Futboll Seria A Sport

“3 PIKËT NË TAVOLINË PROBLEM I NAPOLIT”/ Agnelli i kthehet ministrit Spadafora: Ronaldo nuk e theu protokollin

Pas mbledhjes së ak sionarëve (të mërkurën), presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, ka kërkuar dje një takim me mediat, për të folur mbi ndryshimet e bëra në klub, për bilancet, për çështjen JuventusNapoli, pozitivitetin e Ronaldos (duke ndezur një debat të ashpër në distancë me Ministrin e Sporteve, Vinçenco Spadafora), por pa dyshim edhe për temën e provimit të Luis Suarezit. “Ka qenë një vit sa i ëmbël, aq edhe i hidhur për klubin tonë, si brenda ashtu sikurse jashtë fushe. Rezultatet e arritura nga skuadra e parë, U-23 dhe Juventusi i femrave kanë qenë fantastike, ndonëse janë celebruar pak. Por ka pasur edhe zhgënjime si finalet e humbura dhe eliminimi i parakohshëm nga Liga e Kampioneve që djeg ende shumë. Gjithsesi, duke dëgjuar edhe shumë zëra të fundit në media, dua të saktësoj se Paratiçi, Nedved dhe Kerubini kanë besimin tim të plotë dhe asnjëherë nuk ka pasur një moment kur është menduar largimi i dikujt nga stafi i Juventusit. Përkundrazi, të gjithë jemi më të bashkuar se kurrë dhe punojmë çdo ditë për të planifikuar të ardhmen e shoqërisë”, – bën hyrjen e tij Anjeli, i cili më pas pret pyetjet e gazetarëve.

President cilat janë humbjet në bilanc prej pandemisë?
Na vjen keq për këtë situatë të papritur, sepse në këto 10 vite të fundit kishim rritur që vetëm nga sponsorizimet të kishim 130 milionë euro më shumë sesa një sezon më parë, madje ishin 30 për qind më të larta sesa fitimet nga të drejtat televizive. Fatkeqësisht, në Itali të gjitha klubet vazhdojnë të jenë të varura nga paratë e televizioneve, ndonëse pandemia sivjet na mohoi edhe 500 milionë eurove nga transferimet. Sivjet arkëtuam në total 700 milionë kundrejt 1.2 miliardë eurove të një sezoni më parë. Gjithsesi, si president i Juves mund të them se jam i lumtur pavarësisht vështirësive, duke qenë se në “Instagram” jemi shndërruar në markën italiane më të rëndësishme në botë, duke kaluar dhe “Guçi”-n.

Kalojmë te temat sportive… Duke parë rastet që shtohen, mendoni se Serisë A mund t’i duhet një format i ri, rezervë, i cili mund të zbatohet që në këtë sezon?
Kur një kompeticion nis, rregullat e tij nuk mund të ndryshohen në mes. Sigurisht, një format vlerësohet për ta bërë një turne më joshës nga pikëpamja ekonomike, por unë jam i bindur se protokolli aktual i ka të gjitha dispozitat, që nëse zbatohet në mënyrën e duhur, mjafton për ta mbyllur siç duhet këtë kampionat. Mjafton të jemi të përpiktë në zbatimin e protokollit dhe kaq.

Çfarë mendoni për menaxhimin e bërë nga Sarri në sezonin 2019-2020?
Për sa i përket personit, kam një kujtim shumë të mirë. Mauricio të ushqente respekt dhe shpesh edhe më mahniste, ndaj jam i lumtur që fitoi titullin me ne. Pastaj, për gjërat që ndodhin në dhomat e zhveshjeve nevojitet një alkimi nga ana e të gjithë aktorëve, e cila mesa duket mungoi. Sarri nuk e arriti mesa duket këtë, por ndoshta jo vetëm me futbollistët, por edhe me dikë tjetër.

Duke parë krizën, do ndryshoni strategji financiare te Juventusi? Shkurt, do të ketë ulje të kostove?
Për të kaluar krizat duhen bërë llogari afatgjata dhe shembulli më i mirë për këtë që them është Reali i Madridit. Ky klub madhështor sivjet nuk bleu asnjë lojtar. Unë dua të bëj të pamundurën për të mos prekur pagat, por nuk dua të humbim asgjë nga ana kompetitive. Juventusi kërkon të fitojë sërish në Itali dhe të mbetet pretendent edhe në Europë.

Paratiçi ka rrezikuar ndonjëherë?
Shefi ekzekutiv i klubit tonë, i cili është njëkohësisht edhe drejtori sportiv, është e vërtetë që ka një kontratë deri në 2021-shin, por unë ju siguroj se do të jetë sërish Paratiçi por edhe Kerubini ata që do të planifikojnë strategjitë edhe për 3-vjeçarin e ardhshëm (2021-2024). Sfida e tyre e parë do të jetë titulli i 10-të radhazi.

Iku Sarri u afrua Pirlo… Po e ardhmja e Andrea do të varet gjithashtu nga Champions-i?
Për ju gazetarët kjo gjë nuk ndryshon prej 50 vitesh. Për mua, si president i Juventusit, çdo trajneri që ka ardhur i kam nënvizuar vështirësinë që mbart fitorja e kampionatit, i cili nuk është asnjëherë i sigurt. Prandaj po e ritheksoj, objektivi i Juves është pikësëpari fitorja e gjithçkaje në Itali: kampionat, kupë e Superkupë. Por nëse nuk ia del një sezon, kjo nuk do të thotë se i gjithë sezoni ka qenë një faliment. Pastaj Europa është një temë tjetër, ndonëse unë e kam pranuar se është gjithashtu objektiv i yni.

Si i gjykoni dy daljet e para të Juventusit të Pirlos?
Unë kam mendimin se i gjithë ambienti i futbollit në Itali pret me padurim që në të humbim. Pirlo, jo vetëm që nuk pati kohë të bëjë një fazë përgatitore normale, por është edhe debutues në këtë detyrë. Prandaj, puna e ne drejtuesve të tjerë është që ta shoqërojmë trajnerin në këtë udhëtim të tij, t’i qëndrojmë dhe ta ndihmojmë sa më shumë, në çdo zgjedhje që ai do të marrë. Pastaj, ndjesia ime është se stafi teknik që ka Pirlo është i pari staf modern në futbollin italian, në të cilin çdo figurë ka një rol të saktë në përgatitje.

Si e komentoni fitoren 3-0 në tavolinë kundër Napolit?
Mendoni se kjo çështje mund të shtojë problemet, në këtë periudhë të vështirë? Unë di të them se kjo çështje nuk i përket aspak Juventusit, por vetëm Napolit. Ishin ata që bënë të gjitha zgjedhjet e rastit.

Por po sikur Napolit t’i anulohet në apel humbja 3-0 në tavolinë, ju do të kundërsulmoni duke i kërkuar sërish 3 pikët?
Ne i përmbahemi gjithmonë dhe vetëm protokollit. Kaq di të them.

Do kishit preferuar edhe ju që të mos i lejonit Ronaldos të luante me Portugalinë, duke parë atë që i ndodhi në kombëtare?
Nuk kishte motiv për mos ta lejuar. Mbi “flluskën” që ne bëmë në “Kontinaza” janë thënë shumë të pavërteta. Nuk ishte një karantinë e detyrueshme, por vetëm parandaluese. Kush donte mund ta ndiqte periudhën e izolimit edhe në shtëpinë e tij. Nga momenti në të cilin lojtarët zgjedhin të shkojnë në shtëpi, janë qytetarë të lirë dhe mund të bëjnë çfarë të duan. Futbollistët janë shumë të lidhur me Kombëtaret dhe jam dakord me këtë ndjesi.

Ministri Spadafora tha se Ronaldo ka shkelur protokollin, duke u rikthyer në Itali. Si e komentoni?
Pyesni qeverinë. Unë aplikoj dhe urdhëroj zbatimin e protokollit sportiv në klubin tim. Për pjesën tjetër nuk di të përgjigjem, sepse nuk jam unë ai që mund të ofroj autorizime sanitare apo çdo gjë tjetër. Nëse do, Spadafora të marrë në telefon Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Brendshme, që t’ia shpjegojnë saktë se çfarë protokolli na paska thyer Ronaldo.

Kjo situatë ekonomike mund të krijojë ndonjë pol mes klubeve të mëdha dhe me një plan afatgjatë të mund të nisë të mendohet krijimi edhe i Superligës europiane?
Nga pikëpamja e të drejtave televizive, afrimi i figurave të reja si “Amazon” dhe “Netflix” më pëlqen dhe janë të mirëpritura sepse do të shtonte konkurrencën në një treg që deri tani ka qenë disi i varfër për emrin dhe rëndësinë që përmbledh Seria A. Me ne duket sikur po bëjnë eksperimente, por për sa i përket pjesës tjetër, në 10 vite të presidencës time, është hera e parë që Juventusi, Milani dhe Interi ndajnë të njëjtin interes për të punuar dhe për të rritur rëndësinë e klubeve tona dhe të të gjithë futbollit italian. Me mbështetjen e drejtuesve të Milanit dhe të Stiven Zhangut që i falënderoj, kemi vendosur që të punojmë së bashku, sesa individualisht, pasi kështu do të jemi më të fortë për të marrë atë që meritojmë, që futbolli italian të marrë atë që meriton.

Juventusi u përmend edhe në çështjen e provimit të gjuhës së Luis Suarezit. Cila është e vërteta?
Pikësëpari, për këtë çështje kanë folur në telefonata apo diku tjetër, disa persona që janë betuar për ruajtjen e sekretit institucional, thyerja e të cilave përbën një shkelje të rëndë, siç konfirmoi edhe prokurori Kantone. Juventusi ka zero lidhje në çështjen e provimit të Suarezit. Aq sa edhe pasi ia komunikuam lojtarit dhe menaxherëve të tij se kishim hequr dorë nga mundësia për ta afruar në skuadrën tonë, ishte zgjedhje e futbollistit për të vazhduar me procedurat e provimit, nuk ishte zgjedhje e Juves.

Related posts

LIVE/ FA Cup: Mbyllet ndeshja Manchester United-Liverpool. Rezultati 3-2

Delo.autor

Al-Khelaifi ndodhet në Milano për një mision të veçantë

Sadik.Autor

NDESHJA INTER-FROSINONE/ Borja Valero në “regji”, Icardi ruhet për Tottenham

Isa.Autor

Leave a Comment