Futboll Seria A Sport

NGA E KUQJA TEK E ZEZA/ Sezon me dritëhije, Champions-i në dy anët e medaljes së Milan-it

Milani nuk njeh rrugë të ndërmjetme. Bie, ringrihet, zhytet, por ngre përsëri kokë e më pas gjen kohë për të dhuruar magji e për të zhgënjyer përsëri. Dy fytyra praktikisht, por nëse e kuqja nuk shqetëson shumë, e zeza të kall datën. 0-0 me Kaljarin ka vendosur në rrezik serioz shanset e “Djallit” për një vend mes katër më të mirave të kampionatit.

Vështirë të deshifrohet ecuria e kuqezinjve gjatë këtij 2021-shi sepse disfatat me Sasuolon e Lacion u shoqëruan nga një rizgjim me Beneventon e nga paraqitje të lavdishme kundër Juves e Torinos. Kur pritej hapi i madh, ekipi i Piolit u ndal përballë një rivali që kishte siguruar mbijetesën. Kuqezinjtë të dielën treguan fytyrën e tyre më të shëmtuar duke iu qasur takimit në mënyrë të vakët, pa kthjelltësi e me frikë për të dhënë goditjen përfundimtare.

E KUQJA… – Ja që Milani ka aspekte të cilat shtyjnë për një pozicionim pozitiv. Pas asaj që kemi parë sivjet, Donaruma duket si një pikënisje shumë e mirë. Dy pritjet ndaj Kaljarit mbajtën skuadrën në lojë dhe konfirmuan prirjen e portierit për të qenë vendimtar vazhdimisht. Për t’u vlerësuar është edhe fakti që 22-vjeçari nuk lejon që atmosfera e rinovimit të ndikojë në paraqitjet në fushë. Mbase jashtë fushe ka rënë pre e emocioneve, por brenda saj është i akullt e kjo i bën mirë ekipit. Një tjetër aspekt pozitiv i Milanit është mbrojtja që nuk pëson gol prej tri ndeshjeve radhazi. Përvoja e Kjaerit dhe eksploziviteti i Tomorit duken si një armë e mirë ndaj Atalantës që ka edhe sulmin më të mirë të kampionatit.

E ZEZA – Barazimi me Kaljarin vuri në pah edhe gabimet e Piolit në zgjedhje. Meite në vend të Benaserit ishte vendimi më i dobët i mbrëmjes sepse nuk erdhën efektet e pritura. E nëse dalja e Diazit pranohet, vështirë të shpjegohet se çfarë mund të bënte Manxukiçi në minutat e fundit. Pioli tha se kroati nuk kishte minutazh pasi ishte stërvitur pak, por me gjithë respektin, 7 minuta (2+5 shtesë) janë akoma më pak për të pritur që Manxu të ofronte paraqitjen më të mirë të sezonit. Një tjetër notë e stonuar ndaj Kaljarit ishte ajo e prodhuar nga Rebiç e Çalhanoglu.

Në moshën 27-vjeçare dy lojtarë me përvojën e tyre duhet të jenë në gjendje të bëjnë diçka më shumë për të vendosur ndeshjet, aq më tepër kur janë të rëndësishme. Vazhdimësia ka qenë gjithmonë një “thembër Akili” për kroatin e turkun që kanë alternuar gjithmonë paraqitje të larta me mungesa të pajustifikueshme. Te Milani shpresojnë që Çalha dhe Ante të ofrojnë versionin e tyre më të mirë ndaj Atalantës. Edhe sepse Ibrahimoviç, mund të kontribuojë vetëm me korda zëri në Bergamo.

Related posts

BARCELONA KAPITULLON NË FUND/ Humb pikët e para pa Messin dhe Suarez (VIDEO)

Delo.autor

Unai Emery: Neymar do të luajë në ndeshjen e fundit të Ligue 1

Sadik.Autor

U ARRESTUA PËR PËRNDJEKJE NDAJ ISH-GRUAS/ Gjykata jep masën e sigurisë për Klodian Duro, ja dënimi që merr

Delo.autor

Leave a Comment