Futboll Sport

BELGJIKË-ITALI/ Trajneri Martinez: De Bruyne dhe Hazard? Është një vendim i stafit mjekësor

Belgjika i afrohet çerekfinales kundër Italisë për “Euro 2020” dhe projektorët janë të gjithë të drejtuar për formën e De Bryjnes dhe Eden Hazardit:

“Nuk janë stërvitur, por kemi edhe 24 orë të tjera që do të mund të bëjnë vetëm mirë për riaftësimin, – komentoi dje në konferencën për shtyp trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez. – Është një luftë kundër kohës, jo parataktikë, por po punojmë në optikën e turneut dhe jo vetëm të një ndeshjeje. Do të vendosë stafi mjekësor”.

KONSULTIM – “Fakti që hanë tri vakte në ditë është i rëndësishëm, më pas do të shikojmë nesër (sot). A është një taktikë jona? Jo, qëllimi është të kem lojtarët në gatishmëri. Nëse nuk do të jenë nesër (sot) në fushë, duam t’i kemi në dispozicion për më prapa. Nuk është as arrogancë. Për Edenin është e vështirë, ka një dëmtim muskulor, ndërsa për De Bryjnen bëhet fjalë për një problem në ligament, një tjetër tip dëmtimi. Është një vendim i stafit mjekësor, jo futbollistik. Megjithatë, do ta marrim vetëm pas një konsultimi me stafin”.

PRECEDENTI – Martinez ka sfiduar në disa raste Roberto Mançinin si trajner, duke humbur gjithmonë përveçse një herë: në finalen e Kupës FA të vitit 2013 me Uiganin e tij, duke fituar turneun. Disfatë që i kushtoi shkarkimin trajnerit italian. “Është magjia e futbollit anglez, – ka kujtuar. – Ishte diçka e veçantë për mua dhe një frymëzim për të gjithë”.

ITALIA DHE MANÇINI – Sfida e sotme parashikohet ndërkohë spektakolare brenda dhe jashtë fushe: “Sipas meje, luajnë dy skuadrat më të forta të këtij turneu. Kemi fituar 14 ndeshje mes kualifikimit dhe turneut ashtu si vetëm Gjermania. Është mëkat që sfidohemi tani, por do të jemi gati. Kam shumë respekt për Italinë, një skuadër me elementë të mëdhenj individualë dhe dinamizëm. Mbrohen si skuadër dhe cilësia e tyre më e mirë është loja, merita është e Mançinit”. Një Itali pak italiane, për disa: “Në futbollin modern skuadrat duhet të jenë fleksibël. Kanë qenë të aftë të ruajnë aspektet mbrojtëse të mëparshme duke shtuar dinamizëm me mbrojtjen e avancuar dhe sfidat një kundër një edhe në prapavijë. Nuk ka humbur ADN-në, vetëm i janë përshtatur futbollit modern”. Shumë të kaluara me Mançinin, por edhe një admirim të madh: “Është shumë taktik, ka krijuar mentalitetin fitues dhe dora e tij shikohet nga pikëpamja psikologjike, edhe nga shpirti i tij i konkurrencës. Në këtë Itali shikojmë konceptet e tij të lojës: agresivitet, dinamizëm dhe presing”.

DE BRYJNE – Prania ose jo e De Bryjnes do të mund të bëjë diferencën në fushë: “Është numri 10 më i mirë në botë, çdo trajner do ta dëshironte, por lojtarët duhet të jenë në 100% për të dhënë maksimumin. Do ta zbulojmë vetëm nesër (sot), ai dhe Hazard kanë kryer programe të personalizuara. Në çdo rast jemi përshtatur edhe me ndryshimet. Mësuam shumë nga sfida ndaj Portugalisë, duke kaluar turin, por duam të përmirësohemi”

Related posts

MBROJTËSI I KOMBËTARES HERO NË FRANCË/ Shpëton ekipin nga turpërimi në…

Delo.autor

“NDESHJA E ÇMENDUR”/ Ja nota e Ronaldos pas barazimit befasues, më i miri u shpall… (FOTO)

Delo.autor

BARAZIMI ME EMPOLIN/ Gattuso: Nuk jemi ekip i shkëlqyer, po na mungon…

Isa.Autor

Leave a Comment