Futboll Seria A Sport

“THYEN DOMINIMIN E JUVENTUS”/ Ish-mbrojtësi “Zikaltër” zbulon sekretin: Prapavija dhe sulmi, specialitetet e Contes

Një si ai, me Antonio Konten do të kishte luajtur në çdo rol të prapavijës, nisur mbi të gjitha nga karakteri që tregonte në fushë, nga mënyra e përshtatjes dhe për nga cilësitë prej lideri. Nikolas Burdiso vazhdon të jetë në zemrat e tifozëve të Interit, duke qenë se në Milanon zikaltër ka fituar 4 tituj kampion, 2 Kupa Italie dhe 3 Superkupa. Sot e kësaj dite, Burdiso është drejtor sportiv te Boka Zhunjors, por kur pyetet për Interin ai nuk kursehet kurrë, duke i ngritur në piedestal punën e bërë nga Antonio Konte, por në të njëjtën kohë edhe soliditetin e prapavijës De Vraj-Shkriniar-Bastoni dhe dy sulmuesit, Lautaro Lukaku.

Nikolas, vazhdon ta ndjekësh ende Serinë A?

Sigurisht, pasi puna që bëj më detyron të jem gjithmonë i azhurnuar. Por më duhet ta pranoj se më pëlqen shumë edhe Seria B, ku Venecia dhe Empoli janë dy skuadra që luajnë shumë bukur. Edhe unë jam pajisur tashmë me patentën e UEFA-s për të punuar në Europë. Kam pasur kontakte me mjaft klube, por do më pëlqente të kthehesha në Itali.

Si e gjykon këtë kampionat?

Niveli është rritur shumë dhe kjo për meritë të rritjes së skuadrave si Atalanta, Sasuolo apo edhe Specia që deri 10 vite më parë ishin thjesht një garniturë në Serinë A. Ndërsa sot dinë të komandojnë lojën dhe mbi të gjitha po rrisin të rinj që e gjitha Europa i lakmon.

Duke mbetur te 10 vitet më parë duket se diktatura Juve po përfundon?

Ndryshimi ishte në ajër, pasi Juventusi dominonte prej 9 vitesh radhazi. Vetëm kur e mendon sesa gjatë e kanë bërë këtë të sjell dhimbje koke, por nuk ka asnjë skuadër që mund të fitojë gjithmonë. Gjithsesi, ajo që më lumturon më shumë është fakti se këtë diktaturë po e thyen Interi. Në të njëjtën kohë pranoj se u habita kur Juvja vendosi që t’ia japë drejtimin Pirlos. Ndoshta e kanë kritikuar shumë, por shumë ide që kam parë sot te Juventusi më pëlqejnë. Andrea ka bërë një punë vërtet interesante, por një trajner i ri nuk duhet të gjykohet vetëm nga rezultatet. Prandaj shpresoj që në Torino ta mbrojnë figurën e Pirlos dhe ta konfirmojnë, pasi më të mirën do ta japë sezonin e ardhshëm. Jam i sigurt.

Tani të flasim për Konten, që si specialist regjistroi mbrojtjen dhe Interi ka nisur të fluturojë. Mendon se është vetëm një rastësi?

Absolutisht jo. Në çdo vend të botës është mbrojtja ajo që të dhuron titullin, ndërsa në Champions, në një Europian apo një Botëror ku luhet me ndeshje me eliminim direkt ndryshon çështja. Por, kur duhet të luftosh për 8-9 muaj me radhë dhe me 38 ndeshje në kampionat është soliditeti i prapavijës ai që bën ndryshimin.

Dhe në mbrojtje Konte nuk ka ndryshuar thuajse kurrë…

Antonio nuk është nga ata tipa që i pëlqen të ndryshojë. Maksimumi mund të alternojë anësorët e mesfushës, por mes mbrojtjes dhe sulmit nuk është se prek shumë gjëra, nëse nuk e detyrojnë faktet. Pastaj, kur mendoj për Shkriniar, De Vraj e Bastonin së bashku thjesht nis të fantazoj. Janë një trio që kompletojnë totalisht njëri-tjetrin, por nëse këto cilësi janë shkartisur në këtë mënyrë fantastike është vetëm meritë e Kontes. Ndoshta dikush nga miqtë e mi interistë do të mërzitet, por Antonio arriti ta krijojë edhe në Milano mbrojtjen “bunker” me 3 lojtarë siç bëri në 3 vitet e tij te Juventusi. Zgjuarsia e Kontes është që çdo vit punon për të kolauduar çdo repart, por duke e ditur gjithmonë se është mbrojtja që të jep titullin, por edhe sulmuesit duhet të mbrojnë njësoj si prapavija.

Na e shpjegon këtë?

Dy sulmuesit, në rastin e Interit Lautaro e Lukaku duhet të punojnë si një mekanizëm i vetëm: të kenë distancat e duhura nga njëritjetri, të jenë gjithmonë në lëvizje për të mos dhënë pika referimi dhe të jenë gjithmonë në gjallërinë e lojës. Por mbi të gjitha, duhet të jenë Lautaro e Lukaku të parët që duhet të sakrifikohen kur nuk është Interi që ka topin në zotërim. Për ta bërë këtë nevojitet inteligjencë taktike dhe cilësi fizike, dy karakteristika që Lukaku e Lautaro i kanë dhe i bëjnë ata një dyshe perfekte, por në të njëjtën kohë një dyshe që meriton duartrokitjet edhe të rivalëve. Sekreti i tyre mendoj se ishte përshtatja në një kohë tmerrësisht të shpejtë, por kjo falë ideve të lojës dhe gatishmërisë për të mësuar nga “mjeshtri” Konte.

Related posts

SYNON PËRFORCIME NË EKIP/ Manchester United hedh sytë tek Milan, kërkon “rrëmbejë” yllin…

Delo.autor

HUMBJA E TURPSHME NDAJ BYLISIT/ Ish-lojtari i Kombëtares: Dënojini dhe hiquni 15 ose 20 pikë, Halili e tregoi…

Delo.autor

(VIDEO) Bournemouth i bën ‘gjëmën’ Arsenalit, përmbysje në vetëm 4 minuta

Q.Autor

Leave a Comment