Futboll Sport

“BROJA DO BINDË TEK CHELSEA, GJIMSHITI SUPER”/ Rrëfehet Bogdani: Strakosha të zgjidhë kontratën, Lazio të…

Ish-bomberi i Serisë A dhe rekordmeni i golave me Kombëtaren komenton lëvizjet e para të merkatos së Kombëtares. Erjon Bogdani për “Panorama Sport” analizon situatën e portierëve në serinë A, Kumbullën dhe Gjimshitin, por ndalet edhe tek ecuria e Armando Brojës dhe pritshmëritë për të.

Bogdani, cila prej lëvizjeve të merkatos nga kuqezinjtë ju bën përshtypje?

Hysaj që gjeti një skuadër si Lacio dhe trajner si Sarri. Sipas meje, me lëvizjet që ka bërë, Lacio ka si objektiv që të renditet sërish mes katër më të mirave në Itali. Shpresoj që për këtë, kontribut të japë jo vetëm Strakosha që ka qenë një nga pikat e forta, por edhe Hysaj.

Si e prisni Hysajn në kryeqytet?

Unë shpresoj vetëm që të luajë siç ka bërë te Napoli, kur në krye kishte Sarrin. Tashmë ai është një mbrojtës i sprovuar dhe Sarri nuk do ta ketë aspak të vështirë që të bëjë Hysajn të japë më të mirën.

Kumbulla nën drejtimin e Murinjos, mund të fitojë besimin e tij?

Situatën e Kumbullës e shoh pozitive, pasi pavarësisht moshës që ka, Roma ka investuar shumë tek ai. Me ardhjen e Murinjos është edhe e pritshme që të marrë shumë futbollistë, pasi kudo ku ai drejton, ndërton skuadrën sipas ideve të tij për të fituar. Them se do të ketë konkurrencë edhe të shtuar te Roma. Por unë kam besim sepse Marashi ka kualitet dhe shpresoj që të ketë vazhdimësi. Pse jo, ta fitojë vendin për të qenë një nga shtyllat kryesore të ekipit.

Bogdani, çfarë prisni këtë sezon nga Gjimshiti?

E kam thënë edhe vjet që ai është një nga pesë mbrojtësit më të mirë të Serisë A. Nuk e them vetëm se jam shqiptar dhe ai është pjesë e Kombëtares, por me çfarë ka treguar në fushë gjatë këtyre viteve. Gjimshiti ka qenë pjesë stabël e formacionit të Atalantës, ndër pikat e forta të një skuadre që ishte surprizë e Serisë A e tanimë është një realitet. Të luash të gjitha ndeshjet titullar me një skuadër të tillë, kampionat apo edhe Champions, duke zhvilluar paraqitje për t’u lavdëruar, do të thotë se ky futbollist ka vlera të mëdha.

Berisha te Torino dhe Strakosha te Lacio, me situatën e rivalitetit me Reinën. Si e shihni situatën e portierëve të Kombëtares?

Unë mendoj që Strakosha duhet ta zgjidhë sa më mirë këtë problem. Jo vjet, pasi ka qenë një vit i veçantë për të gjithë, ama në sezonet e mëparshme Strakosha ka bërë paraqitje shumë të mira duke qenë një nga shtyllat e Lacios. Ai ka kontribuuar edhe në arritjen në Champions pas disa vitesh mungesë.

Vjet, pas Covid-it që kaloi dhe disa dëmtime, nuk e lanë që të ishte në gjendjen e tij më të mirë. Strakosha ka kualitet dhe e ka treguar te Lacio që është një lojtar kryesor i skuadrës bardhekaltër dhe unë shpresoj shumë që ta zgjidhë çështjen e tij.

Çfarë prisni lidhur me këtë?

Unë mendoj se nëse Strakosha do të rinovojë me Lacion, atëherë klubi do t’i japë shumë besim dhe do të besojë tek ai për të qenë sërish pjesë kryesore e ekipit.

Nëse jo, do ta ketë shumë të vështirë që të japë kontribut te Lacio. Sipas meje, duhet ta gjejnë një zgjidhje edhe për të mirën e djalit, sepse edhe Tomasi duhet të marrë në një moment përparësi për ndeshjet që ka zhvilluar me ekipin. S’mund t’i mohohen.

Po për Berishën, si e shihni rikthimin e tij në Serinë A te Torino?

Unë e kam parë në Serinë B dhe më dukej që ishte i tepërt në ato nivele. Berisha mund të jetë një portier i besueshëm në Serinë A, sepse ka eksperiencë dhe ka gjendje shumë të mirë. Do të ketë konkurrencë te Torinoja, por kam besim se do të luajë dhe do ta tregojë veten në Serinë A.

19-vjeçari Broja firmos kontratë pesëvjeçare me Çelsin. Shihni shanse të qëndrojë me blutë apo kampionët e Europës mund ta huazojnë sërish?

E kam ndjekur ditët e fundit, por e kam parë Brojën me ecurinë që ka pasur. Për mendimin tim ishte zgjedhja e duhur vjet që u huazua te Viteshe dhe pati atë ecuri pozitive me gola, por mbi të gjitha, mori minuta dhe luajti thuajse të gjitha ndeshjet. Çelsi është kampionia e Europës në fuqi dhe ekipet e mëdha pretendojnë gjithmonë për të fituar, ndaj Brojën e pret një konkurrencë shumë, shumë e fortë.

Me syrin e një bomberi, çfarë pëlqeni te stili i Brojës?

Të mos harrojmë, mjaft të përmendësh Verner apo Haverts, pa diskutuar kë do të afrojnë. Megjithatë unë kam besim që do të jetë pjesë e ekipit, pasi një prezantim i tillë nuk mendoj se bëhet për ta huazuar apo shitur tani shpejt. Them se Çelsi ka besim te Broja dhe ka kualitete shumë të mira, është në një moshë shumë të re që ka vend për rritje, por them se do të ketë shanset e tij për të “bezdisur” sulmuesit e tjerë dhe për të mos i lënë të qetë. Kjo sepse nuk është nga ata sulmues që rri vetëm në zonë dhe pret, por është një lojtar që bashkëvepron shumë mirë me ekipin.

Related posts

Brazil, Ronaldinho i hyn politikës; pritet të kandidojë për në Senat

Sadik.Autor

“Champions League” i sezonit të ardhshëm, skuadrat që ka siguruar fazën e grupeve

Sadik.Autor

PËSOI 3 GOLA NGA INTERI/ Inzagi: S’mbaj mend ndonjë pritje të STRAKOSHËS

Isa.Autor

Leave a Comment