Pak ditë pasi shpalli “divorcin” me Besën, sulmuesi Jurgen Peqini transferohet në Kosovë. Ai do ta vijojë karrierën te Llapi, me të cilët ka firmosur kontratë 3- vjeçare.
Te kavajasit nuk mund të flitet ende për afrime, ndonëse negociatat vazhdojnë. Është Ndriçim Kashami ai që zbardh planet e merkatos dhe rrëfen se është ekskluzivitet i presidentit.
Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri thotë: “Lidhur me merkaton, mund t’ju them se stafi teknik përcakton rolet ku ekipi ka nevojë për përforcime. Më tej, meqenëse është presidenti ai që paguan për afrimet, mbetet e drejta e tij të bisedojë me futbollistët e të bëjë të mundur firmosjen e kontratave. Për mua, rëndësi themelore merr kompletimi i infrastrukturës. Përse mendoj kështu? Po shiheni efektin që ka dhënë shfrytëzimi i aneksit stërvitor. Falë tij ekipi stërvitet edhe në dimër në kushte komode dhe falë ndriçimit evitohen stërvitjet në pikun e nxehtë të verës. Produkti real i kësaj mbeten prurjet jo vetëm në numër, por edhe sa i takon cilësisë nga moshat.
Mjafton t’i citoj 3 portierët: Dobjani, Dajsinani te Skënderbeu dhe Pujën tek Egnatia, më herët Lushkja, Deliu, Cara e të tjerë futbollistë. Nëse më lart citova dobinë që solli shfrytëzimi i aneksit stërvitor, finalja mbetet ndeshja, ajo e cila të shpërblen djersën. Në këtë kuptim, është e pafalshme që me gjithë premtimet e herëpashershme ende nuk kanë nisur punimet në ndërtimin e stadiumit ‘Besa’. Vështirë të ngjitesh në Superiore sado grup të mirë lojtarësh të kesh nëse sot luan në Lushnjë, nesër në Peqin e pasnesër në PezëHelmës. Si trajner, por mbi të gjitha si kavajas, apeli im shkon për Bashkinë Kavajë, KS Besën e FSHF-në, që sa më parë të nisin punimet për stadiumin. Qoftë dalja edhe kampion Superioreje nuk të shijon teksa nuk kënaq e argëton tifozët e qytetit tënd”, e mbylli Kashami.