Futboll Sport

“NUK MUND TA ZËVENDËSOJ BUSQUESTS”/ Mesfushori Alcântara: Vaksinimi? Jemi me fat që e bëmë dozën e parë…

Thiago Alcântara nuk guxon që të marrë për sipër të zëvendësojë Sergio Busquets. Mesfushori “magjik” i Spanjës thotë se kapiteni është një lojtar fantastik dhe që luan prej vitesh në nivele të larta. Në një intervistë për gazetën “MARCA”, lojtari i Liverpulit tregon edhe momentet e vështira që po kalon skuadra pas rasteve me COVID.

Si është situata e Spanjës?

Jemi në një pikë ku ne po bëjmë gjithçka që na thonë. Duam të shkojmë në ndeshjen e parë të përgatitur dhe të motivuar. Unë e shoh skuadrën që stërvitet në mënyrë spektakolare, pavarësisht kësaj situate. Vërtet mendoj që do të bëjmë një debutim të mirë në Europian.

Mesazhi që Luis Enrike po transmeton në konferencë është edhe brenda skuadrës?

Është identike. Jemi të mësuar me këtë situatë. Prej një viti e gjysmë jemi duke bashkëjetuar me COVID-in. Jemi mësuar të punojmë në mënyrë individuale ose kolektive. Por objektivi ynë është që të jemi sa më kompetitivë.

Si ishte momenti kur ju thanë se Buskets ishte pozitiv?

Jemi duke folur për lojtarin me më shumë ndeshje dhe me më shumë eksperiencë në këtë skuadër. Serxho është i rëndësishëm këtu në skuadër, është kapiteni ynë. Është karizmatik për ne. Mëkat i madh që ndodhi kjo gjë. Për më tepër ai është miku im. Shpresojmë që shumë shpejt të rikthehet me ne.

Luis Enrike tha se ishte i sigurt për rikthimin e tij.

Po. Temën e virusit nuk mund ta kontrollojmë. Kemi shpresën që ai mund të rikthehet dhe të jetë pjesë e grupit.

Si janë orët e pritjes mes testit dhe rezultateve. Keni frikë?

Frika ishte në epokën e parë të pandemisë. Ishte diçka e panjohur për të gjithë botën. Nuk e dinim as çfarë do të ndodhte. Për këtë aspekt kishte frikë. Kur u preka nga virusi doja thjesht të izolohesha dhe nuk doja asnjë njeri pranë meje. E kalova keq, por jam i bindur që ka edhe të tjerë që e kalojnë më keq sesa unë dhe për fat të keq ka pasur edhe humbje jete.

Si sillen lojtarët me ata që janë të prekur me COVID?

Mendoj se pak nga pak po përshtatemi me të gjithë. Është diçka me të cilën duhet të bashkëjetojmë jo vetëm në futboll, por edhe në jetën tonë. E gjithë bota dhe profesionistët po luftojnë dhe po na ndihmojnë që ta kalojmë këtë moment.

Si shkoi situata me vaksinimin?

Jemi me fat që e bëmë dozën e parë. E di që tani do të kemi më pak rrezik, por para së gjithash duhet të mendojmë edhe për njerëzit që janë më të rrezikuar.

E kuptoni që ka disa njerëz të bezdisur për faktin që kombëtarja u vaksinua?

Sigurisht që po. Vaksina është diçka shumë e kërkuar në këtë moment. Ne do të prezantojmë Spanjën në Europë dhe duam t’i bëjmë krenarë njerëzit tanë.

Si kalohet koha në këtë situatë?

Po stërvitemi me vështirësi. Po qëndrojmë jashtë, por me distancë. Por edhe në dhomat tona kemi shumë gjëra për të bërë, si analizimi i kundërshtarit, shohim futboll, bëjmë telefonata. Por jemi mjaftueshëm të rritur për të ditur të përballojmë këtë situatë.

Mund të ndikohet ecuria e kombëtares nga afrimi i lojtarëve që nuk kanë qenë në skuadër?

Nuk e besoj. Jemi një ekip që kemi punuar me detaje dhe kemi mekanizma të përcaktuar. Mund të futen lojtarë që kanë qenë pjesë e grupit deri tani. Për mua është fat i madh që jam pjesë e kësaj skuadre që ka 36 futbollistë. Duhet t’i falënderojmë për atë që po bëjnë.

U befasuat që lista ishte me 24 dhe jo me 26?

Është një vendim i trajnerit. Nuk më takon mua të flas për këtë gjë. Puna ime është të luaj.

Nëse Buskets nuk do t’ia dalë, mund të luani ju në pozicionin e tij?

Ne sigurisht që besojmë të rikthehet. Nëse nuk do të kemi një mesfushor si Rodri, nuk është nevoja. Kemi shumë lojtarë që mund të luajnë kudo.

Çfarë ju ka sjellë aktivizimi në Angli?

Premier Liga ka më shumë ritëm. Topi është më aktiv dhe loja nuk ndalet shumë si në ligat e tjera. Çdo ndeshje është e luftuar.

Edhe në Spanjë ka më shumë ritëm.

Futbolli spanjoll po ndryshon shumë në vitet e fundit. Jemi më taktikët dhe më teknikët në Europë. Spanja po përshtatet mirë me idetë dhe teknologjinë.

Ju keni punuar me trajnerë si Guardiola dhe Klop. Si është Luis Enrike?

Unë e njoh që nga koha kur ka qenë trajner i Barcelonës B. Ka ide të qarta, dëshiron shumë presing pas humbjes së topit dhe zotërimin e shumtë.

Është kaq i drejtpërdrejtë si në konferencat për shtyp?

Po. E mira është që Enrike është gjithmonë njëlloj. Nuk ka diferenca dhe flet me të gjithë pa doreza.

Related posts

ELSEID HYSAJ RIKTHEHET TEK NAPOLI/ Por Ancelotti mahnitet me “rivalin”…

Delo.autor

SFIDA NDAJ JUVENTUS/ Trajneri Spalletti: Fillimi i vështirë është një avantazh për “Bardhezinjtë”

Delo.autor

LIVE/ Shqipëri-Turqi, Starton pjesa e dytë. Panucci nuk bën ndryshime në formacion

Delo.autor

Leave a Comment