në KAS. Ky institucion nuk mori në konsideratë kërkesën e klubit kryeqytetas për pezullimin e efekteve prapavepruese të dënimit të FIFAs, që kishte të bënte me bllokimin e merkatos në dy sesionet në vijim. Pas insistimit të Partizanit dhe kërkesës për gjykim të përshpejtuar të çështjes “Çinari”, KAS-i i Lozanës me një vendim të ndërmjetëm ka njoftuar të kuqtë se efektesht prapavepruese mbeten në fuqi deri në përfundim të procesit gjyqësor që Partizani ka hapur.
Në arsyetimin e tij KAS-i është mjaftuar me faktin se Partizani duke mbajtur grupin e lojtarëve të sezonit të shkuar mund të vijojë pa probleme edhe në edicionin e ri. FIFA e ka ndëshkuar Partizanin për çështjen “Çinari” më 13 korrik. Kështu që KAS-i në arsyetimin e vendimit të dhënë ka bërë të ditur se Partizani duhet të paraqiste para tyre parakontrata apo kontrata transferimi lojtarësh, qofshin këto në formë blerjeje apo huazimi, të firmosura para datës 13 korrik. Por, duke ditur se merkatoja në Shqipëri zyrtarisht hapej pas 20 korrikut, Partizani nuk ka pasur çfarë kontratash të paraqiste, kështu që kjo ka qenë një arsye më shumë për KAS-in që lënia në fuqi e pezullimit të merkatos deri në përfundim të procesit gjyqësor nuk shkakton dëme të pariparueshme.
Konfirmimi për gazetën- “Panorama Sport” iu drejtua para disa ditëve me një e-mail KAS-it në lidhje me çështjen “Çinari” dhe dje ka ardhur edhe përgjigjja. KAS-i konfirmoi për gazetën se nuk ka marrë në konsideratë kërkesën fillestare të Partizanit për zhbllokimin e merkatos, si dhe njofton se procedura e apelimit vazhdon në këtë institucion, por nuk është vendosur data fikse e seancës gjyqësore. Në përgjigjen për gazetën KAS-i konfirmon lajmin e “Panorama Sport” se në procesin e hapur Partizani ka paditur FIFA-n, kroatët e Istras, Vllazninë dhe lojtarin e tyre Erald Çinari, palët të cilat i hapën këtë plagë që po e vuan aktualisht.