Futboll La Liga Sport

“MESSIN S’E LASHË UNË TË IKË”/ Pique vërsulet kundër presidentit Bartomeu: Klubi u soll barbarisht…

Xherard Pike, ngricë totale me Lionel Mesin”, apo “Krisje fatale mes dy kapitenëve”. Kishin qenë këta disa prej titujve bombastike që shoqëruan fillimin e sezonit të Barcelonës, të cilat u dukën të besueshme aq më tepër pas largimit të detyruar nga klubit të Luis Suarezit. Të gjithë edhe tifozët më fanatikë të katalanasve menduan se brenda skuadrës tashmë kishin shpërthyer grupet, duke parë edhe peshën e figurave të Xherard Pikesë dhe Lionel Mesit.

Por kush mendonte se mbrojtësi ishte në luftë të hapur me sulmuesin, atëherë ka bërë gabimin më të madh të jetës, duke parë fjalët e forta dhe mbrojtjen totale që

Pike i ofron “Pleshtit”, në një intervistë bombastike të lëshuar nga numri 3 i kuqebluve, për “La Vanguardian”. Në këtë dalje, 33-vjeçari e nis nga marrëdhënia me Bartomeun, sjellja e klubit ndaj Lionel Mesit, mungesave e figurave në klub e deri të pagat dhe humbja e turpshme 8-2 ndaj Bajernit të Mynihut.

Pike, cila është marrëdhënia juaj me Bartomeun dhe si e gjykoni menaxhimin e situatave të fundit nga numri një i klubit?

Unë jam nga ata persona që nuk dua të merrem me askënd, por së fundmi ka pasur raste, kur edhe unë kam dashur ta them fjalën time dhe shumë madje… Kur mendoj për çështjen e rrjeteve sociale, me klubin tonë i cili ka shpenzuar shumë para, të cilat tashmë na i kërkon mbrapsht, për të sulmuar jo vetëm persona të jashtëm, por edhe ndër ata që kanë një lidhje historike me skuadrën, por akoma më shumë edhe futbollistë që janë ende sot pjesë e klubit, kjo është thjesht barbare. Unë i kërkova Bartomeut një shpjegim se kush është vënë në lëvizje për të paguar para për të na njollosur dhe përgjigja e presidentit ishte: “Xherard, unë nuk e di këtë”. Në fillim premtoj se e besova, por duke parë sesi kanë ardhur rrethanat deri më sot, fatkeqësisht ky person që kreu këto shërbime të fëlliqura është ende një i punësuar i klubit”.

Është Haume Masferrer njeriu që u pagua për të njollosur figurat e Barcelonës në rrjetet sociale?

Personi që i ka bërë këto barbarizma po është Haume Masferrer (këshilltari strategjik i presidentit) dhe më dhemb shumë që ai vazhdon të jetë ende pjesë e klubit. Këtë mendim ia kam thënë edhe Bartomeut, por çfarë doni që të them?! Nëse më pyesni që është e dhimbshme, përgjigja ime është po. Marrëdhënia ime me presidentin mund të ketë qenë prej vitesh e përzemërt, por me ndodhitë e fundit, ka gjëra që brenda meje kanë lënë një shije shumë të keqe.

Bartomeu gaboi, por si do të kishit vepruar ju, pas burofaksit të Mesit, ku kërkonte largimin?

Unë si president do të kisha vepruar ndryshe… Por nëse doni ta dini, isha unë ai që e frenova Mesin që të largohej. Është e vërtetë që së fundmi nuk kam pasur shumë kontakte me Leon, pasi mendova se ai duhej të merrte kohën e tij, duke qenë se bëhej fjalë për një vendim shumë personal. Por tekstualisht, pasi kërkoi largimin unë i thashë vetëm një fjali: “Leo, duro vetëm një vit. Shpejt do të vijnë njerëz të rinj në drejtimin e klubit”.

Kur mendon trajtimin që i bënë Mesit, çfarë të vjen të mendosh?

Pikësëpari unë kam arritur të kuptoj atë që e shtyu Mesin ta bëjë diçka të tillë. Po flasim për lojtarin më të mirë të historisë së futbollit dhe të Barcelonës, i cili zgjohet një ditë të bukur dhe kupton që askush nuk po i dëgjon më asnjë fjalë. Dhe ne si klub çfarë bëmë? Në vend që të ishim të lumtur dhe të bekuar që kishim në skuadër më të mirin dhe e godasim nga të gjitha anët dhe në çdo mënyrë! Është tronditëse, thjesht makabritet, ndërkohë që Leo meriton krejt të kundërtën. Madje, nëse doni mendimin tim, stadiumi i ri i Barcelonës duhet të mbajë fillimisht emrin e Lionel Mesit dhe pas tij të vijë emri i sponsorit.

Ne duhet t’i ruajmë figurat tona, jo t’i diskreditojmë ato. Kjo më bën të nervozohem. Përveç Mesit duket se edhe shumë legjenda të tjera katalanase janë injoruar me dashje… Po! Më habit që njerëz si Guardiola, Pujol, Ksavi apo edhe Valdes nuk janë pjesë e klubit. Që diçka nuk po bëhet si duhet këtu kjo dallohet qartë, por ne duhet t’i mbrojmë këta njerëz, ata janë pjesë e historisë së klubit dhe nëse sot Barcelona është kjo që të gjithë njohim, është edhe për meritë të tyre. Prandaj, ne duhet të shtyjmë që njerëz si ata të punojnë këtu, jo të kundërtën.

Me shumë pakënaqësi, por je ndër ata që kanë pranuar të presin pagën dhe me 50 për qind madje…

Si kapiten unë me vendimin tim mbroj interesat e ekipit dhe e kam marrë vendimin pa pasur asnjë dyshim. Madje, grupi është shumë i bashkuar, por flas për skuadrën, për dhomat e zhveshjes, ndonëse dikush mund të thotë se skuadra është e përçarë apo diçka tjetër. Dhe këto zëra dolën pasi shumë prej nesh ishin të shpërndarë në kombëtaret respektive, duke na futur në një thes me pjesën tjetër të punonjësve të klubit. Personalisht mendoj se secili lojtar duhet të vendosë individualisht dhe të pranojë ose jo propozimin e klubit. Por ta bësh me detyrim këtë gjë, unë nuk jam absolutisht dakord.

Është vërtet Barça në krizë ekonomike?

Me komunikimet që kam pasur unë dhe lojtarët e tjerë me klubin, mendoj se pandemia ka goditur mjaft themele ekonomike. Por unë mendoj se Barça vjen mbi këdo, Barcelona më ka dhënë gjithçka, ndaj unë jam vënë në dispozicion të klubit që sivjet të kursehen një grusht parash, të cilat do të na rishpërndahen në të ardhmen.

Diçka u kris që pas shkarkimit të trajnerit Valverde, apo jo?

Kush e mori dhe si erdhi ky vendim? Argjentinasit kanë një shprehje: “Dita më e lehtë për të folur është në gazetën e të hënës”… Kjo, sepse gjakrat një ditë pas ndeshjes mund të jenë shumë të nxehtë, por unë nuk kam sesi ta di se çfarë do të kishte ndodhur nëse ai do të kishte qëndruar. Personalisht di se pasi fitova dy kampionate me Valverden dhe ndihesha lider me atë, shkarkimi i një trajneri në mes të një sezoni konfirmon se nuk kemi një projekt stabël dhe konkret si klub. Për mua nuk ishte logjike një shkarkim i tij. Por di të them se një grup drejtuesish na thirrën në një mbledhje ku na transmetohet një mesazh, që edhe ne futbollistët duhej ta aprovonim. Ndërkohë, përgjigja e ne futbollistëve ishte: “Zotërinj, për shkarkimin e Valverdes është një vendim që duhet të merrni dhe ta mbani ju përgjegjësinë”.

Ndërkohë, bomba shpërtheu pas humbjes turpëruese 8-2 ndaj Bajernit…

Kur humbet duhet të bësh autokritikë. Por nëse humb kundër Bajernit me atë rezultat, në atë mënyrë të shëmtuar, do të thotë se ke dalë totalisht jashtë rutinës historike si klub. Dhe diçka e tillë nuk ndodh sot për nesër, ndonëse pas humbjes 8-2 prekëm të gjithë fundit. Pas disfatave si kjo, të gjithë duhet të fikim gjithçka, të nisim gjithçka nga zero.

Por për të rinisur kërkohet përulësi, të ecurit të gjithë në një drejtim. Ndoshta është e vërtetë që herë pas here duhen bërë edhe ndryshime, pasi ishim mësuar prej vitesh me një stil loje, pse jo edhe me të njëjtin stil bashkëjetesë në klub. Por po kaq e vërtetë është që ndryshimi nuk duhet të jetë i menjëhershëm, nuk është mirë të ndryshosh gjithçka brenda një dite, por pjesë-pjesë, me kalimin e kohës. Dhe mendoj se tashmë te Barcelona ka ardhur koha që shumë gjëra të ndryshojnë…

Related posts

PREMIER LEAGUE/ Firmino rinovon për 5 vite me Liverpool

Sadik.Autor

Gatuzo sherr me gazetarët pas disfatës: Mos më pyesni për Montelën!

Sadik.Autor

TË PAPËRMBAJTSHËM/ Aston Villa fundos “Topçinjtë” me dy gola në 3 minuta (VIDEO)

Delo.autor

Leave a Comment