Futboll Sport

MALDINI SHERR ME GAZDHISIN/ Dyshja mendon largimin, zbulohen shkaqet e përplasjes

Ivan Gazidhis, i përfshirë në mënyrë aktive në projektin e Super Ligës, veproi në favor të fondit “Elliott”, por pa e informuar Paolo Maldinin i cili nga ana e tij mohoi të kishte dijeni për nismën e Milanit për të themeluar dhe marrë pjesë në Super Ligë. Plani i 12 klubeve nuk ka dështuar përfundimisht sepse, përveç “Djallit”, edhe Reali, Barcelona e Juvja janë ende aktive.

PËRPLASJA – Megjithatë, situata e krijuar mund të ketë pasoja të rënda për kuqezinjtë. Në “Casa Milan” duket se ka një përplasje të re mes administratorit dhe drejtorit teknik të kuqezinjve. Teksa Maldini deklaron hapur se është në anën e tifozëve e se nuk ka dijeni për aktivitetin e klubit në kuadër të Super Ligës, Gazidhis nuk heq dorë nga projektet e tij futuristike për të përmirësuar Milanin në aspektin financiar.

Sidoqoftë, në vitin e fundit kemi parë se përpjekjet e tij për revolucion kanë përfunduar gjithmonë me humbje. Fillimisht orvatja për t’i besuar Ralf Rangnikut e tashmë Super Liga janë dy dëshmi të qarta të dështimeve të tij në planin menaxherial, pavarësisht se arkat e klubit kanë shënuar rritje si pasojë e akordeve me sponsorë niveli si “BMW”, “EA Sports” apo “Bioscalin”.

 

PASOJAT – Përplasja e re mes dy drejtuesve pritet të ketë pasoja, siç kanë qenë ato të së mërkurës pasdite kur dyshja thuhet se ka pasur një debat të ndezur. Mediat raportojnë se Gazidhis ka pasur edhe dëshirë t’i shpjegojë ekipit Super Ligën, por kjo nismë është frenuar pikërisht nga Maldini që i ka kërkuar të mos përziejë çështjet strategjike me lojtarët.

Në këto kushte, nga njëra anë përflitet dorëheqja e Gazidhisit, i cili mbetet njeriu më i besuar nga pronarët e fondit “Elliott,” të cilët ia kanë besuar të gjithë strukturën financiare të Milanit. Nuk dihet ende vendimi i afrikano-jugorit, por në fund të sezonit mund të ketë skenarë të rinj. I njëjti diskutim vlen edhe për Maldinin që nga i ngritur në piedestal për shkak të vlerave që po tregon si njëri merkatoje, e gjen veten në një situatë të sikletshme si ajo e Super Ligës për të cilën deklaroi se nuk ishte vënë në dijeni.

Legjenda mund të ketë marrë një tjetër sinjal aspak të mirë, ndaj nuk do të ishte çudi që edhe ai te jetë duke menduar për një largim të mundshëm. Në një situatë të komplikuar në rang klubi, por edhe rezultatesh, tashmë topi kalon në këmbët e skuadrës e cila do të duhet të ruajë një vend mes katër të parave për të mos e shndërruar këtë sezon nga themel në rrënoja për të menduar në verë një tjetër revolucion milanist.

Related posts

Inter, zbulohen 10 emrat e Ausilio për Champions League

Sadik.Autor

SOCIEDAD-REAL MADRID/ Zidane vendos titullarë Odegaard dhe Rodrygo (FORMACIONET ZYRTARE)

Delo.autor

VLERAT AKTUAL NË TREG/ Hysaj në vend të dytë, ja futbollistët më të shtrenjtë të Kombëtares

Delo.autor

Leave a Comment