Hansi Flik i parakalon të gjithë për të zënë stolin e Barcelonës si trajner për sezonin e ardhshëm. Gjermani, i cili ka qenë trajner i Bajernit gjatë gjithë këtij sezoni do të largohet pas përfundimit të tij. Arsyeja e largimit të tij është fakti që u zgjodh nga Federata Gjermane e futbollit si pasardhësi i Joakim Lëvit. Por, në ditët e fundit sulmi nga Barcelona për ta bindur që të marrë drejtimin e katalanasve ka qenë i madh dhe ka bërë që Flik të lëkundet. Laporta ka bërë gjithçka për t’i ndryshuar mendjen, edhe pse kjo nuk është aspak i lehtë.
Nuk bëhet fjalë për një problem kontratash, pasi ende nuk ka një dokument të firmosur mes tij dhe federatës gjermane. Sipas “Rac1” problemi është që ka një marrëveshje verbale të Flikut dhe drejtuesve, e cila u arrit përpara disa javësh dhe tani është gati që të prishet. Kjo është situata në këto momente në kampin e Gjermanisë dhe atë të Barcelonës.
I përzgjedhuri – Flik është alternativa e vetme për momentin dhe më e besueshmja, sepse të gjithë emrat e tjerë që kanë qarkulluar nuk do të vijnë në Barcelonë. Pavarësisht gjithçkaje që është thënë për Ksavi Hernandezin, nuk ka asnjë mundësi që ai të marrë drejtimin e Barcelonës për sezonin e ardhshëm. Laporta kurrë nuk e ka pëlqyer këtë opsion. Ksavi ishte premtimi i Viktor Fontit si kandidat për president, por duhet të presë. Laporta e di që ai i ka miq dhe shokë disa nga lojtarët më të vjetër të klubit katalanas dhe për këtë arsye nuk është i predispozuar që të bëjë revolucion në skuadër, por do t’u besojë atyre.
Hansi Flik shihet si i duhuri, pasi në dy sezone te Bajerni arriti të ndryshonte fytyrën e skuadrës gjermane duke triumfuar edhe në Ligën e Kampionëve. Futbolli i tij është i shpejtë dhe sulmues, çka i pëlqen tmerrësisht Laportës. Për këtë arsye është gati të bëjë gjithçka për ta marrë në ekipin katalanas “gjeneralin” e heshtur që e duan të gjithë futbollistët. Barcelona ka nevojë për këtë gjë për të nisur një projekt ambicioz. Flik fillimisht duhet të braktisë nga mendja e tij idenë për të drejtuar kombëtaren, por Barcelona është një emër që e josh shumë dhe nuk do të mendohej dy herë.